Ka një problem të madh për shumë vende të demokracive perëndimore në lidhje me qasjen që kanë qytetarët ndaj politikës dhe ndaj pushteteve. Komunikimi është bërë aq shumë intensiv aq sa kam një thënie timen se: “Kemi kaluar, të paktën ne shqiptarët nga uria për informacion në nevojën urgjentë për pak dietë informacioni”! Dikur s’kishim farë të drejtë të informoheshim, pasi gjithçka ishte e kontrolluar dhe ekzistonte edhe neni i njohur në kujtesë 55 e ndërsa sot kemi një boom informacioni, dhe shpesh e kemi të vështirë të gjejmë informacionin korrekt dhe të drejtë!
Boom i informimin na e bën thuajse të pamundur që të kemi kohë për shkak të jetës me ritme të shpejta t’i lexojmë ose t’i marrim të gjithë informacionet e shpesh nuk dimë se as kënd të zgjedhim. Ky informim me intensitet të lartë ka rritur mundësinë e demagogjive dhe me rritjen e këtyre të fundit është rritur edhe indiferenca e qytetarëve ndaj politikës, sepse këtë fundit nuk e konsiderojnë si të vërtetë dhe për pasojë nuk e konsiderojnë si një aktivitet që është në mbrojtjen e tyre.
Kemi një rritje të lartë të indiferentizmit të qytetarëve ndaj politikës edhe në vendet perëndimore me traditë të hershme demokratike. Kjo është akoma edhe më e madhe në një vend si Shqipëria që vazhdon të konsiderohet në tranzicion.
Gjithashtu, e kam thënë shpesh, se ka ndryshuar qasja ndaj protestave dhe kjo ka ndodhur që me zhdukjen e partive të masave. Pothuajse në asnjë demokraci perëndimore nuk janë më partitë që organizojnë protesta e për më tepër që të konsiderohen masive. Tashmë protestat janë e drejtë ekskluzive e qytetarëve ose të grupeve të ndryshme të interesit dhe më së shumti kohët e fundit po protestojnë agrikultorët ose punëtorët e fabrikave.
Protestat e një vendi nuk mund të kuptohen dhe të interpretohet jashtë dimensionit social e demografik që ka ai vend. Sipas statistikave të fundit, 70% e shqiptarëve që kanë emigruar në vitet e fundit janë nën 40 vjeç! Pra nga Shqipëria ka ikur krahu i punës dhe është pikërisht kjo fashë moshe që duhet të protestojë për kushte pune, çështje studimi dhe për arsye ekonomike. Këta tashmë nuk kanë pse të protestojnë në Shqipëri, sepse vendin e punës e kanë siguruar jashtë, familjen e kanë krijuar jashtë dhe po ashtu sistemin e banimit e kanë bërë jashtë. Këta nuk jetojnë në Shqipëri dhe nuk kanë pse të protestojnë. Pjesa tjetër që jeton në Shqipëri ka një qasje tjetër ndaj pushtetit, sepse ka një marrëdhënie ekonomike punësimi ose një aktivitet dhe për pasojë nuk ka nevojë të protestojë dhe as nuk ka privilegjin të dal kundër pushtetit. Ndërsa pjesa tjetër janë pensionist dhe nuk është se ka pretendimi karriere ose të natyrës ekskluzive ekonomike.
Në planin politik, problem kryesor që shqiptarët nuk protestojnë masivizisht është edhe fakti, sepse ata nuk gjejnë një model e diferencës mes Opozitës dhe Pozitës, por shikojnë vetëm modele krahasuese e të ngjashme e për pasojë kanë rritur indiferentizmin ndaj klasës politike pa bërë dallime mes pushtetit de facto dhe atij de jure, sepse të parin e gëzojnë të dy krahët e politikës e ndërsa të dytin vetëm shumica.
Rumania dhe Bullgaria është pikërisht Diaspora ajo që ka bërë ndryshimet e mëdha duke shkaktuar përmbysje politike. Ndoshta tani që shqiptarët kthehen për festat e fund vitit mund të dalin të protestojnë për një Shqipëri më të mirë, por duhet të ishte një iniciativë spontane pa pasur asnjë forcë politike nismëtare. A do të ndodh kjo tani? Gjasat janë të pakta, sepse Diaspora shqiptare është e lodhur nga politika dhe është larguar prej saj nga Atdheu duke marrë me vetë doza të konsiderueshme urrejtje.
Komente












