Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERT- NOSTALGJI ME MUZIKËN E FILMAVE SHQIPTARË NË DURRËS

Për herë të parë, Orkestra e Harqeve dhe Orkestra Frymore bëhen bashkë për t’i dhuruar publikut një koncert, ku do të interpretojnë kolonat më të dashura zanore të filmave shqiptarë, si edhe melodi të njohura që kanë shoqëruar kujtesën tonë kolektive ndër vite. Koncerti do të mbahet mbrëmjen e nesërme në orën 20:00 në Amfiteatri Antik të Durrësit.

2.“PHILHARMONIX” VJEN NË TIRANË ME NJË KONCERT EKSKLUZIV

Një nga formacionet më të veçanta të skenës ndërkombëtare, “Philharmonix”, i njohur si “The Vienna Berlin Music Club”, me solistët e Filarmonisë së Berlinit dhe Vjenës, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sot në orën 20:00. Publiku do të ketë mundësinë të shijojë një mbrëmje ku ndërthuren mjeshtëria klasike dhe energjia moderne e performancës live.

3. TENORI ME FAMË BOTËRORE RAMË LAHAJ, KONCERT NË SHKODËR

Shkodra do të jetë mikpritëse e tenorit me famë botërore Ramë Lahaj, në koncertin “Ramë Lahaj & Friends në Shkodër”, sot në orën 20:00 në sheshin qendror të Shirokës. Krahas Lahajt do të performojnë edhe sopranoja Nino Machaidze dhe basi Dario Russo. Koncerti do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Shkodrës nën dirigjimin e Elda Laros.

4. KOLONJA MIRËPRET FESTIVALIN KOMBËTAR TË SAZEVE POPULLORE

Sonte prej orës 19:00 dhe nesër, në Kolonjë zhvillohet edicioni i XIV i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Sazeve Popullore. Për dy netë me radhë do të prezantohen tingujt karakteristikë të muzikës tradicionale shqiptare, duke sjellë interpretimet e grupeve folklorike dhe formacioneve të njohura të sazeve.

5.“DETEKTORI I GËNJESHTRAVE”, KOMEDIA NË SKENËN E METROPOLIT

Sot dhe nesër në orën 20:00 në teatrin “Metropol” në Tiranë do të vijojë të shfaqet komedia “Detektori i gënjeshtrave” nën regjinë e Valdrin Hasanit dhe me interpretimin e Cubi Metkës, Kejdi Gishtos dhe Erdit Asllanit.

6.“SMËRFËT DHE GARGAMELA” ARGËTIM NË TEATRIN E KUKULLAVE

Në Teatrin e Kukullave, do të vijojë të shfaqet edhe nesër “Smërfët dhe Gargamela”, në oraret 10:30 dhe 11:30.