Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.RECITAL POETIK “NË ÇDO PASQYRË NA SHEH MËKATI” NË DURRËS

Recitali poetik “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, me poezi të zgjedhura nga Preç Zogaj do të vijë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës sonte në orën 19:00 nën interpretimin e aktoreve Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia, duke ndërthurur fjalën poetike me teatrin dhe muzikën.

2. KONCERTI “MELODI PËRTEJ KUFIJVE” NË UNIVERSITETIN E ARTEVE

Muzika shqiptare dhe ajo çeke takohen në koncertin “Melodi përtej kufijve” (Melodies Across Borders), organizuar nga Qendra “Miqësia Shqiptaro-Çeke”, në Ditën e Shën Venceslaut, sonte në orën 18:00 në Universitetin e Arteve. Programi sjell vepra të Antonín Dvořák, Václav Trojan, Çesk Zadesë dhe Klodian Qafokut.

3. KOMEDIA “DASMA” E VARDAR, TRI SHFAQJE NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Dasma”, komedia e Alil Vardar, vjen në skenën e Teatrit të Kukullave për tri mbrëmje radhazi, nga sonte deri më 30 shtator në orën 20:00.

4. AKTIVITETE NË DITËN KOMBËTARE TË TRASHËGIMISË KULTURORE

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore nesër mbahen aktivitete në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë dhe në Teatrin e Kukullave. Ndërkohë, Ditët e Trashëgimisë Kulturore do të vijnë edhe në Kolonjë me organizime kushtuar historisë, traditave, artit dhe vlerave kulturore të zonës. Nesër në mesditë do të mbahet teatri “Si ne të dy”, në orën 16:30 në sheshin “Rilindja” do të mbahet Panairi i traditës, ndërsa në orën 18:00 një koncert folklorik.

5. EKSPOZITA “NO MERCY” NGA KRISTANJA ÇENE NË MJEDISET E GAT

Në Galerinë e Tiranës çelet sonte në orën 19:00 ekspozita “No Mercy” e artistes Kristanja Çene, kuruar nga Inda Sela. Ekspozita lind nga tensioni, revolta dhe kaosi i përditshëm, të cilat artistja i shndërron në një gjuhë të lirë pikture. Personazhe të deformuara, figura groteske, konflikte dhe simbole ndërthuren në një hapësirë ku kontrolli dhe kufijtë e shprehjes artistike sfidohen.

6. KËNGËTARI RENIS GJOKA, KONCERT LIVE PËR PUBLIKUN NË PATOS

Renis Gjoka do të vijë me një koncert ‘live’ në Patos, të hapur për publikun, mbrëmjen e nesërme.

7. SHFAQJE TEATRALE NGA GAVRAN NË JAVËN KULTURORE TË KROACISË

“Kafe në mesditë” nga dramaturgu kroat Miro Gavran do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental sonte ne orën 20:00, në kuadër të Javës së Kulturës Kroate. Ndërkohë, nesër në orën 11:00 në “Europe House” në Tiranë do të prezantohet Fjalori Juridik Shqiptaro-Kroat, ndërsa në 13:00 do të ketë një marshim me një performancë flash drejt sheshit “Nënë Tereza”.