E kam njohur Julkën, ashtu siç kam njohur shumë personazhe të qytetit tim që, për kontributet e tyre në fushën e artit, i ftoja në emisionet e mia letraro-artistike, aso kohe kur isha gazetar në Radio Shkodra. I kujtoj me mall ato vite! Që ata të mos pluhurosen e të mos marrin ngjyrën e heshtjes, mendova të çelë një dritare për Julkën, këtë aktore pothuajse të harruar, ndonëse ka disa vjet që ka ndërruar jetë. Ende më kumbojnë fjalët e saj: “… dhe unë u rrita në një mjedis si të gëzueshëm e gazmor. I tillë ishte mjedisi im familjar. S’mund t’i harroj përkëdheljet e babës, seriozitetin e nanës e të dashurisë së katër vëllezërve për motrën e tyre të vetme, që isha unë. Dashuri që më ndjek deri në frymën time të fundit e përtej...”
Takimi i parë dhe i fundit…
Flokët e saj ishin të bardha. Ishte një bardhësi e mëndafshtë. Sytë e saj ishin të kaltër. Nga ajo kaltërsi, që mëngjeseve të dritëshme shëtisin dallëndyshet. Flokët me sytë sikur… kontrastonin. Ashtu mu duk mua në at’ takim të parë. Teksa e mendoj tani, pas shumë vitesh, them që jam gabuar. Sepse në të vërtetë ato dy ngjyra: e bardhë dhe e kaltër, në të vërtetë, ruanin një raport estetikisht të mrekullueshëm. Falnin mirësi e fisnikëri.
Kishte një zë të fortë. Si prej burri. Fliste dhe qeshte, shpesh. Nga e qeshura, mollëzat pakëz të dala i skuqeshin. Shpesh edhe e gjithë fytyra. Megjithatë Julka kur fliste, e shfaqte shpejt brengën e saj. E dalloje menjëherë. Diç mësova nga ajo brengë e diç nuk mësova… Mësova nga zëri që shpesh i dridhej, nga syri që shpesh i lotonte. Nuk e mësova dot sa e largët dhe e dhimbshme ishte ajo brengë!?..
Julka në emision erdhi me bastun, Shokun e saj të pleqërisë.
Trak-trak-u i bastunit të saj dëgjohej nëpër korridorin e radios, teksa Julka vinte për emision. Trak-trak-u i bastunit të saj dëgjohej me të njëjtin ritëm, teksa largohej…. Trak-trak-trak-u i atij bastuni që nuk donte të plakej! Më ka mbetur jehona e zërit të atij bastuni, që nuk e di pse, sikur… e drejtonte Julkën drejt kështjellës së heshtjes, të dhimbjes a të legjendës?..
Julka rrëfen biografinë e saj…
“Babai im ka lindur dhe është rritur në ish-Jugosllavi. Zanatet e tij ishin mekanik e hidraulik. Pas orarit të punës merrej me drejtimin e teatrit dhe të baletit.
Si origjinë babai ishte shqiptar dhe konkretisht nga Shkodra. E tërhiqte shumë vendi.
Në vitin 1914 vjen në Shkodër. Martohet me një vajzë shkodrane, me Lizën e Gaspër Saraçit. Nga kjo martesë lindën tre djem: Zefi në vitin 1916, Roberti në vitin 1918, Vilhelmi në vitin 1920. Më vonë… lindi Rudolfi. Më i vogli. E kujtoj dhe tash babën!.. Një tip i qetë, simpatik, i qeshur, mesatar nga trupi, me flokët të pakët e të thinjur që herët. Bardhësia e flokëve të tij ishte e njëjtë me bardhësinë time të tashme të flokëve.
E kujtoj dhe tash nanën!.. Bijë shkodrane. I kanë thanë edhe e bija e Gaspër piktorit, se pikturonte bukur… Ka qenë e shkathët e kërkuese nga natyra. Me flokët onde-onde, me sytë e zes, me vetullat e larta dhe të shkurtëra. Nana ka kënduar bukur. Zani i saj shquhej, veçanarisht kur vinte koha e shtregullave. Hypte në shtregull e këndonte: “Kur kam qenë një herë e re / lum e lumja zonjë”. Këndonin gjithë natën e çdo natë.
Në vitin 1921 shkuam përsëri në Jugosllavi, në Korçola, ku linda unë në vitin 1922. Më pas u transferuam në Coftat, një qytet bregdetar.
Në vitin 1928 nëna i kërkon me insistim babës me u kthye në Shqipëri. Edhe ai e kishte këtë dëshirë. Kështu që në atë vit erdhëm në Shkodër. Edhe këtu babai punonte si mekanik e hidraulik. Pas orarit të punës u aktivizua në shoqërinë “Rozafat”, ku merrnin pjesë familjet e mira shkodrane, si e Daijeve (prindërit e Tish Daisë), të Luigj Dajçit, të Muzhanëve, të Simon Rrotës.
Babai u mësonte të vallzonin, si: valcer, tango. Po ashtu është aktivizu në grupet teatrale. Së pari, vetëm me meshkuj, sepse në atë kohë ishte fanatizmi. Më vonë shfaqën pjesën “Filja”, ku me shumë vështirësi morën një vajzë 14 vjeçare që quhej Roza Shoshi, e cila më vonë u bë dhe mësuese.
Kur erdhëm në Shkodër, prindërit e mi më regjistruan në shkollë. I madhi Zefi kreu maturën në Shkollën e Jezuitëve, pastaj kreu shkollën e lartë për veterinari në Peruxhia, shkëlqyeshëm. U emërua për herë të parë në Prishtinë si k/veteriner dhe jepte mësim në gjimnazin e Prishtinës, ku jepte fizikë dhe anatomi. Pas çlirimit në vitin 1945 u emërua në Tiranë në një laborator. Më vonë u bë drejtor, e më vonë si shef katedre. Zefi është dhe autor i disa librave në fushën e bujqësisë. Punoi deri më 16 janar 1985.
I dyti Roberti, ka kryer shkollën e mesme industriale për marangoz. I shkëlqyer në zanatin e tij dhe i dalluar në këngët shkodrane së bashku më bashkëshorten e tij, Luçijen. I treti Vilhelmi, ka kryer 8-vjeçaren tek Jezuitët, pastaj hyri në zanatin e babës, dallohej me zërin e tij të bukur, të shoqëruar me kitarrë. E katërta isha unë që u regjistrova në Shkollën Stigmatine që në kopsht e deri në semimaturë. Tre klasë gjimnaz i kreva në Shkollën “Donika Kastrioti”, pastaj u mbyllën shkollat më 1943, sepse ishte kohë lufte. Në vitin 1944, më 12 prill shkova në Prishtinë për të marrë maturën, sepse atje shkollat ishin të hapura dhe kisha dhe vëllanë Zefin, atje. Në nëntor 1944, pasi u çlirua Shqipëria, u emërova mësuese, ku punova për gati 30 vjet brenda qytetit të Shkodrës, ndër shkolla të ndryshme.
Dy fjalë për vëllaun më të vogël Rudolfin, që me pasion iu vu mësimeve që në fëmijëri, kreu shkollën e mesme te Françeskanët. Pas çlirimit u emërua mësues. Ka qenë inspektor në rrethin e Lezhës e të Mirditës. Fatkeqësisht të 4 vëllaznit kanë ndrruar jetë dhe më mbetet edhe mua të bashkohem me to. Ndoshta… ndoshta po i them për herë të fundit...
Karakteristike e përbashkët në familjen tonë ka qenë: të gjithë kanë kënduar bukur, duke filluar që nga babai Luigji dhe tek më i vogli Rudolfi.”
Aktiviteti i Julkës… duke e kërkuar në vite
Në vitin 1945 është mësuese në Ajasëm. Përveç mësimit merret edhe me aktivitete kulturore. Shkruan dhe vë në skenë dramën “Pionieri në burg”.
Në vitin 1946 është mësuese në Dudas. Ndërsa në shkollën “Ndre Mjeda” me nxënësit krijon korin me dy zëra. Vë në skenë dramën: “Në tokat pranë kufirit”.
Aktiviteti artistik i Julkës nuk ndalet. Në shkollën “Liria”, për skeçin “Skënderbeu” fiton çmimin e parë.
Vitet kalojnë. Ndalemi në vitin 1995. Edhe pse në moshë, ajo aktivizon fëmijët e pallatit me shfaqje të ndryshme. Drejton korin e Shkollës Stigmatine. Vë në skenë “Ora e Shqipërisë” të At Gjergj Fishtës. (Julka kujton: “Kur nisa punën me “Ora e Shqipnisë”, për 100-vjetorin e Stgmatineve, thirra Bixhe Koliqin. Atë e kam parë me 1929, kur ka bërë Orën e Shqipnisë”. E thirra ta këndonte edhe një herë atë këngë para publikut. Por u kujtova se me 1939 këtë këngë te “Ora e Shqipnisë” e ka kënduar edhe Albina Dajçi. Atëherë, pra, për 100-vjetor i thirra të dyja. Kënduan si s’ka më mirë. Rolin e Zanave e interpretuan me dinjitet. (Julka më tregon disa fotografi rreth këtij aktiviteti. Pashë mallin e saj. I shpëtoi një lot, i cili pastërtisht i ndenji për disa çaste në faqen e skuqur.)
… duke kërkuar përsëri në vite
Julka është aktivizuar që në moshën 8 vjeç në Shkollën Stigmatine. Së pari me vjersha e pjesë të vogla në prozë. Si ‘aktore’ në këtë shkollë ka interpretuar në këto pjesë: *Elizabeta e Anglisë ’39, *Maria Stuart, *Ifigenia në Aulidë, *Miladinaçka (komedi). Po ashtu te *Ora e Shqipnisë (melodrama) në rolin e Zanës së Madhe.
*Ifigenija në Aulidë (dramë), Gj. Fishta, Bernardin Palaj, Ludovika Kiri, 05.05. 1929; interpretojnë: Bixhe Koliqi, Gjyzepina Shuli, Bixhe Kurti, Lizeta Mjeda, Terezina Koliqi. Kjo pjesë u shfaq edhe më 16.10. 1937; interpretojnë: Albina Dajçi, Gjigjeta Bazhdari, Julka Kakarriqi, Agetina Mirdita, Karmelina Shestani.
*E mira (dramë), V. Prendushi, L. Kiri, 23.02. 1935; interpretojnë: Ida Kraja, Karmelina Shestani, Agetina Daija, Julka Kakarriqi, Rregjina Krroqi, Albina Dajçi, Marije Rranxi, Marije Deda, Benardina Saraçi, Gjyljana Dionizi, Lizeta Krroqi, Gjigjeta Bazhdari. Kjo pjesë u shfaq edhe më 22.02. 1938.
*Zemër robneshë (dramë), V. Prendushi, A. Dragusha, 24.05. 1935; interpretojnë: Julka Kakarriqi, Albina Dajçi, Helena Todri, Kristina Shuteriqi, Çile Çeta.
*Fejesë me tallall (lojë gazi), Donat Kurti, Ester Dajçi, 13.06. 1941; interpretojnë: Pina Kola, Julka Kakarriqi, Mici Deda, Gjyzepina Kçira.
*Një burrë në konvikt (lojë gazi), V. Prendushi, E. Dajçi, 24.05. 1942; interpretojnë: Ida Kraja, Gjystina Doda, Julka Kakarriqi. (Këto shënime janë nxjerrë nga vepra në dorëshkrim e studiuesit Gjush Sheldia)
Në vitet që do vinin ajo do të interpretonte në…
- Djersë e gjak, 1945, regjisor Lec Shllaku. Roli Bija e Kontit Moreno. Morën pjesë: Loro Kovaçi (komandant), Julka Kakarriqi (n/komandante, e fejuarae tij), Zina Franja, Prenda Pali, Marije Deda, Leo Prela, Ndoc Deda, Ndoc Shllaku, Simon Harapi (sufler)
- E verbëta, 09.02.1945, regjisor Lec Shllaku. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (E Verbëta), Roza Shoshi (kamarierja), Antoneta Fishta (shërbyesja), Margarita Bojaxhiu, Pjetër Gjergji, Pistol Soja, Ndoc Deda, Paulin Lacaj, Çesk Vuksani, Gac Gavoçi, Beqir Sahatçia, Rrok Sheldia, Cin Lufi, Kolë Mirashi, Kel Dema, Lec Prendi,(punëtor skene), Lec Fishta (dekori).
- Tradhtari, viti 1948. Marrin pjesë aktorët që interpretuan tek drama “E verbëta”.
- Dasma shkodrane, 1947, nga A. Skanjeti. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (gruaja shkodrane), Neta Shllaku, Zef Jubani, Lin Gjonej, Klotilda Shantoja, File Gjeloshi, Pjetër Gjergji, Adem Kastrati, Gita Shllaku, Bik Ndoja, Ida Kraja, Ludovik Çiurçija, Antoneta Fishta, etj.
- Një pulë që këndon si gjel, autori Ton Shoshi. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (grua malësore), Ida Kraja, Kolë Shtjefni etj.
- Motorri , 1955, autori Kolë Jakova. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (nënë Leni), Lumnije Hoxha (e bija) etj.
- Fejesa, 1957, autor A. Skanjeti. Interpretojnë: Julka Kakarriqi (grua shkodrane), Veronika Pali, Domenika Veli, Rrok Sheldia, Gjovalin Çarkaxhia, Rrok Dajçi, Ferdinand Bushati, Xhina Ndocaj (Paskali).
- Andrra e 500 vjetëve, 1962, autor Andrea Skanjeti. Interpretojnë: Julka Kakarriqi, Luigj Mjeda, Çesk Doçi, Gjush Sheldia, Ndoc Deda, Çesk Jubani, Brahim Duka, Teufik Gjyli, Ëngjëll Ljarrja, Ndoc Prendushi, Dedë Suma, Kolë Shtjefni, Xhavid Tirana, Luigj Dajçi, Kel Koçobashi, Rrok Sheldia, Rrok Zadeja, Ndoc Radoja (sufler)
Julka dhe Teatri i Kukullave
Në vitin 1951 Julka është Drejtoreshë e Shtëpisë së Pionierit. Përveç rretheve të tjera, hapet edhe rrethi i teatrit të kukullave. Kukullat i punonte me karton Ndrekë Pali, instruktori i punës së dorës. Merrnin pjesë në role: Julka Kakarriqi, Ndrekë Pali, Tonin Harapi, Angjelin Dodmasej; këto ishin dhe punonjësit e Shtëpisë së Pionierit. Me atë thjeshtësi skenash dhe kukullash, fëmijët kënaqeshin, qeshnin dhe edukoheshin.
Me regjisorin Andrea Skanjeti Julka realizoi këto shfaqje: *”Lepuri” (1952, roli i dhelprës), *“Kazma dhe lopata” (1955, roli i lopatës), *”Tre kecat” (1957, roli i një prej kecave), *”Dhitë e egra” (1963, roli i një prej dhive), *”Gjumashët” (1967, roli i një fëmije), *”Çeta e vogël e Skënderbeut” (rolin e Skënderbeut), *”Guximtarët e vegjël” (rolin e një gjermaneje). Për të vazhduar më tej me shfaqjet: *”Arinjtë e gëzuar” (rolin e gjyshes), *”Zhgarravitësit” (rolin e një gruaje të sjellshme), *”Partizani dhe delja” (rolin e ujkut), *”Shpella e kreshnikëve” (rolin e dhelprës), *”Lepurush bishtpreri” (rolin e dhelprës), *”Festa në pyll” (rolin e dhelprës), *”Ermira e pyllit” (rolin e dhelprës), *”Kësula e korierit” (rolin e delfinit), *”Një ngjarje në hidrocentral” (rolin e mjekut), *”Dasma pa nuse” (rolin e partizanes), *” Vallja e bimëve” (autor: Tano Banushi; rolin e brigadierës), *”Zezaku i vogël” (roli: nëna e zezakut), *” Koha është flori” (rolin e librit), *”Partizanët e vegjël (roli: nana e partizanit), *”Trimi lepur” (rolin e dhelprës), *”Flakë në det” (rolin e një togeri fashist), *”Shtatë kotelet”, (rolin e gjyshes), *” Në shtëpinë e kecave” (rolin e dhelprës), *” Gjithmone gati!” (rolin e mësueses)
Ajo që të bie në sy në gjithë këto interpretime, si të thuash, vendin e parë e zë figura e dhelprës. (Kur e pyeta Julkën, - Si i jeni larguar përsëritjes? Ajo mu përgjigj: - Më besoni, një dhelpër nuk i ka ngjarë një dhelpre. Kam punuar shumë për të sjell një dhelpër që fëmijëve të mos u kujtohej dhelpra e mëparshme. Por në përfundim dhelpra është dhelpër. (qesh)).
Duke u njohur me historikun e teatrit të kukullave në vite, kanë dhënë kontributin e tyre si regjisorë: Në fillim ka qenë Andrea Skanjeti, më pas Jonuz Dini, Eda Gera, Kolë Kaftalli, Ikbale Çefa.
Një tufëz kujtime për shoqet e saj
Kjo grua me emrin Julka Darragjati (Kakarriqi) nuk më largohet lehtë nga mendja. Ruaj plot kujtime nga ajo intervistë afro 17 vjet më parë.
Julka!.. Në vitin 1945-1946 mori pjesë në transmetimet e Radio Shkodrës. I propozuan të ishte nëpunëse në atë institucion. Nuk pranoi. I pëlqente të ishte mësuese mes fëmijëve. Ndaj, dhe e ushtroi mësuesinë për afro 30 vjet.
Julka!.. Jetonte mes dhimbjes së ikjes të vëllezërve nga kjo botë dhe kujtimit të pafund për shoqet. Jetonte mes viteve të pleqërisë dhe trokitjeve të bastunit. Ato trokitje, sesi më ngjanin… si fjalë ende të pathëna…
Julka, që nuk harronte që, çdo njeriu në bisedë i falte një buzëqeshje siç dinte ajo: fisnike dhe njerëzore. Pas shumë vitesh, qyteti i saj i lindjes e nderoi me titullin: “Mirënjohja e qytetit”.
Julka!.. – dhe një tufëz kujtime për shoqet e saj, si mbyllje të këtij shkrimi.
Albina Dajçi: (Julka qesh e thotë: e kam shoqe)
Jemi të një moshe. Është prej një familje të mirë. E bija Luigj Dajçit. Më kujtohet në fëmijëri… Ishte qershor dhe ndezja e flakadajve. U ndeshëm të dyja midis zjarrit. Ajo u rrëzua në zjarr, e unë u munda me e shpëtue. Bile theu dhe këmbën. Shumë kohë qëndroi e sëmurë prej asaj këmbe. Ka qenë e bukur. Në dramën: “Elizabeta e Anglisë” ka pasë rolin e mbretëreshës. Unë isha kontesha. Tek “Maria Stuart” ka pasur një rol të dytë. Ka qenë më flokët kaçurrela, syzezë e vetullzezë e buzëqeshun gjithmonë. Alegro. E kishte në qejf teatrin. E kanë pasë thirrë, po nuk ka ndigjue… Më vonë… shpesh më thoshte: “Jul, edhe pse jam plakë, ba me m’dhanë ndonjë rol, kisha me ja lujt fenë. Ma mirë se njikto e baj, edhe rol plake kisha pranu”.
Gjigjeta Bazhdari: ka marrë pjesë në fillore kur kemi qenë jo në Stigmatine, po ishte në shkollë shtetnore “Luigj Gurakuqi”. Si fëmijë e kam nji fotografi. E kam gjetë aty. Shih ku je Gjigjeta- i them. E shkurtër. Ishte e shoqja Injac Nënshatit.
Ida Kraja: (qesh, përsëri, Julka) që në fillore shoqe klase. E shkëlqyeshme në mësime. Ka marrë pjesë që në dramat e para me Andrea Skanjetin. I luante bukur gjanat e me humor.
Rregjina Krroqi: ka marrë pjesë te “Elizabeta e Anglisë”. Te kjo pjesë kanë interpretuar: Urania Mozali, Marije Deda fytyrrumbullakët, me flokët kaçurrela. Ka qenë më e vogël se unë. Tip i qetë, e hajme.
Lizeta Krroqi: aktore e mirë, e shoqja e Pjetër Gjokës. Ka luajt te “Maria Stuart”.
Pina Kola: tip burrëror, më e madhe se unë, e gjatë. Mori pjesë në komedinë me murgesha me titull: “Një gru 50 vjeçare kërkon me u martue”. Unë dhe Gjyljana Kçira dona me i ba një lojë. Mendojmë: të vishemi si burra. Trokasim në derë. Mbajmë një fener në dorë. Kemi një shkop. Veshur me pantallona, pardesy, me kapelë republika. I trokasim disa here në derë dhe e thërrasim. -Miladinaçka! (Flasim kështu se nuk dimë gjuhën. Jemi angleze). -Po, nuse e bukur! – përgjigjet dhe vjen te dera dhe Gjyljana. Kur hapet dera, Pina në fillim nuk ka njeh, por… Te dyja i afrohemi dhe qeshim. Përqafohemi.
Ester Dajçi: e motra e Luigj Dajçit. Ka lindur në ish-Jugosllavi. Shkollën për murgeshë e ka kryer në Itali. Ka ardhë këtu për të dhënë gjuhë-letërsi. Ishte një tip serioz. Me një shikim të ngulshëm që e mbaje në mend. Nuk kishte nevojë me na bërtite kurrë, as me na thanë ndonjë fjalë... Vetëm shikimi i saj na bante me kuptue gjithçka. Ka qenë simpatike, e donin të gjithë. Ka qenë e zonja për drejtimin e aktiviteteve, të baletit, për koret.
Më kujtohet një herë: isha në vitin e tretë gjimnaz. Bënim italisht me një mësuese. Në orën e saj shpesh luanim teatro. Në atë orë mora një tufë kollomoqi dhe e vura si mustaqe. Shokët më shihnin e më qeshnin. E bëra disa herë. Më diktoi. “Ti Kakarriqi, drejt e te dera përballë Esterit!” – dhe më shikoi rreptë. Qava. Ra zilja. Esteri kur doli nga klasa, më shikoi një here, rreptas, dhe më tha me ton urdhërues: - Shko në klasë! Shkova dhe përsëri… qava.
Julka tregon përsëri fotografi… Tregon për Bixhen, por kësaj radhe për Bixhe Kurtin. I kishte flokët kaçurrela. Shumë e bukur! Kur ka dalë në skenë me at’ trup të bukur dhe zotnillëk, serioze dhe e veshur në mënyrë serioze, - ishte një mrekulli. Për çdo gjë jepte sugjerime e këshilla. Ka pasur një trup të rregullt. Dhe pse ishte plakë tiparet ende tregonin se ajo kishte qenë e bukur, e urtë, e butë, si dikur...
Shkodër, gusht 2017