Tashmë analiza ime se Shqipëria është në një proces të ngjashëm me “Mani Pulite” në Itali dhe që e kam quajtur “Mani Pulitet” shqiptare, po vërtetohet çdo ditë që kalon! Ata që nuk duan ta pranojnë e bëjnë nga halli politik ose nga rrethana të tjera. Madje, unë kam përshkruar duke ju referuar atij italian dhe fazat që po kalon në Shqipëri duke thënë se finalja do të jetë “të gjithë kundër të gjithëve”, “të gjithë do të akuzohen e do të akuzojnë të gjithë” dhe përfundimi është rënia e kësaj klase politike duke shënuar kështu edhe rënien e “Republikës I” të tranzicionit dhe fillimin e “Republikës II”, me aktorë të rinj, subjekte të reja politike e ndoshta edhe një strukturë të re kushtetuese të vendit.
Duke qenë se po shkohet drejt fazës finale të “Mani Pulite” shqiptare, sepse ngjarjet bëhen me interesante, tensionet rriten dhe do të fillojnë të tradhtojnë njëri-tjetrin në një garë se kush denoncon më parë dhe kë.
Faza përfundimtare e këtij procesi, ka shumë gjasa që të jetë një tokë e “djegur” duke paraqitur nevojat imediate për lidership të ri, sidomos në kampin opozitar, i cili duhet të jetë pretendent për të marr pushtetin. Realiteti aktual opozitar, përtej atyre që janë të destinuar të jenë pasoja kryesore e procesit, nuk ka aktualisht ndonjë figurë reale premtuese edhe pse sinjalet janë. Mbyllja e procesit është një proces kompleks që nëse marrin rastin e Italisë është i destinuar të marr me vete në kuptimin figurativ politik edhe ata që janë më pak fajtor ose nuk janë fare.
Megjithatë, nëse marrin rastin e Italisë, në atë kohë kishte dalë në skenë “Lidhja e Veriut” e Bosit e cila jo vetëm që nuk u dogj politikisht bashkë me të tjerët që përbënin panoramën politike, por mbijetoi dhe sot vazhdon të jetë një forcë qeverisëse nën drejtimin e Salvinit. Kështu, ka gjasa që ndonjë subjekt rishtas i ri opozitar që mori pjesë në zgjedhjet e fundit t’i mbijetojë procesit e të mbetet një faktor politik edhe në të ardhmen, ndoshta jo në vlera dominuese kryesore, por si faktor që do të merret në konsideratë dhe që do të diktoj situatat politike të ardhmes.
Ajo që i mungon Opozitës është një figure të fortë publike, karizmatike, e pa konsumuar që do të fitonte zgjedhjet. Situata aktuale politike në vend, nëse do të ecin me logjikën e shumicës se Spak është rezultat i SHBA, atëherë nëse kjo është e vërtetë, mund të kemi edhe surprizat krejt të papritura politike. Nëse është kështu siç thuhet dhe është thënë, ka shumë gjasa që me mbarimin e mandatit si drejtues i Spak, amerikanët t’i kërkojnë Dumanit që të hyjë në politikë. Në fakt, një rast të ngjashëm e kemi pikërisht në Itali, ku njëri nga prokurorët kryesor të “Mani Pulite”, Di Pietro hyri në politikë, duke qenë një faktor për disa vite, por pa arritur të jetë lideri kryesor i realitetit politik.
Dumani, ndoshta mund të ketë pasionin e tij të madh për Drejtësinë e ka shumë gjasa të vazhdojë të jetë në radhët e Spak edhe pas mbarimit të mandatit si drejtues. Megjithatë, për shkak të rolit që ka pasur, mendoj se vazhdimësia e tij në drejtësi në një rol jo në plan të parë nuk do të jetë më frymëzuese për të.
Ndoshta, amerikanët e kanë ndarë mendjen bashkë me europianët për të bërë një pastrim të fortë dhe real të sistemit politik në vend dhe ndoshta përtej drejtësisë, me dimensione të ngjashme duan të krijojnë edhe realitetin politik. Pra, mund ta mendojnë se një si Dumani në politikë dhe me një Spak të fortë gjërat mund të ndryshojnë në Shqipëri.
A do të zgjedhë Dumani të hyjë në politikë? Mendoj se karizma e tij dhe figura e lartë e tij publike do e mundësonte hyrjen në politik! A do të ketë sukses nëse do të hyjë? Këtë nuk mund ta parashikoj! Megjithatë, realiteti politik në vend mbetet shumë kompleks e me shumë të panjohura.
Komente











