Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “NEXTWAVE TIRANA: YOUTH BEATS” NË UNIVERSITETIN E ARTEVE
Fakulteti i Muzikës vijon stinën koncertore 2026 me edicionin e parë të festivalit “Nextwave Tirana: Youth Beats”. Aktiviteti vijon edhe sot në hollin e Universitetit të Arteve dhe synon të promovojë talentet e reja të Fakultetit të Muzikës përmes performancave pianistike, muzikës së dhomës, jazz-it dhe koncertit koral. Studentët do të interpretojnë një repertor të larmishëm nën drejtimin e pedagogëve Vojsava Mane, Genti Rushi, Bujar Alliu dhe Silvana Skënderi.
2. ELBASAN/ “PËR NJË FJALË GOJE”, PREMIERË NË TEATRIN “SKAMPA”
Sot në orën 20:00, teatri “Skampa” në Elbasan mirëpret premierën “Për një fjalë goje”. Shfaqja trajton brishtësinë e komunikimit njerëzor dhe ndikimin që mund të kenë fjalët në marrëdhëniet mes njerëzve. Përmes dialogut dhe kujtimeve, ajo ndërthur realitetin me perceptimin, duke ftuar publikun në reflektim mbi detajet e vogla që formësojnë historitë personale.
3. “ATELIER 2026”, EKSPOZITË E STUDENTËVE TË ARTEVE TE FAB
Ekspozita “Atelier 2026” me punë nga studentë të vitit të parë të Fakultetit të Arteve të Bukura çelet sot në galerinë FAB të Universitetit të Arteve në Tiranë. Kuratorë të ekspozitës janë Artan Buca dhe Orlis Vathi.
4. EKSPOZITA “BIRTHMARK” NË QENDRËN E ARTIT “AGIMI” NË TIRANË
Ekspozita e fotografes Armejsa Kullolli, “Birthmark”, vijon të qëndrojë e hapur deri më 20 qershor në Qendrën e Artit Agimi. Ekspozita sjell në vëmendje histori reale të lindjeve në Shqipëri përmes nëntë fotografive dhe një videoje dokumentare, duke trajtuar përjetimet e nënave dhe sfidat e sistemit shëndetësor. Projekti vjen si një reflektim artistik dhe social mbi një nga momentet më të rëndësishme të jetës.
5. “SONTE DO DARKOJMË NË SHTRAT” KTHEHET NË TEATRIN KOMBËTAR
Komedia “Sonte do darkojmë në shtrat” do të vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar edhe sonte, nesër dhe më 18 qershor, çdo mbrëmje në orën 20:00. Vepra e autorit Marc Camoletti sjell historinë e një çifti që planifikon takime të fshehta në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, duke krijuar një seri situatash komike dhe keqkuptimesh. Shfaqja vjen nën regjinë e Kiço Londos.
6. “PËRRALLAT NË CIRK”, SHFAQJE PËR FËMIJË E FAMILJE NË TIRANË
Në Teatrin Kombëtar pranë ArTurbinës vijon të mbahet deri më 21 qershor aktiviteti “Përrallat në Cirk”. Çdo ditë në orën 10:00, fëmijët dhe familjet do të mund të shijojnë një botë imagjinate ku personazhet e përrallave dhe arti i cirkut bashkohen për të sjellë argëtim dhe emocione.
Komente








