Akuzat e Enverit në mbledhjen e Byrosë: Kur do të arrestohej Feçori, Kadriu shprehu hezitimin se mos kjo Fiqrete Shehu, na fut në qorrsokak

Akuzat e Enverit në mbledhjen e Byrosë: Kur do të arrestohej Feçori, Kadriu shprehu hezitimin se mos kjo Fiqrete Shehu, na fut në qorrsokak

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë.

Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                  TEPËR SEKRET

 

KOMITETI QENDROR

                                                        PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU ENVER HOXHA: Është absurde të mendohet se Partia, mund të lejonte këshilltarët sovjetikë edhe në kohët më të mira të marrëdhënieve me ta, që këta të fundit, të silleshin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sikur ishin ata “të zotët e shtëpisë” dhe jo shokët tanë, që Partia i kishte ngarkuar me përgjegjësi në atë sektor.

Kështu u ndërtuan këto marrëdhënie thotë Kadriu, që kur ishte ministër Mehmet Shehu dhe kështu vazhdoi, po e njëjta praktikë kur erdha unë ministër. Kjo ndodhi deri në fundin e vitit 1960, kur shoku Enver më porositi që t’ju mbyll rubinetin këshilltarëve sovjetikë, e t’ju kufizojmë çdo informacion, deri në prerjen përfundimtare të çdo marrëdhënieje me ta dhe me organet e tyre.

Shoku Kadri, më kot mundohet që ta shpërndajë përgjegjësinë e tij kur, deklaron jo pa djallëzi se unë, vetëm nga fundi i vitit 1960 e porosita që t’ju mbyllte rubinetin sovjetikëve, domethënë se unë e dija se ç’bënin ata me “rubinetin” e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Jo vetëm unë si Sekretar i Parë, por as Hysniu që në rrugë partie, kishte lidhje me organet e diktaturës së proletariatit, nuk kishte dijeni që Ministria e Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, dhe Kadri Hazbiu me shokët e tij, ju kishin hapur sovjetikëve çdo dyer e penxhere, çdo sirtar e dosje. Kështu është e vërteta, kurse ajo që thotë Kadriu, është një gënjeshtër.

As që mund të më shkonte ndërmend nga ajo që lexuam, që në mes organeve tona të Sigurimit të Shtetit dhe atyre të KGB-së sovjetike, e të disa vendeve të Demokracive Popullore, të ishte vendosur një “koordinim” dhe “bashkëpunim” i tillë, aq sa rezidentët tanë jo vetëm që ju kishin bërë të njohur bashkëpunëtorët e tyre në këto vende, nga radhët e studentëve civilë dhe ushtarakë por, edhe jua kaluan atyre në lidhje, etj.

Kjo gjendje, ishte e vazhdoi deri në vitet 1960-1961, derisa me këto vende, u ndërprenë marrëdhëniet dypalëshe. Merreni me mënd se ç’gjendje e rëndë u krijua për bashkëpunëtorët e Sigurimit tonë, në vendet kapitaliste e revizioniste. Ne u ndodhëm krejt zbuluar, dhe në momente shumë të vështira, pasojat e së cilës i vuajtëm më vonë në vitet 1973-1975, gjatë komplotit ushtarak, etj.

Por po i vuajmë dhe tani, pas zbulimit të veprimtarisë agjenturore të Mehmet Shehut, e ndoshta do t’i vuajmë edhe më vonë. Shoku Kadri, thotë se që nga vitet 1961-1962 por, edhe më vonë, është nxjerrë lista e të gjithë studentëve që ishin të tillë. Jam i bindur, thekson ai, që këtë çështje e kam ngritur tek Sekretari përkatës i Komitetit Qendror, përveçse tek tradhtarët Mehmet Shehu e Beqir Balluku.

Që j’ua ka ngritur atyre këtë si çështje, s’kam përse ta vë në diskutim. Ata ishin nxitësit dhe përgjegjësit kryesorë për këto marrëdhënie të shtrembëruara e të rrezikshme, për Partinë dhe shtetin tonë. Kurse përsa i përket informimit të Sekretarit të Komitetit Qendror, kjo nuk është e vërtetë.

Kadriu, ka përgjegjësi të rëndë që këtë çështje serioze, nuk e ngriti në udhëheqjen e Partisë, e theksoj të Partisë (në aparatin e Komitetit Qendror deri në 1975, nuk është bërë fare fjalë për këtë). Hysniu ka vdekur, por ka lënë dokumentin me shkrim që në 1975, habitet për këtë gjendje, dhe që e merr vesh rastësisht nga persona të jashtëm. Unë, jam gjallë dhe nuk di gjë.

Mehmet Shehu, me siguri dinte por kur çështja doli në shesh ai, me letër-përgjigjen e tij, shokut Hysni Kapo (në 1975), flakë për flakë po atë ditë, ia hedh në kurriz shokut Kadri dhe lan duart si Ponc Pilati. Madje nënvizon se, duhet informuar sa më parë shoku Enver. Këto dokumente, i’u dërguan shokut Kadri. Si nuk u revoltua ky që shoku Hysni, “habitet” dhe “harron” ndërsa Mehmeti, lan fare duart, dhe as e ka ditur kurrë për një çështje të tillë?!

Përse Kadriu nuk erdhi tek unë të më sqaronte, këtë çështje të madhe e delikate, të sqaronte dhe pozitën e përgjegjësinë e tij?! Ngjajnë komplotet njëri pas tjetrit, që nga 1973 e, deri në 1975, në art-kulturë, ushtri, dhe ekonomi.

Tërë komplotistët, u akuzuan dhe si agjentë të amerikanëve, sovjetikëve, etj. Sidomos në ushtri, neve na u desh që, të bëjmë një qilizëm të thellë tek ushtarakët, tek gjithë ata kuadro të vjetër të luftës, që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, dhe që ishin implikuar në komplotin e tezave të zeza, etj.

Vetëm pak futëm nëpër burgje, të tjerët i zhveshëm, i transferuam, i nxorëm në pension, etj. Si nuk i shkoi ndër mënd shokut Kadri, të vinte e të na thoshte se shumë nga këta kuadro, në mos të gjithë janë në listat që, ju keni dhënë sovjetikëve dhe ata, mund t’i kenë shfrytëzuar për t’i futur në rrugën e tradhtisë.

Shoku Kadri, bën konstatimin që si rezultat i punës agjenturore të specialistëve sovjetikë në Ministrinë tonë të Punëve të Brendshme, gjithë agjentura jonë në vendet e huaja, është në rrezik. Natyrisht për këtë, bie një përgjegjësi e madhe mbi Ministrin e Punëve të Brendshme që, e ka zbatuar këtë praktikë të keqe, pa pasur asnjë udhëzim të tillë nga udhëheqja e Partisë.

Ai, mund të ketë pasur udhëzime nga Mehmet Shehu ose nga Beqir Balluku, këtë e di Kadriu, ndërsa ne nuk e dimë. Por fakti është që agjentura jonë në vendet e huaja, është një rrezik të madh. Aktualisht ajo, është bërë një agjenturë e dyfishtë, ose e trefishtë, e CIA-s amerikane, e KGB-së sovjetike, ndoshta dhe e UDB-së jugosllave.

Neve kjo agjenturë, na dezinformon, ndërsa sovjetikët, jugosllavët, dhe të tjerët, i informon mbi ato se çfarë kërkojmë ne. Ndërsa se çfarë kërkojnë ata, na i servirin të ngrohta duke na futur në një rrugë qorre. Prandaj duhet të ndërrohet krejtësisht agjentura jonë e vjetër, ose të merren me vigjilencën më të madhe të dhënat e tyre, të kihet një dyshim i madh në të dhënat që japin ato dhe jo t’ju zëmë bese në mënyrë të verbër.

Se duhet të kuptohet që tani, ne i kemi futur ato në udhëkryq që, ju shërbejnë të tjerëve dhe jo neve. Në këtë mënyrë, sikurse është punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, vetë vetiu të kap dyshimi se, përveç krerëve që kemi në burg, mund të ketë dhe nëpunës të tjerë që janë futur në rrugë të keqe dhe në lidhje të dyshimta me sovjetikët, që punonin bashkë me ta.

Agjentët e KGB-së, nëse u lihej një besim i tillë, është e natyrshme që, do të vepronin më parë brenda në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por njëkohësisht edhe jashtë, kur ju ishte lënë një fushë e lirë veprimi. Në fakt, që Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, e Feçor Shehu, janë agjentë të KGB-së e të shërbimeve të tjera sekrete, këtë e kanë pohuar edhe vetë.

Ne, nuk mund të dyshojmë tek të gjithë kur nuk kemi fakte. Por kjo miqësi e ç’thurur dhe ky familjaritet i madh me këshilltarët sovjetikë, që punonin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe njerëzve tanë të këtij dikasteri, familjaritet i mbuluar me vellon e “miqësisë së pavdekshme me Bashkimin Sovjetik”, na ka dëmtuar rëndë.

Por ne, do të punojmë me prudencë të madhe, do të jemi vigjilentë, dhe do të marrim masa që Ministria e Brendshme, të rigjenerohet shpejt me kuadro të rinj, të pastër, e të vendosur.

Kuadrot e vjetër për punën e mirë që kanë bërë, të respektohen ndërsa ata që kanë mbushur moshën, të dalin në pension, të tjerët të punojnë në sektorë më pak të rëndësishëm të shtetit. Kadri Hazbiu, e dënoi vetëvrasjen e Mehmet Shehut, si akt armiqësor dhe vetë atë si armik të egër, ashtu siç e cilësoi e gjithë Partia.

Siç e theksova dhe në fillim, unë nga Kadriu, prisja dhe kërkova që ai ta ndihmonte më shumë Partinë. Siç e pohon dhe në autokritikën e tij, tani më shumë në këtë mbledhje unë, e kisha njohur dhe me të dhënat që vërtetonin se kush ishte ky nga e kaluara si agjent komplotist.

“Kjo, thotë ai, më ndihmoi për të krijuar një vizion të plotë se këtu nuk ishte fjala për çfarëdo lloj veprimtarie por, për një punë agjenturore të mirëfilltë të Mehmet Shehut, si krye agjent të vjetër në aktivitet”. Megjithatë ai, pohon më poshtë: “Unë kisha besimin se Mehmet Shehu, nuk mund të kishte një rrjet mbështetjeje aq të gjerë e të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me përjashtim të Feçor Shehut, e ndonjë tjetri si ky”.

Kjo që thotë ai, nuk përbën ndonjë arsyetim logjik. Pse të mendonte kështu shoku Kadri, nga ato që po na dëgjonin veshët nga armikja Fiqrete Shehu e, të tjerët?! Kritikën që ti i bëre Mehmet Shehut në Byro, e kemi quajtur të mirë (madje disa, të paskan bërë edhe lëvdata). Por unë dua të theksoj se nuk është e vërtetë që Kadriu, e realizoi rrezikshmërinë e Mehmet Shehut, kur ky i fundit vrau veten.

Këtë rrezikshmëri Kadriu se ka realizuar, ose s’ka dashur që ta realizojë dhe mjaft kohë pas vetëvrasjes, kur po zbulohej rrjeti agjenturor i Mehmet Shehut. Jo vetëm autokritika e parë e tij, ishte krejt e përciptë dhe e vakët, pa analiza të përgjegjësive, por përkundrazi, me deklarata pompoze, për besnikëri ndaj Partisë, etj.

Ai, nuk reflektoi më tej, dhe jo vetëm që nuk u tregua i çiltër, siç ju kërkua nga unë, për të ndihmuar shokun Hekuran Isai më nga afër, por ai, shfaqi disa hezitime që u përmendën edhe këtu dhe që më shtynë në mendime. Në një kohë që Fiqrete Shehu, po pohonte planet kriminale të Mehmet Shehut, e të bashkëpunëtorëve të tij si Feçor Shehun, Kadriu shprehu mendimin se Fiqrete Shehu ishte një element antiparti (kur ajo e kishte pohuar vetë që ishte agjente).

Kur do të arrestohej Feçor Shehu, ai shprehu hezitimin se: “mos kjo Fiqrete Shehu, na fut në qorrsokak” si dhe kur po merreshin masa pushimi e transferimi për disa kuadro që kishin gabuar rëndë në Ministrinë e Punëve të Brendshme Kadriu, shprehu mendimin tek unë se mos shoku Hekuran po nxitohej, pasi nga të dhënat e tij tek kuadrot e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kishte tulatje dhe demoralizim.

Përse këto hezitime nga shoku Kadri?! Përse këto sugjerime për të pasur kujdes për Fiqrete Shehun, Feçor Shehun, e kuadrot e kompromentuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në një kohë kur ai duhet të bëhej copash për t’ju shkuar gjërave deri në fund?!

Këto qëndrime hezituese dhe këto dy tre fakte që po analizojmë, që kanë ngjarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me dijeninë e shokut Kadri, ma lëkundin besimin në sinqeritetin e tij. Këto qëndrime nuk janë të drejta, nuk janë marksiste.

Këto dokumente e veprime, nuk janë bërë pa dijeninë e Kadriut, sikurse përpiqet ai që ta justifikojë në autokritikë dhe në këtë mbledhje, duke thënë se janë bërë pas shpinës së tij si p.sh., letra e Llambi Peçinit, që është firmosur në emër të tij, por kopja, “nuk mban siglën e tij”, sipas zakonit që ka pasur.

Por Kadriu, është kuadër i vjetër i Sigurimit të Shtetit dhe e di sesi mund të veprohet në këto raste. Mungesa e siglës, nuk është provë që ai s’kishte dijeni për këto letra e informata që jepnin vartësit./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë