Aktorë të Prishtinës, kontrata me
Teatrin e Tiranës e anasjelltas

Aktorë të Prishtinës, kontrata me<br />Teatrin e Tiranës e anasjelltas
TIRANE- Aktorët e Tiranës do të kenë mundësi të lidhin kontrata edhe me Teatrin e Prishtinës dhe aktorët e Prishtinës do të kenë mundësi të jenë për një vit a më shumë pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar. Një lajm që vë në lëvizje idetë dhe imagjinatën e krijuesve të skenës nga Tirana në Prishtinë vjen nga drejtori i Teatrit të Prishtinës, Emin Emini. Këto ditë në Prishtinë ende po vazhdojnë takimet për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, të nisura që nga 12 shkurti, kur u nënshkrua zyrtarisht bashkëpunimi me ministrat përkatës të Kulturës Mirela Kumbaro e Memli Krasniqi. Lëvizja kulturore sapo ka filluar.

Galeria e Prishtinës këto ditë ka të çelur ekspozitën e Marubit ardhur nga Shqipëria. Ndërkohë filmat më të mirë të Kosovës po udhëtojnë drejt Shqipërisë. Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli konfirmon se këtë javë do të niset drejt Kosovës. Ai do të takohet me drejtorin e Teatrit të Prishtinës Emim Emini për t’u njohur nga afër me trupën dhe programin e aktiviteteve kulturore Tiranë-Prishtinë.

Drejtori i Teatrit të Prishtinës Emin Emini rrëfen me këtë rast për “Shqiptarja.com” disa nga pikat kryesore të këtij bashkëpunimi;si do të vijojë jeta e përbashkët kulturore mes dy teatrove dhe dramaturgëve shqiptarë, si do të punojnë aktorët e dy institucioneve. Drejtori i Teatrit të Prishtinës rrëfen edhe rëndësinë e hartimit të kalendarit të përbashkët kulturor dhe bërjen legjislative të këtij bashkëpunimi pas firmosjes nga ministrat përkatës të kulturës Shqipëri-Kosovë në takimin “Kultura- Hapësira jonë e përbashkët”, që u organizua më 12 shkurt në Tiranë.
 
Zoti Emini, duket sikur aty në Kosovë lajmet kulturore e kanë në qendër të vëmendjes Teatrin e Prishtinës, pse ndodh kjo?
 -Teatri është në qendër të lajmeve të kulturës në mënyrë simbolike, jo se nuk kanë rëndësi institucionet e tjera. Them në mënyrë simbolike sepse në artin skenik përfshihen vetvetiu edhe arte të tjera, si shkrimtaria, kënga, baleti, etj.
 
Çfarë rëndësie i jepni ju personalisht bashkëpunimit kulturor?
-Këtë nuk e shoh thjesht si një mënyrë bashkëpunimi mes institucioneve, sepse bashkëpunime ka pasur edhe më parë Teatri Kombëtar me Teatrin e Prishtinës, por si diçka më të rëndësishme, sepse tashmë institucionalizohen veprime të përbashkëta. Që do të thotë që ngjarjet kulturore do të shihen me preokupim më të madh.

Është ndryshe kur ndodh bashkëpunimi kulturor me vullnetin e dy teatrove dhe shumë më ndryshe kur institucionalizohet nga institucionet  e larta të shtetit. Bashkëpunimi nis mes dy ministrive dhe kështu zhvillimet kulturore pasurohen me ide të reja dhe ngjarje të reja. Ky bashkëpunim nuk është njëvjeçar, pavarësisht se kalendari është njëvjeçar. Tashmë bashkëpunimi nuk ka të bëjë me kalendarët, por ka të bëjë me një strategji kulturore, e cila duhet të jetë afatgjatë dhe e vazhdueshme në krijimin e vlerave të përbashkëta të vlerave kulturore, se jemi një komb dhe një kulturë.
 
Pas kësaj duhet dimë se çdo të ndodh edhe me bashkëpunimi e dy teatrove; Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit të Kosovës?
 -Kanë nisur tashmë bashkëpunimet në realizmin e shfaqjeve të përbashkëta në kooproduksion me Teatrin e Tiranës. Ideja tjetër është krijimi i një fondi të përbashkët, i cili do të jetë fondi i përhershëm nga të dyja ministritë për të dyja institucionet e teatrove dhe kjo është garant për ruajtjen vazhdimësisë së aktiviteteve të përbashkëta për prodhimtarinë teatrore dhe një ide tjetër është se i gjithë festival do të jetë me rrotacion, mendohet të jetë bienale, që do të mbahet në Tiranë, pastaj do kalojë në Prishtinë dhe prej Prishtine do të kalojë në Shkup dhe prapë rrotacioni do të kalojë në Tiranë dhe do të vijojë cikli i këtij festivali.
 
A do të ketë kontrata të rregullta me aktorë nga Tirana dhe anasjellas.
 -Sigurisht që do të ketë kontrata edhe për aktorët me Teatrin e Prishtinës dhe anasjelltas. Madje do të ketë edhe këmbim ekipesh, ku në këtë rast bëhet fjalë për regjisorë, dramaturgë, skenografë. Bashkëpunimi i parë konkret do të jetë në fund të muajit mars, ku do të bëhet një konferencë e dramaturgëve shqiptarë, cilitdo qofshin ata, që të debatohet për format e reja të krijimit të dramës.

Temat e diskutimit do të përmblidhen rreth pyetjes se ku gjendet sot dramaturgjia shqiptare me dramaturgjinë e huaj, se dramaturgjia shqiptare përfaqëson kulturën tonë, sfidat tona, ambiciet tona, sa është përfaqësuese jetës sonë dhe sa shikuesi ynë gjen elementë analogë të jetës së tij me ato çfarë thotë dramaturgjia shqiptare dhe për këtë do të bëhet një takim në Tiranë me pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare.
 
Çfarë të rejash të tjera do të sjellë bashkëpunimi me dy teatrove?
 -Ajo për çfarë institucionet bien dakord ka të bëjë me premtimin e dy ministrive se gjithçka do të jetë e realizueshme dhe bashkëpunimi do të nis si pjesë e një plani aksionar. Të gjitha aktivitetet e përbashkëta në të gjitha sferat e kulturës kanë gjetur një gjuhë shumë të mirë të përbashkët. Kemi rënë dakord në ato pika që biseduam dhe unë besoj që këto do të realizohen. Ka brenda këtij viti disa aktivitete që janë ideuar në atë mënyrë që të krijohet mundësi për t’u kultivuar më tutje ky bashkëpunim.
 
U shprehët në fillim se keni pasur bashkëpunime edhe gjatë viteve të shkuara. A kanë mbetur projekte të parealizueshme të planifikuara nga drejtuesit e mëparshëm të institucioneve Tiranë-Prishtinë?
-Po ka pasur që nuk janë realizuar në mungesë të fondeve, sepse ideja e parë ka qenë që të udhëtojnë drejt Tiranës të gjitha premierat që realizohen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, por edhe të vijnë këtu premierat e Teatrit Kombëtar të Tiranës. Janë sjellë vetëm tri premiera ndërkohë. Unë shpresoj shumë se tani e tutje që vihet në funksion kalendari i përbashkët i aprovuar nga dy ministrat e kulturës do të ndodhë që premierat, jo vetëm do të bëjnë rrugë të anasjelltë Tiranë-Prishtinë, por do të shfaqen në mjaft qytete shqiptare.
 
Nëse bashkëpunimi kulturor me Kosovën është realizuar edhe më përpara, pse ju duket e rëndësishme firmosja e bashkëpunimit?
 -Është shumë e rëndësishme sepse janë institucionalizuar veprime të përbashkëta kombëtare, aktivitete kulture të përbashkëta kombëtare.

Shkrimi u publikua sot (20.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane