Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.KONCERT NGA ORKESTRA E RTSH ME KRIJIMTARINË E FATOS QERIMAJT
Një mbrëmje e veçantë muzikore me krijimtarinë e kompozitorit Fatos Qerimaj, ku tradita dhe fryma bashkëkohore takohen në skenë do të vijë nesër në orën 19:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në kuadër të stinës koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH-së.
2. “TISH DAIJA NË 100-VJETORIN E LINDJES”, KONFERENCË NË TIRANË
Një konferencë shkencore dhe një program muzikor me rastin e 100-vjetorit të kompozitorit Tish Daija do të mbahet nesër në orën 10:00 në Akademinë e Shkencave.
3.“DJALI” NGA FLORIAN ZELLER E BERISHA, PREMIERË NË TKEKS
“Djali” është shfaqja nga Florian Zeller me regji nga Fatos Berisha, që do të ngjitet premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë sonte në orën 20:00.
4. “METODA GRONHÖLM” RIKTHEHET NË SKENËN E TEATRIT “BYLIS”
“Metoda Gronhölm” rikthehet për dy net për publikun fierak. Komedia e zezë do të shfaqet sonte dhe nesër në orën 18:00 në teatrin “Bylis”.
5.“IMAGES FROM ASIA” NË GALERINË “NIKOLET VASIA” NË DURRËS
Një udhëtim vizual mes kulturave, ngjyrave dhe historive njerëzore të Azisë, përmes objektivit të fotografit Massimo Saretta do të vijë nesër më 30 janar në orën 18:00 në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës.
6. “POST BLLOK”, EKSPOZITA E PESË ARTISTËVE BASHKËKOHORË
“Post Bllok” është ekspozita nga pesë artistë bashkëkohorë, të cilët eksplorojnë mediumin e librit të artistit si një hapësirë ku ndërthuren e kaluara komuniste dhe e tashmja. Fotografitë, fijet, dylli, letra e punuar me dorë dhe objektet e gjetura funksionojnë si gjurmë fizike të historisë dhe si forma për ta rishkruar atë. Ekspozita çelet sonte në orën 18:30 në “Bazament Art Space” në Tiranë.
7. “VALSI I LULEVE”, NATA E BALETIT KLASIK TE “PETRO MARKO”
Një mbrëmje dedikuar baletit vjen në skenën e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, sot, në orën 19:00 nga trupa e baletit e TKOBAP-it. “Valsi i Luleve” sjell fragmente koreografike që udhëtojnë nga eleganca e baletit klasik drejt gjuhës bashkëkohore të lëvizjes, duke krijuar një dialog të ndjeshëm mes traditës dhe shprehjes moderne.
8. “KATEDRALJA E PARISIT” NËN TINGUJT E BACH, BRAHMS E BEETHOVEN
Nën tingujt e kompozitorëve klasikë Johann Sebastian Bach, Johannes Brahms dhe Ludwig van Beethoven vjen romani i dramatizuar “Katedralja e Parisit”, fryt i punës së 80 nxënësve të shkollës “Andon Zako Çajupi”. Shfaqja do të vijë në sallën Black Box të Akademisë së Arteve sot në orën 16:00.
Komente












