Eksperti: Dikur bëhej 400 orë teori në autoshkollë...Makina më e vështirë se avioni! Të vendosen matëse alkooli në lokale

Mbrëmjen e djeshme një aksident i rëndë i mori jetën 17 vjeçarin Kristian Vasili, e ndërsa 5 persona të tjerë mbetën të plagosur. 19 vjeçari Alban Dervishi, Rei Oka, 18 vjeç, Armando Kuqo, 25 vjeç dhe Ema Deliu, 25 vjeçe u transportuan në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën mjekësore. Në spital për tu mjekuar shkoi edhe Kristian Vasili, por për shkak të plagëve të shumta të marra në trup, ai ndërroi jetë. Pak orë pas aksidentit, policia vuri në pranga 18 vjeçarin Fatjol Fusha, duke e akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Duke drejtuar mjetin e tij tip Benz me targë AA 131 ZZ, ai përplasi një automjet tip “Porsche” i cili ishte i parkuar në anë të rrugës. Burime pranë policisë bëjnë me dije se Fusha ishte nën efektin e alkoolit, e ndërsa dyshohet se ishte duke bërë garë në autostradë, ku të dukshme janë edhe shenjat e frenimit në rrugë, ndërsa mësohet se nuk dispononte leje drejtimi.

Edhe mbrëmjen e së shtunës në fshatin Bërzhitë, makina që i mori jetën dy adoleshentëve, drejtohej nga një 18 vjeçar po pa patentë. Për ekspertin e Sigurisë Rrugore, Gëzim Hoxha, ky fenomen është tepër shqetësues për shoqërinë. “Në bulevard shikon që ka edhe nga ata që marrin fëmijët 5 vjeç dhe i vendosin në timon përpara për ti mbajtur, për të luajtur fëmija me timonin. A thua se nuk do të ngasin makinë. Do të vijë një kohë që fëmija do të thotë “ç’mu desh që e ngas makinën”. Ne duhet të edukohemi si popull që çdo gjë do kohën e saj. Pra, fëmija nëse nuk mbush moshën nuk shkon në kurs të rregullt, nuk duhet ti japi makinës. Ka shumë prindër që mendojnë se t’ja mësoj makinën fëmijës që të vogël, se e mësoj unë”. Por ti nuk di ta ngasësh për vete, sepse ka një teori ngjarje dhe kjo teori ngjarje shpjegon format dhe mënyrat se si parandalohet aksidenti, si veprohet kur ka lagështirë, si veprohet kur ka ujë, si veprohet kur terreni është me dëborë, kur terreni është me akull, në rënë. Pra ka kushte të vështira që duhet patjetër ti bëjnë në autoshkollë, për të cilët edhe unë kam vërejtjet e mia sepse autoshkollat janë mbushur me specialist jashtë profilit transport. Edhe atje, nëse mësimi të bëhet në rregull, nuk bëhet teori ngjarje. Ka qenë një lëndë që unë e kam bërë në fakultet, 400 orë teori ngjarje. Makina nuk është aq e lehtë sa e mendojnë këta. Është më e lehtë avioni se sa makina” tha Gëzim Hoxha, ekspert i Sigurisë Rrugore.

VIDEO/Intervista me ekspertin rrugor Gëzim Hoxha

Hoxha thekson se duket një institucion përgjegjës, apo një autoritet mbikqyrës të sigurisë rrugore, pasi policia nuk është përgjegjës për aksidentet rrugore. “Aksidentet rrugore nuk ka lidhje me punën e policisë, sepse shpeshherë ne e kuptojmë atë si një dhunë që do të përdorë policia nëpërmjet sistemeve, nëpërmjet gjobave. Ky është një mentalitet i gabuar. Aksidentet rrugore kanë një mori problemesh në vetvete. Por, një nga ato që ne kemi dhe nuk e zbatojmë është Kodi Rrugor. Ne nuk kemi një institucion përgjegjës për këtë, në duhet të kemi një autoritet mbikqyrës të Sigurisë Rrugore, siç kemi edhe për ushqimin edhe për sektorët e tjerë. Pra, ky është një sektor i lënë vetëm në dorë të policisë duke menduar se kjo bëhet duke ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, duke gjobitur, duke marrë lejet e drejtimit, duke ndëshkuar, kjo nuk mjafton. Pra, ky model ka dështuar” tha ai.

Për ekspertin e Sigurisë Rrugore, infrastruktura, konsumimi i pijeve aloolike dhe shpejtësia tej normave të lejuara janë faktorët kryesorë të një aksidenti. “Nëpër lokale duhen vendosur alkool matës, që kur drejtuesit e mjeteve të dalin nga lokali duhet të dijnë që kanë pirë alkool. Duhet të masin përqindjen e alkoolit dhe nuk duhet ta përdorin. E mira është që të mos përdoret fare, asnjë pikë alkool. Duhen vendosur pajisje që masin sasinë e alkoolit, i vendoset makinës së shoferit dhe sa herë para nisjes ai duhet ti fryjë pajisjes. Kur i fryn pajisjes dhe nëse ai ka përdorur alkool, ai nuk ndizet. Pra, ka një mori masash të tjera. Nuk duhet lënë çdo gjë në dorë dhe në përgjegjësi të policisë. Policia nuk mund ti përballojë të gjitha këto gjëra dhe e ka të pamundur. Në këto kushte kërkohet që të sensibilizohet shoqëria” tha Gëzim Hoxha, ekspert i Sigurisë Rrugore.

Ndërkohë një tjetër aksident tragjik është shënuar mesnatën e mbrëmshme në rrugën e lagjes "Gërhot" të Gjirokastrës, ku humbi jetën 34 vjeçari Julian Loloçi dhe një tjetër person mbeti i plagosur. Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë teje normave të lejuara. Duke iu referuar statistikave, në 10 muajt e parë të vitit 2019, si pasojë e aksidenteve kanë humbur jetën 176 persona, 8 më shumë duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, vetëm në muajin Tetor të këtij viti, policia ka arrestuar 78 shoferë, 655 patenta të tërhequra, e ndërsa 11.200 masa ndëshkuese janë vendosur për shkelje të ndryshme të qarkullimit rrugor. Mësohet se vetëm muajin e kaluar, në aksin rrugor Sauk - tuneli i Krrabës dhe në autostradën Tiranë - Durrës janë hequr 188 Leje Drejtimi, nga të cilat 132 vetëm në Sauk - Tuneli i Krrabës, ku mjetet lëvizin me shpejtësi që varion nga 135 deri në 200 km/h.

Aksidenti te TEG-u mbrëmë
VIKTIMA
Kristian Vasili, 17 vjeç

TË PLAGOSUR
Alban Dervishi, 19 vjeç
Rei Oka, 18 vjeç
Armando Kuqo, 25 vjeç
Ema Deliu, 25 vjeçe

I ARRESTUAR
Fatjol Fusha, 18 vjeç

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sam: 11/11/2019 19:29

    Bukur e thurr problemin e aksidenteve z.ekspert Gezim Hoxha,por juve konkludoni se dispozitat ligjore duhet te ndryshohen sipas mendimeve te eksperteve??Dispozitat ligjore perfshijne tere kerkesat e qarkullimit rrugor,po keshtu edhe detyrat e drejtuesve te mjeteve,por edhe te organeve te kontrollit (autoinspektoriati rrugor) etj!Kjo eshte nje fushe shume e gjere!Mendoj se organet e qarkullimit rrugor po punojne shume mire!Mireupafshim!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan