Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku ka folur për ngjarjen tragjike të ndodhur në Durrës, ku si pasojë e një aksidenti (u përplasën nga një automjet që drejtohej nga Nikoll Radaçi, i cili ishte i dehur) humbën jetën dy fëmijë dhe mbeti i plagosur një tjetër.
Në ligjëratën e Xhumasë, Ardit Hoxhllaku u është drejtuar besimtarëve duke e cilësuar përdorimin e alkoolit si një nga shkaqet kryesore të ngjarjeve të rënda dhe tragjedive në shoqëri.
Sipas Myftiut, alkooli është “nëna e të këqijave”, pasi i heq njeriut kontrollin dhe aftësinë për të gjykuar drejt.
“Kur njeriu është i dehur nuk kontrollon më veten. Pas dehjes kërkon falje, por dëmi është bërë. Ke vrarë, ke plagosur, ke shkatërruar familje,” u shpreh Myftiu i Vlorës Ardit Hoxhllaku gjatë ligjëratës.
Ai iu referua edhe drejtuesit të automjetit, duke theksuar se në momentin kur doli para gjykatës nuk ishte në gjendje të fliste apo të ngrinte kokën, sipas tij për shkak se gjatë aksidentit ishte në gjendje të dehur.
Në përfundim, Myftiu theksoi se pasojat e alkoolit nuk prekin vetëm individin, por shkatërrojnë familje të tëra dhe lënë pasoja të rënda në shoqëri.
Komente









