Gastronomia shqiptare u prezantua në një prej institucioneve më elitare të hoteleri-turizmit në botë, gjatë një mbrëmjeje të organizuar nga Albchef në ambientet e École hôtelière de Lausanne (EHL) në Zvicër. Eventi u realizua në bashkëpunim me GIZ Albania dhe me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Zvicër, duke sjellë në qendër të vëmendjes traditën shqiptare të kuzhinës dhe verërave në një skenë ndërkombëtare me reputacion global. Të ftuarit patën mundësinë të përjetonin një eksperiencë autentike shqiptare të kuruar nga shefat e njohur Sokol Prenga, Bledar Koçibelli dhe Oltion Veshi, të cilët sollën një interpretim modern të shijeve tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova. Darka u shoqërua nga verërat e kantinave shqiptare Balaj, Caco dhe Menea, vera e bardhë Labi nga Kosova për aperitivin, si dhe rakia ODA nga kantina Melesin, duke prezantuar para publikut ndërkombëtar cilësinë dhe potencialin e produkteve shqiptare të enogastronomisë.

Organizatorët e konsideruan këtë event si pjesë të një misioni më të gjerë për të promovuar identitetin shqiptar përmes gastronomisë dhe mikpritjes, sektorë që po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi në diplomacinë kulturore dhe industrinë globale të turizmit. Duke folur gjatë aktivitetit, Ismail Ademi nga Albchef theksoi se prezantimi i kuzhinës shqiptare në institucione ikonike si EHL Lausanne është një mundësi e rëndësishme për të krijuar një imazh të ri ndërkombëtar për Shqipërinë dhe Kosovën. “Kur kuzhina shqiptare prezantohet në institucione me reputacion botëror si EHL, ajo bëhet ambasadorja më e mirë e kulturës dhe mikpritjes sonë. Këto iniciativa tregojnë potencialin e jashtëzakonshëm që kanë gastronomia dhe profesionistët shqiptarë për të konkurruar denjësisht në arenën globale”, u shpreh Ademi. Ai shtoi se Albchef do të vijojë edhe gjatë këtij viti me iniciativa ndërkombëtare për promovimin e kuzhinës shqiptare, pas suksesit të edicionit të parë të festivalit “Albite” në Tiranë. Sipas tij, gjatë muajit nëntor do të organizohet edicioni i dytë i “Muajit të Kuzhinës Shqiptare në Botë”, me më shumë se 50 aktivitete në vende të ndryshme, duke angazhuar shefa kuzhine, restorante dhe profesionistë shqiptarë të HoReCa-s në diasporë për të promovuar kulturën dhe produktet shqiptare në skenën ndërkombëtare.