Nuk dihen burimet, por në mediat shqiptare dhe në ato greke ka pak nervozizëm në këto kohë: Disa grekë irritohen menjëherë me disa batuta të kryeministrit shqiptar, ndërsa në Shqipëri vrapojmë të themi se “Greqia do të vendosë veton e saj për të ndarë udhëtimin e integrimit të Shqipërisë me Malin e Zi”... Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Kyriakos Mitsotakis, me shpejtësi bënë sqarimet përkatëse dhe vlerësimet reciproke, duke bërë të ditur se dinë të kapërcejnë mbi ndasitë.
Dhe në të vërtetë është kjo fryma që duhet mbajtur mes dy vendeve: Kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se na ndajnë. Fizike, por dhe shpirtërore; emigrantët tanë në Greqi, shqiptarët e lindur atje dhe grekë të lindur këtu, artistët tanë që krijojnë dhe këndojnë bashkë, dy shkrimtaret tona moderne dhe të talentuara Lea Ypi dhe Ani Wilms që për koinçidencë apo kushedi pse, në dy librat e tyre të fundit shtjellojnë marrëdhënie të familjeve shqiptare me Janinën, Selanikun e Korfuzin para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si të ishim një e të pandarë. Ato gjëra që na ndajnë, si çështja çame, kolaboracionizmi apo jo me pushtuesit, ligji i luftës, janë plagë që qëndrojnë sa në zemra shqiptare, po aq edhe greke, të cilët, ndjejnë brenda tyre kontributet e fqinjëve më të vegjël, por botërisht të njohur si të guximshëm, që në kohët e arvanitasve. E mira, e drejta dhe e vërteta mbetet përherë si një farë që nga zemrat e njerëzve një ditë e sheh dritën e diellit, pavarësisht pengesave dhe asfalteve që vihen përsipër nga disa.
Dhe qëlloi po këto ditë, një vizitë e veçantë e Fortlumturisë Joan në Bruksel, ku në gjithë takimet e mbajtura me personalitete atje, filli i kuq i të gjithë takimeve ishte: Që është mirë dhe sa më shpejt që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së. Takimet janë pasqyruar si te Shqiptarja, ashtu dhe në media të tjera me përpikmëri dhe hollësi.
Ndërsa përkujtohej 1 vit i largimit të Anastasit të shqiptarëve, siç e quajnë shumë tashmë Janulatosin, e ndërsa para europianëve në Bruksel Fortlumturi Joani numëronte kishat e rindërtuara, shkollat, universitetin, ndihmat ekonomike dhe kontributin për rimëkëmbjen shpirtërore dhe njerëzore, paralelisht, nënkuptohet se një grek i ndriçuar i bëri të mundura të gjitha këto krah për krah me miqtë e tij shqiptarë, duke rrëzuar ai dhe bashkëpunëtorët e tij të parët, kufijtë e paragjykimeve dhe të përcaktimeve që nacionalistë të sëmurë japin dhe na japin sa herë shohin që gjërat mes nesh shkojnë mirë.
Ka shumë punë të thella dhe të mrekullueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë, por lulëzimi dhe qytetaria e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, kontributi i saj në harmoninë dhe në diturinë e shumë brezave të rinj, është guri i çmuar që dëshmon se po: Shqipëria duhet të shkojë pa pengesa dhe nervozizëm drejt asaj shtëpie që u nis ta çonte Heroi yne Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, Nënë Tereza, Kadare, te Anastasi i shqiptarëve, ky ortodoks greko-shqiptar që dergjet në kriptën e Katedrales së Ngjalljes, në zemër të Tiranës.
Komente










