Pas debateve mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Gent Gazhelit dhe botuesit Irfan Hysenbelliu, botues i News24, Balkanweb dhe Panorama, ‘Dogana’ ka dhënë versionin e tyre për ngjarjen.
Mediat në fjalë kanë nisur publikimin e disa shkrimeve sipas të cilave në doganë janë punësuar 4 njerëz me rekorde kriminale në Greqi. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Drejtoria e Doganave thotë se këto akuza janë publikuar edhe më parë, konkretisht në vitet 2018, 2020 dhe 2021. Në postim sqarohet se që në vitin 2018, kur është publikuar akuza e parë, katër punonjësit kanë depozituar dëshmitë e pastra të penalitetit, të cilat janë marrë nga autoritetet greke.
Drejtoria e Doganave shprehet se katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, por pasi autoritet greke kanë sqaruar rrethanat ata janë lënë të lirë. Drejtoria e Doganave thotë se kjo çështje është mbyllur që në vitin 2018, pasi nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon këto katër punonjës, ndërsa akuzat mbeten vetëm spekulime mediatike.
“Akuza e ditëve të fundit në media nuk është aspak risi. Kjo akuzë është publikuar për herë të parë në vitin 2018, më pas në 2020, 2021 dhe se fundi këto ditë. Që në vitin 2018, kur akuza u ngrit për herë të parë, katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave kanë depozituar pranë institucionit punëdhënës dëshmitë e pastra të penalitetit, marrë nga autoritetet greke dhe noterizuar në Shqipëri.
Sipas dokumentacionit të vitit 2016, katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, kur janë ndaluar nga autoritetet greke. Pas sqarimit të rrethanave dhe rolit të personave në fjalë ata janë lënë të lirë nga prokurorët dhe hetuesit fqinjë. Në kushtet kur nga njëra anë nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave dhe për sa kohë dëshmia e penalitetit në shtetin grek është plotësisht e pastër, çështja në fjalë është mbyllur që në vitin 2018, pavarësisht spekulimeve mediatike që vazhdojnë here pas here”, shkruhet në njoftim.
Debati i ashpër mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli dhe botuesit Irfan Hyseneblliu kanë nisur prej dy ditës, ndërsa është përfshirë edhe kryeministri Edi Rama.
Komente











