Kësisoj Kongresi i VI-të i Partisë, e forcoi më tej diktaturën e proletariatit dhe zhvillimin e demokracisë socialiste. Kjo e fundit nënkuptonte një tërheqje më të gjerë e më aktive të punëtorëve në qeverisje. Kontrolli i masave nga poshtë e veçanërisht kontrolli punëtor ishin baza e kësaj fushate të re të regjimit.
Kontrolli punëtor zhvillohej në çdo institucion, drejtori, uzina e fabrika në zyra shteti e çdo hallkë tjetër të qeverisjes. Ai ishte një prej tipareve më absurde të importuara nga revolucioni kulturor kinez.
Shpesh grupe të kontrollit punëtor ia behnin nëpër fakultete, ku kritikonin për punën e tyre profesorët, apo në institucione te artit ku kritikonin krijimtarinë artistike a detaje të tjera të jetës artistike të këtyre institucioneve.
Si një prej shembujve që shpjegojnë këtë fenomen, ne sollëm në dy numra të Shqiptarja.com dy dokumente që flisnin për kontrollin punëtor në Teatrin Kombëtar në vitin 1971.
Pas “problemeve” të zbuluara prej tyre në këtë institucion të artit, çështja ishte bërë shumë serioze dhe këto parregullsi dhe shkelje ishin diskutuar edhe në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit për Teatrin Popullor, detajet e së cilës i zbulojmë në protokollin e kësaj mbledhje ruajtur në një prej dosjeve të AQSH, ku trajtohen shkeljet dhe parregullsitë që kishte gjetur kontrolli punëtor në Teatër në verën e 1971. Më poshtë e sjellim të plotë këtë dokument.
REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË
KOMITETI EKZEKUTIV K.P. RRETHIT
TIRANË
Nr. 6417 prot.
Tiranë 15/IX/1971
KRYEMINISTRISË
TIRANË
Bashkangjitur po ju dërgojmë nji kopje të protokollit të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit për Teatrin Popullor.
PËR KOMITETIN EKZEKUTIV K.P.RRETHIT
S E K R E T A R I
(Adem Rada)
(vula, firma)
PROTOKOLL I MBLEDHJES SË KOMITETIT EKZEKUTIV PËR TEATRIN POPULLOR
Në gusht të këtij viti, u mblodh Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit, i cili mori në shqyrtim konkluzionet e ekipit të kontrollit punëtor në teatrin Popullor si dhe raportet e Seksionit të Kulturës dhe të Drejtorisë së teatrit Popullor mbi zbatimin e Vendimit Nr. 18 dt.20/8/1970 të Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit për Teatrin Popullor.
Pasi diskutoi gjerësisht këtë problem doli se:
Në përgjithësi, Teatri Popullor, gjatë këtij viti në krahasim me vitin e kaluar, ka bërë hapa përpara përsa i përket realizimit të numrit të premierave, kurse në drejtime të tjera gjendja vazhdon të jetë e pakënaqëshme, kryesisht për arësye subjektive.
1) Problemi i aktivizimit t’aktorëve është një çështje me rëndësi të madhe dhe që kërkon forcimin e disiplinës dhe një nivel më të lartë t’organizimit të punës drejtuese nga ana e drejtorisë. Kjo mungesë e organizimit të punës dhe mos-shfrytëzimi i forcave aktoreske, ka bërë që në këtë institucion të ketë mjaft sorollatje, biseda të kota e të pafrytëshme, thashetheme, etj.
Komiteti Ekzekutiv porositi që, me qëllim që çdo aktori t’i sigurohet ngarkesë pune e plotë, është e nevojëshme që Drejtoria e teatrit, këshilli artistik, të luftojnë dhe ta ndërtojnë repertorin e tij, me pjesë paralele. Dramat paralele, pjesët me një akt dhe dublimet, me një organizim më të mirë të punës, do të bëjnë që çdo aktor t’aktivizohet rregullisht.
2) Problemi i ritmit të punës, me të cilën punon Teatri Popullor për pregatitjen e një premiere, ka të bëjë me vendosjen e një metode e stili më revolucionar në punë; vetë praktika e Teatrit ka treguar që me një mobilizim total të aktorëve, proçesi i vënies në skenë të një premierë mund të shkurtohet. Kështu Teatri do të kishte mundësi të vinte në skenë më shumë premiera për spektatorët dhe artëdashësit. Për këtë të organizohet një konsultë me regjizorët, aktorët dhe pjesëmarrësit e Këshillit artistik duke ftuar edhe nga rrethet e tjera, ku të diskutohet mënyra e organizimit të punës për shkurtimin e afatit të vënies në skenë të një premiere.
3) Komiteti vërejti se një tjetër problem i rëndësishëm që kërkon zgjidhje të shpejtë, është dhe dublimi i roleve kryesore në repertorin aktiv të Teatrit Popullor. Dublimet, për mungesë të organizimit të punës, i janë lënë spontanitetit, mbasi ai praktikohet vetëm kur sëmuren aktorët. Është mirë që të gjitha rolet kryesore të dublohen, bile dhe në ato raste kur dublanti mund të jetë në nivel pak më të ulët se aktori i parë. Kjo masë është e domosdoshme të zbatohet sepse kjo do ta bëjë më të manovrueshëm repertorin aktiv të Teatrit Popullor dhe nuk do të shkaktojë anullime çfaqjesh, ndërprerje të aktivitetit të çfaqjeve, etj.
Vështirësitë që mund t’i dalin Teatrit Popullor për të gjetur regjizorët për të vënë në skenë drama paralele, në kushtet ekzistuese, drejtoria dhe kolektivi duhet t’i zgjidhë me forcat e veta, duke aktivizuar regjizorët që ka, aktorët më të mirë, duke dërguar aktorë në kursin e regjisë pranë Institutit të Lartë të Arteve dhe duke gjetur forma të reja pune si p.sh. formën e patronazhit, në kuptimin që një regjizor të marrë në patronazh një ose dy aktorë për t’i pregatitur për regjizorë për t’ardhmen, etj.
4) Bashkëpunimi i drejtorisë me dramaturgët ka qenë jo i kënaqëshëm; këtë e tregon dhe vetë fakti që vitin e kaluar Teatri, jo vetëm nuk siguroi rezerva për vitin pasardhës, por nuk siguroi as edhe numurin e premierave të caktuara në planin vjetor. Kjo tregon se drejtori dhe këshilli artistik nuk janë kujdesur me kohë për të ndihmuar në përmirësimin e atyre pjesëve, që kishin mundësi të ndreqeshin dhe të bëheshin të çfaqëshme. Megjithatë kohët e fundit, vihet ré një mobilizim dhe reokupacion më i madh si nga ana e drejtorisë ashtu edhe e kolektivit për sigurimin e repertorit. Si rezultat gjendja ka filluar të ndryshojë dhe deri tani janë vënë në skenë 3 pjesë, ka filluar puna për 2 pjesë, që do të ipen për 30 vjetorin e Partisë dhe Kongresin e saj të 6-të dhe po punohet edhe mbi 6 pjesë të tjera të reja.
Në Tetor të këtij viti Komiteti Ekzekutiv, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, të organizojë një mbledhje me disa shkrimtarë ku të diskutohet sigurimi i repertorit për Teatrin Popullor për vitin e ardhëshëm.
Kujdes të veçantë Drejtoria e Teatrit Popullor duhet t’i kushtojë edhe rivënëjes në skenë të pjesëve të ndryshme si p.sh. pjesës “Toka Jonë”, etj. të cilat kanë kohë që nuk shihen nga spektatori. Me një freskim dhe me një regji të re, kjo pjesë si dhe ndonjë pjesë tjetër mund të viheshin në skenë me shumë sukses.
Drejtoria e Teatrit Popullor në shtator të çdo viti do t’i paraqesë për aprovim Kryesisë së Komitetit Ekzekutiv repertorin aktiv si dhe premierat e reja që do të vërë në skenë Teatri Popullor për vitin e ardhëshëm.
5) Problem tjetër, i cili u ngrit me të madhe edhe në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, ishte edhe funksionimi i Këshillit artistik. Këshilli artistik pak e ka kryer funksionin për të cilin është ngritur dhe kjo jo për faj të tij, se sa për faj të vetë drejtorisë. Këshilli artistik është marrë kryesisht me aprovimin e pjesëve të reja por ai nuk është mbledhur në rregull. Këshilli artistik duhet të rrisë nivelin e punës së tij duke u marrë edhe me problemet profesionale të Teatrit, kualifikimin e aktorëve, të ndjekë ecjen dhe zhvillimin e trupës së aktorëve, të merret me organizimin e diskutimin të temave shkencore, të ndjekë vazhdimisht Shfaqjet pas premierës, të cilat shpesh herë fillojnë e bien nga niveli artistik, të bëjë një studim për vënien në skenë të pjesëve të huaja etj. Prandaj i bie detyrë drejtorisë, që të hartojë një plan të përcaktuar mirë për funksionimin e Këshillit artistik.
Në mbledhjet që organizon Këshilli artistik për shqyrtimin e një vepre, detyrimisht duhet të marrë pjesë edhe autori, në mënyrë që ky t’i dëgjojë vetë vrejtjet që bëhen për veprën e tij.
6) Mbledhja konstatoi se drejtoria dhe kolektivi i Teatrit Popullor nuk e kanë vlerësuar në masën e duhur punën në drejtim të fshatit. Vetë fakti që në fshat, gjatë vitit të kaluar, janë dhënë 6 çfaqje, tregon se akoma duhet luftuar me konceptet frenuese, që ekzistojnë në këtë drejtim si tek drejtoria ashtu edhe tek vetë aktorët, të cilët nxjerrin lloj-lloj justifikimesh që në fakt pengojnë dhënëjen e çfaqjeve në fshat. Prandaj i del detyrë Teatrit që të vërë në skenë pjesë me një akt dhe me dy akte, të manovrueshme, me dekor të lehtë, që të jenë të mundëshme për t’u çfaqur në të gjitha fshatrat. Letra e K.Q. të P.P.Sh. për problemet e bujqësisë duhet t’analizohet në kolektiv dhe të nxirren detyra për një punë më serioze dhe më intensive nga ana e Teatrit Popullor në drejtim të fshatit.
7) Brenda datës 25/9/ drejtorija e Teatrit të analizojë hollësisht punën e vet në mbledhjen e këshillit artistik dhe të kolektivit në frymën e konkluzioneve të kontrollit puntor dhe të Komitetit Ekzekutiv.
Gjithashtu Komiteti Ekzekutiv ngarkoi aparatin e tij që t’i zgjidhë sa më shpejt Teatrin Popullor disa probleme organizative, kuadri etj. me qëllim që Drejtorija t’i kryej sa më mirë detyrat e mëdha, që i dalin sidomos tani në kuadrin e 30 vjetorit të themelimit të Partisë dhe Kongresit të saj të 6-të.
Shokut Mustafa Gërcaliu,
Komiteti Ekzekutiv i Tiranës dhe vetë Ministria e Arësimit e Kulturës nuk duhet ta lenë çështjen me kaq.
Ato duhet të forcojnë drejtimin e Theatrit Popullor, të zgjidhin problemin e repertorit, të venë njerzit në punë, të forcojnë disiplinën dhe të kontrollojnë sistematikisht çdo muaj (të paktën sa të vihet në rrugë puna e këtij institucioni), zbatimin e detyrave që kanë caktuar.
Më informoni përsëri brenda 30/11/1971.
(firma)
4/10/71