Alfred Moisiu: Rrotacion, të ikë
Berisha, të provojmë Edi Ramën

Alfred Moisiu: Rrotacion, të ikë<br />Berisha, të provojmë Edi Ramën
TIRANE - Ish presidenti i Republikës Alfred Moisiu në intervistën e djeshme në “Airport” (foto) përballë gazetares Anila Basha, u shpreh hapur për rrotacionin politik. Ai tha se duhet të provohet Edi Rama, e ndërkohë forcat politike duhet të gjejnë zgjidhje për të forcuar shtetin. Moisiu dha idenë e largimit të Berishës nga PD, duke deklaruar se e ka kthyer atë nga demokratike, në një parti familjare. Ish presidenti u bëri thirrje qytetarëve të shkojnë të gjithë në votime; të vrasin frikën dhe të kërkojnë ndryshimin për jetët e tyre. Lidhur me vendimin për shkarkimin e tre gjeneralëve, ish presidenti u shpreh se kjo ka një prapavijë remineshencas të situatave të kaluara më parë, që nga viti 1997.

Zoti President, nga mbarimi i mandatit tuaj e deri tani, si e shikoni Shqipërinë, është bërë më e mirë apo më e keqe, në sensin e përgjithshëm?
Duhet të them se shteti shqiptar ka shkuar drejt një rënieje. Ka shumë arsye sigurisht, por një nga arsyet që mendoj si më kryesoren është se shteti nuk drejtohet me telefon, por drejtohet me ligje dhe me Kushtetutë. Ne po nuk arritëm ta ngremë shtetin shqiptar ashtu si duhet, si e kërkon Kushtetuta, si e kërkon BE, si e kërkonë SHBA, e siç e kërkon dhe vetë populli shqiptar, besoj se do të kemi shumë vështirësi të mëdha përpara. Unë besoj me sinqeritet që shqiptarët duke dashur të kenë një shtet siç i ka hije Shqipërisë, do t’a bëjnë këtë në zgjedhjet e 23 qershorit. 

Edhe për votën do të flasim, por të vazhdojmë pak me shtetin. Kjo deklarata juaj, “shteti nuk drejtohet me telefon” është e fortë, por ndoshta jo me telefon, por brenda një dite e një nate u bënë ndryshimet e Kushtetutës?
Kjo ka qenë fatale. Unë që në atë kohë jam prononcuar hapur dhe jam bërë pjesë e një lëvizjeje që ishte kundër këtyre ndryshimeve dhe që kërkonte që këtë problem ta çonte në Gjykatën Kushtetuese. Kam mbështetur edhe grevën e deputetëve të LSI. Për fat të keq dhe për çudinë time, pati disa prononcime të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë që ishin pro këtyre ndryshimeve. Unë nuk e di ku bazoheshin ata, e kishin studiuar apo thjesht për pëlqim, por një gjë është e sigurtë, ato ndryshime e dëmtuan akoma më shumë shtetin shqiptar. Sepse u cënua pikërisht ajo që është baza e një shteti demokratik, ndarja e pushteteve.

Dhe sot ne kemi një centralizim të habitshëm, antidemokratik, të palejueshëm të pushteteve. Në rast se ju kujtohet kur është bërë kalimi i pushtetit të PS tek PD në 2005, unë kam mbajtur një fjalim ku kam thënë: Ndërrimi i pushtetit nuk është ndërrimi i shtetit. Disa nuk e kuptuan, disa nuk e pëlqyen, disa e sulmuan. Por unë e thashë, duke parandjerë një frymë të tillë që bie me atë që quhet shtet. E dhashë këtë alarm dhe për fat të keq, ndodhi ajo që unë kasha frikë se do të ndodhte, që pushteti iu turr shtetit dhe pushteti plus shteti u barazuan në një. 

Ju i keni parë këto shenja që atëherë, dhe keni qenë ndër të vetmit president që i keni mbjatur liderët 24 orë të mbyllur në presidencë për çështjen e çertifikatave, gjë që me thënë të drejtën nuk ka ndodhur më...
Me thënë të drejtën, ne e gdhimë gjithë natën, ishin të gjithë drejtuesit e partive politike parlamentare, me përjashtim të Berishës, që kishte dërguar Topin. Unë kur i mblodha u thashë, zotërinj do të largohemi nga kjo godinë, kur të lëshojmë tymin e bardhë siç ndodh në Vatikan… 

Duhet të shpresojmë dhe të pretendojmë që nga presidenca e sotme të dalë një lloj tymi i bardhë për të qetësuar disi terrenin?
Unë mendoj se kur ka probleme politike, dhe politika acarohet, dikush duhet të ndërhyjë, dikush që e ka vënë kushtetuta mbi palët dhe ky është kryetari i shtetit, Presidneti i Republikës. Eshtë një nen në kushtetutë që e detyron presidentin të bëjë pjesën e tij, sepse presidenti përgjigjet për unitetin e popullit dhe në këto raste kur dasitë politike marrin përmasa që rrezikojnë unitetin, atëherë është e nevojshme që duhet një arbitër dhe ai duhet të jetë presidenti.

Me sinqeritet i jam drejtuar disa herë presidentit Nishani…Unë e di që është e vështirë, nuk është e lehtë, sepse politikanët tanë janë shumë kryeneçë, dhe shohin shumë interesat partiakë, duke lënë mënjanë intereat e vendit. Kurse presidenti është i detyruar të shohë interesat e vendit. Unë kaq vjet, ata që kanë lindur në ’91, sot janë bërë burra dhe prapë Shqipëria është si një karrocë që e tërheqin kuaj të tërbuar njëri andej, tjetri këtej e nuk lëviz nga vendi. 

Mua kjo më dhemb. Disa mund të mos jenë dakort, duke thënë se e bëre pjesën tënde…Kjo është krejt gabim. Në fakt gabimi ka nisur që në fillim, kur menduam se erdhi demokracia, e lamë në vetrrjedhje. Ne s’kishim politikanë të përgatitur, me përjashtim të atyre të nomenklaturës e sigurisht që nga ajo pjesë do të dilnin një pjesë e politikanëve. Kishte njerëz që i hynë politikës se donin të kontribuonin, por mes tyre kishte edhe nga ata që donin thjesht pushtet. Ishin arrivistë, donin të gllabëronin çdo gjë dhe me thënë të drejtën, ekonomia jonë e demokracia jonë mori një rrugë jo të drejtë. 

A janë këta njerëz që ju konstatoni në këto fillime, janë aktivë në politikën e sotme?
Pikërisht unë e kam thënë edhe herë te tjera; nëse do të shohim në rajon asnjë nuk ke të këtyre viteve në politikën aktive, në poste kryesore, as në Maqedoni, as në Kroaci, Serbi etj. Pse? Sepse çdo periudhë ka njerëzit e saj, është një kërkesë e zhvillimit. Kjo për mendimin tim është një nga arsyet që ne na mban prapa, që na frenon. Secili ka dhënë një kontribut, por për këtë kontribut që ke dhënë dikur nuk mund të pengosh sot zhvillimin e vendit. 

Më duket nga kjo që thatë z.President, se e keni fjalën në mënyrë eksplicide për z.Sali Berisha?
Praktikisht ai ka mbetur, si më kryesori. Por nuk është problem që mbetet, apo çështja e moshës. Mosha ka ndikimin e saj, por barrën e ka mentaliteti i individit, predispozicioni që ka, nëse sakrifikon për vendin je i dobishëm, por nëse punon vetëm për familjen tënde, për partitë tënde dhe për të mbajtur pushtetin me thonj, atëherë….

Sali Berisha i ka këto karakteristika?
Unë mendoj që ka defekte të rënda. Dhe pikërisht për këtë arsye ka ardhur koha për rrotacion, duhet ta lëshojë vendin forcave të reja që vendi të ecë përpara. 

Z. President dua t’ju pyes për një vendim shumë të diskutueshëm në mes të fushatës elektorale. Shkarkimi i tre gjeneralëve. Ka pasur shumë komente, deri në një dyshim se kryeministri po kërkon të kthejë situatën e ’97? Eshtë gjendja kaq serioze? Ju lutem e dua këtë përgjigje si ish-ushtarak dhe ish-president…
Unë jam befasuar, që nga mënyra se si u bënë këto ndryshime, sepse ne kemi gjithsej 10 apo 11 gjeneralë e në mënyrë të rrufeshme, tre dalin në lirim. Nuk e kam të qartë pse dolën…Të krijohet përshtypja se ushtria po përgatiste ndonjë grusht shteti. Aq më tepër që ne jemi pjestarë të NATO-s dhe këto veprime janë shumë kompromentuese. Për fat të keq ushtria shqiptare ka qenë përherë viktimë e politikës, që mbas çlirimit, gjithmonë ushtria ka paguar. Megjithëse ushtarakët kanë qenë dhe do të mbeten njerëzit më të përkushtuar, njerëzit më të ndershëm, më patriot dhe njerëzit që punojnë pa kursyer. 

Po pse ndodhi kjo. Nuk ju duket se ka një lidhje, gjenerali që mbulon forcat në terren dhe eprori zv.shefi i shtabit të përgjithshëm, që ishte edhe kandidat për president?
Janë disa gjëra që vërtetë të bëjnë të mendosh thellë dhe të shqetësohesh, sepse ne kemi një histori jo të këndshme të vitit 1997 dhe tendencat për ta përdorur ushtrinë për qëllime jo kushtetuese, sepse ushtria është për të mbrojtur atdheun. Janë të përcaktuara. Meqë jemi këtu unë po ju them diçka për vitin 1991, kur u bëra Ministër i Mbrojtjes në qeverinë teknike, i ndjeri president i asaj kohe, Ramiz Alia, më ftoi për një kafe dhe po bisedonim, ai më kërkoi të nxjerrim patrulla nga batalioni i ushtrisë.

I thashë: “z.President, unë këtë nuk e bëj, sepse ushtria është për të mbrojtur kufirin, këto janë punët e policisë”. Ramiz Alia u tërhoq. E kam fjalën që duhet një përgjegjshmëri e madhe nga drejtuesit e ushtrisë. Përdorimi i ushtrisë është i ndaluar. Një deputet i Agimit të Artë, para pak kohësh bëri një deklaratë, Shqipëria s’ka ushtri. Më dhembi jashtëzakonisht shumë...

Po në fakt kemi ushtri?
Sigurisht që e kemi, aq sa është caktuar nga NATO…

Jo fizikisht, por nga mentaliteti?
E thanë këtë fjalë, dhe sigurisht diçka dinë…Më kujtohet kur isha ministër i mbrojtjes në 1992, Milosheviçi bëri një deklaratë, e tha unë Shqipërinë e marr me një skuadër gjuetarësh. Unë vajta në Kukës dhe mblodha katër divizionet, e thashë që nëse dikush kujton se Shqipëria merret me një skuadër gjuetarësh, le ta provojë. Ushtria jonë kishte problemet e saj, por sido që të jetë duhet dhënë një përgjigje, edhe këtij grekut i duhej dhënë një përgjigje.
 
Pati një notë proteste në fakt nga Ministria e Jashtme…
Nuk e kam dëgjuar, nuk dua të akuzoj njeri, por si një ushtarak dua të them se ushtria shqiptare nuk duhet të nëpërkëmbet kështu, këtu politika ka përgjegjësi. I ka lënë ushtarakët si mos më keq. Eshtë një dëm i madh moral që i bëhet sedrës së kombit shqiptar. 

Dua t’ju pyes zoti President për marrëdhëniet në përgjithësi të Shqipërisë me ndërkombëtarët. Flitet për një klimë mosbesimi mes qeverisë, ambasadorit amerikan. Mos ndoshta ne u besojmë shumë ndërkombëtarëve, mos I kemi faktorizuar më shumë dhe ata nuk reagojnë në kohën e duhur, për t’i thënë gjërat troç?
Unë nuk dua të hyj në emra dhe persona, por që kemi një hyjnizim të ndërkombëtarëve në Shqipëri, ne e kemi dhe për fat të keq kjo është e hershme, edhe në kohën e Zogut kemi pasur gjeneralë të huaj, edhe në kohën e Partisë së Punës kur kishim jugosllavët, pastaj sovjetikët…Në fakt ka një hyjnizim. Edhe vetë ndërkombëtarët nuk e kuptojnë kur vijnë këtu tek ne , se sat ë rëndëishëm paskan qenë. Në fakt keni faj edhe ju të medias…Ne kemi forumin, jemi dy ish-presidentë, dhe kur lajmërojmë mediat për ndonjë aktivitet pyetet, do vijë ndonjë ambasador. Unë se kuptoj. Mua smë bën përshtypje fare nëse vijnë apo jo. Jo se nuk i vlerësoj. I kemi miq, i kemi aleatë. Por siç thotë një fjalë e popullit, i zoti i shtëpisë… Ne i çojmë në qoshe kur na intereson, kur s’na intersson, u mbyllim derën fare. 

A duhet të flasin troç në këtë moment?
Unë e thashë edhe në një takim me Fylenë; ju duhet të flisni hapur, sepse kështu si flisni me dorashka të nesërmen në mëngjes, një gazetë merr një frazë, një tjetër një tjetër, e kështu humbet thelbi i mendimit, çfarë është mirë e çfarë jo. Ndërkombëtarët nuk e japin kontributin e tyre drejt e hapur, kjo është mirë, kjo është keq. Ose të mos flasin fare. 

Zoti President. Po të shohim të gjitha emërimet, duket sikur i gjithë shteti ka rënë në duart e PD. Çfarë rrezikohet nga kjo? Eshtë cënuar ndarja e pushteteve, pikërisht nga ndryshimi i Kushtetutës…Nuk mund të rregullohet z.President?
Duhet ta rregullojmë se s’bën. Unë mendoj se pas zgjedhjeve forcat politike duhet të mblidhen dhe të mendojnë seriozisht për këtë vend dhe jo për veten e tyre, por për Shqipërinë duhet të mendojnë për të ardhmen e kësaj rinie…

Një pikë shumë e debatuar është zgjedhja e presidentit nga populli?
Unë e kam thënë me kohë këtë që zgjedhja e presidentit është bërë Pazar politik. Pse? Sepse politika jonë ende nuk ka maturinë e duhur. Vërtet zgjidhet nga parlamenti psh në Itali, por është krejt ndryshe. Zgjodhi një 86 vjeçar por të njohur në politikë, jo karavidhe. Nuk kam parasysh asnjë këtu, nuk dua të ofendoj njeri, por duhet të më kuptojnë drejt. Unë mendoj se ka ardhur koha që Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Edhe po të shikosh të gjithë vendet e ish-lindjes me përjashtim të Çekisë, po shkojnë drejt kësaj zgjedhjeje. Pse. Sepse kjo e forcon demokracinë. Askush nuk mund t’i thotë presidentit pas kësaj, bëj këtë apo atë sepse të zgjodha unë. Presidenti ka kompetenca, pavarësisht ndryshimeve që janë bërë, ka kompetenca. Puna është që ato kompetenca ti përdorësh.

Në fakt z.President, duket se Kushtetuta kur u bë në 1998 kanë pasur disi frikën të mos e bëjnë presidentin të fortë, duke pasur parasysh presidencën e zotit Berisha?
Atëherë bënë kryeministrin të fortë, sidomos me ndryshimet e 2008, kur e blinduan, e bënë super. Pra kemi një situatë kushteuese jo të mirë dhe unë them se ka ardhur koha të krijojmë një republikë të re, në kuptimin e ndryshimit të rregullave kushtetuese. 

Zoti President, jeni për një Rilindje?
Unë jam për një Shqipëri të vërtetë demokratike. 

Ju thatë se keni skepticizëm për këto zgjedhje. Pse ju ka humbur besimi, se shqiptarët do të shkojnë të votojnë, do ta hedhin votën dhe do t’u numërohet?
Skepticizmi i parë lind tek KQZ. Kanë përgjegjësi të dyja palët që u krijua kjo situatë dhe kjo duhet zgjidhur, por jo siç thotë maxhoranca, o kjo, o s’ka. Sepse ata bënë një ndërhyrje të pambështetur në ligj. Këto ndërhyrje arbitrare, për çfarë duhen? Në ’92 ne kemi bërë zgjedhjet më të mira…E të krahasosh Shqipërinë e asaj kohe me Shqipërinë sot. Nuk e kuptoj pse tani pas 20 e ca vjetësh nuk jemi të zotë të bëjmë zgjedhje. Nuk e kuptoj, nuk ka një shpjegim.

Ndoshta tek ne ka ardhur një kohë, o ta mbaj me çdo kush pushtetin, o ta marr me çdo kusht pushtetin. Jo zotni, pushtetin ta jep populli, ai që voton. Ne duhet të sigurojmë që ajo votë të lexohet ashtu si jepet. Po të marrim dokumentet, në 2011 hera e parë që KQZ kritikohet shumë ashpër nga OSBE-ODIHR. Partiakë fare. Uji që rri shumë gjatë qelbet. Tetë vjet… tani duhet rrotacion. Vetëm fakti që Shqipëria ka gjithë këto problem, është evidente që duhet ndryshim. Dhe ndryshimi i vendit vjen nëpërmjet ndryshimit të pushtetit. 

Për KQZ duket se edhe opozita thotë, le ta marrë Berisha në shtëpi, ti numërojë votat në shtëpi. Duket se edhe opoizita e neglizhon, e anashkalon. Nuk është e fortë, që po duhet ta ribëjmë KQZ?
Kanë mbetur vetëm 11 ditë nga zgjedhjet. Nuk e di çfarë do bëhet. Ne si popull do bëjmë detyrën tonë. Ne duhet të shkojmë detyrimisht në kutitë e votimit. Shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë, që ka ardhur koha të kenë zërin e tyre dhe zërin e tyre e kanë nëprmjet votës duke votuar. 

Po votuesi mund të ketë hallin e vjedhjes së votës dhe thotë, pse të shkoj?
Tani vjedhja nuk është aq e lehtë. KQZ mund të ketë problematikë. Mund t’i jepet zgjidhje edhe në minutën e fundit, siç e kemi ne shqiptarët. Po edhe këtë KQZ me katër anëtarë unë nuk e kuptoj. Janë marrë vendime që duheshin marrë me pesë vota. Nuk bëhet kështu, çdo gjë ka rregulla. Apot ti çojmë në kolegj. Për mendimin tim kolegji nuk ka të drejtë të marrë në shqyrtim…

Por çfarë duhet bërë z.President?
T’i kthejë mbrapsht. Partitë pastaj le të ulen dhe të zgjidhin problemin.

Po nuk shkojnë. E ka thënë opozita nuk shkojmë në KQZ...
Secili bën pjesën e tij. Edhe kolegji zgjedhor, ata gjyqtarët që janë atje, duhet të bëjnë pjesën e tyre. Ata janë profesionistë. Duhet të kërkojmë nga ata zbatimin e ligjit. Kolegji nuk kthehet dot në KQZ, sepse ka të tjera rregulla. 

E kuptoj z.President, po ky sistem gjyqësor, këta gjyqtarë janë vlerësuar si ndër më të korruptuarit në Shqipëri…Si do të kthehet besimi i qytetarëve tek vota dhe tek sistemi?
Të mos i palosim gjërat…Unë them, në rradhë të parë, ky kolegj zgjedhor nëse vërtetë do të ruajë identitetin e tij, ato gjëra që nuk i takojnë duhet të thotë “ikni”, sepse në KQZ diskutohen problem administrative dhe në kolegj shkojnë ato që kanë problem ligjore. Ja le të marrim çertifikimin e zgjedhjeve, e bën dot Kolegji Zgjedhor, s’e bën dot. Po certifikimi do minimum pesë vota. Atëherë…Prandaj kam thënë disa herë që zgjedhjet tona janë në rrezik. Nuk gjejmë dot kush ka fituar, kjo KQZ me katër vetë nuk e bën dot. Ligjërisht nuk e bën dot. 

Ndoshta edhe për këtë ka nisur një klimë mosbesimi tek njerëzit, ka shkrime edhe në media për votën e bardhë, si një lloj proteste. Si do t’I çojmë shqiptarët, si mund tu themi nesër do jetë më mirë?
Ato për mendimin tim, janë shumë të gabuara. Shqiptarët nuk duhet të kenë frikë…e në përgjithësi ne shqiptarët për fat të keq nuk kemi nerv. Nervin e një populli demokrat. Shih se ç’po bëhet në Turqi. Nuk po hyj, kush ka të drejtë apo jo, por 15 ditë ata i vunë zjarr Stambollit…

Po këtu njëherë dolën në protestë dhe u vranë katër vetë?
Ç’është kjo tani…Nisesh për një rrugë…Unë këtu ngarkoj me faj edhe opozitën, s’duhet të ishte tërhequr, sepse nuk e di, vetëm po të çmendej shteti të vriste prapë.
 
Ndjenja e frikës zoti President, si ta vrasim frikën?
Nuk dua të kujtoj historitë tona të luftës, se mandej do të na thonin “a doni më për belulin”. Ne kemi e treguar prej vitesh: jemi ndeshur me milicinë në fashiste. Në luftë janë vrarë me mijëra vetë. Pra populli kur vjen momenti e nxjerr nervin. Sigurisht ne jemi mësuar që dikush të na thotë, por jo. Vetë njerëzit të organizohen e mobilizohen siç po ndodh në vende të tjera, duke përdorur informatikën dhe mjetet e komunikimit.

Sepse kjo politikë dhe këta politikanë po e kthejnë situatën që vetë vendosin e vetë vulosin. Ka qenë një histori në kohën e Zogut “lal kros moj lal Kros, vetë shkruaj e vetë vulos”. Kjo është transmetuar gojë pas goje. Pra është e domosdoshme që ne shqiptarët nëse politikanët kërkojnë të bëjnë cic mice, ne duhet ti themi ndal, “stop” fort dhe mirë që Shqipëria të dalë nga kjo situatë.

Folëm dhe thatë se duhet rrotacion. Në fakt, a keni besim te Edi Rama. Ai do të jetë kryeministër i ardhshëm
Me fjalën rotacion unë personalisht, por dua që edhe gjithë të tjerët ta kuptojnë kështu: unë nuk kuptoj vetëm që të iki njëri dhe të vijë tjetri. Them se duhet të ndërtohet shteti, pra të kemi një ndryshim cilësor. Sepse e thamë se ky shteti jonë është problematik. Të ndërtojmë shtetin. Ne kemi një polici dhe unë e kam thënë edhe tek Fyle gjatë takimit që kemi bërë me të: Ju keni kontribuar me Pameca-n, por çfarë kemi bërë?

Kemi bërë këtë: që kemi një polici në detyrë dhe një e kemi në shtëpi. Policia është e shtetit, nuk është e PD apo e PS. Po kështu po kthehet tani. Ka edhe shumë probleme të tjera dhe ne duhet të ndërtojmë shtetin. Dhe unë mendoj nëse e majta vjen në pushtet duhet vërtet të bëjë detyrën e saj, jo thjesht të iki një palë dhe të vijë një palë, por për të nxjerrë Shqipërinë nga ky batak. Sepse ndryshe, unë e kam thënë...

Shqipërinë nga ky batak e nxjerrin liderët vizionarë. Ekzistojnë të tillë në Shqipëri? Apo s’i duam?
Shqipëria nuk është pa njerëz, qofrtë të ditur, qoftë të shkolluar, qoftë të vendosur...Por pa të keq tani, kanë dalë si kanë dalë tani dhe unë nuk mund të them se Rama është më i mirë nga Berisha apo e kundërta, në kuptimin që duhet ta provojmë dhe Ramën. Si kryetar bashkie ai ka bërë një punë shumë të mirë për mendimin tim, pavarësisht se çfarë thuhet. Dhe unë shpresoj që lideri ka rëndësinë e vet. Nëse një lider punon vetëm, ai për mua është një zero me bisht. Pa staf, pa njerëz, pa ekip nuk bëhet kjo punë. Sepse kështu del puna me telefon.

Çdo njeri duhet të jetë zot në punën e tij, të mbajë përgjegjësi dhe të zbatojë rregullat që duhen. Kjo dihet, është e njohur. Ne shqiptarët e kemi pasur këtë. Të themi atë që është: unë kam qenë në detyra edhe në atë kohë edhe zv.ministër. Dhe unë e takoja ministrin atëkohë, njëherë në muaj apo dy herë në muaj maksimumi. Në atë kohë mbaje përgjegjësi, do bëje detyrën. Nëse e bëje keq, do përgjigjeshe. Pra tani me telefon cdo orë, çdo minutë. Kjo kërkon sigurisht njerëz të aftë, jo militantë.

Po kjo do bëhet zëvendësimi, do ikin disa njerëz e do vijnë disa të tjerë...
Po mirë pra, kjo duhet të zgjidhet. Dhe mos zgjidh ata që rrinë “lepe-peqe”. Por zgjidh ata që kanë tru në kokë.

Pas 23 vjetësh ne duhet të fillojmë aty ku duhet të kishim filluar në vitet ’90?
Tani situata është kjo që është. Dhe për këtë situatë, unë mnedoj se vetëm kështu mund të dilet. Unë mendoj se politika shqiptare të fillojë që nga rregullimi të Kushtetutës, që ti hapet rrugë ndërtimit të shtetit, që kushdo lider që kërkon të marrë pushtetet, të mos i marrë dot. Të ketë klauzola në Kushtetutë që ta pengojnë atë, dhe jo ta lehtësojnë, siç u bë në 2008. Ne kemi një gjë që ligjet i kemi shumë të mira. Sepse kanë marrë ekspertizën më të mirë. Puna është se kemi maliqin më të fortë. Se ligjin e kemi të mirë për t’ua treguar atyre kur të vijnë. Por këtej matanë, vepron maliqi.

Ndërkohë maliqi duhet të zhduket nga skena. Dhe kjo kërkon reforma të forta në drejtësi në rradhë të parë, gjyqësori. Unë kam dhënë mendime. Do mblidhen njerëzit. Por nuk ka gjëra të paarritshme, thjesht duhet vullnet politik. Klasa politike jo si tani, që e kanë lënë rrëmujë. Ku është klasa politike? Çfarë bëjnë ata tani, sepse do të përgjigjen të dy palët. Edhe mazhoranca edhe opozita do mbajnë përgjegjësi nëse Shqipëria kalon në një situatë të padëshirueshme pas 23 qershorit. Të dy palët do përgjigjen, do përgjigjen para historisë...

E pra do përgjigjen para historisë, sepse përpara ligjit në Shqipëri nuk ka ndodhur deri tani për ndonjë funksionar politik...
Po për çdo gjë ka një herë të parë...

Po kjo shton skepticizmin për qytetarët kur thonë se të dy palët janë njëlloj...
E pra, deri tani ne kemi çuar në burg për shkelje policin, infermierin, doktorin financierin. Po ministër nuk ke ama. Milionat i bëjnë ata nëse abuzojnë. Nuk jam për atë që të çohen njerëzit nëpër burgje të kuptohemi drejt. Po ama, po bëre gabim do përgjigjesh. Aaaa, nuk ka kështu, sepse ndryshe na shtrohet problemi “Quo vadis Albania”.

Ka një tezë të shprehur për teorinë e të keqes më të vogël. Kjo e nxjerr Shqipërinë nga bataku?
Kjo është kur je në situatë që nuk ke rrugëdalje tjetër, kjo që thatë ju. Por nuk është kjo rrugëdalja kryesore. Qeveria e ardhshme pas 23 qershorit të ketë një vendimmarrje të prerë e të caktuar për ti ndryshuar faqen Shqipërisë, për ta vendosur demokracinë në vendin që duhet sepse tani ka vetëm emrin demokraci. Dhe çfarë nuk dëgjojmë. Më tha një miku im disa ditë më parë se e kishin marrë në telefon dhe i kishin thënë “dua të na ndihmosh me kaq lekë”. Ai i kishte thënë: “Nuk kam, jam keq me bankën, ku ti gjej paratë?” “Atëherë prit kontrollin”. “Të nesërmen, - më tha,- erdhi kontrolli. Ka një muaj që rri te unë. Unë jam në rregull. Po ka një muaj që nuk lëviz”. Po s’bëhen punët kështu.

Çështje presioni...
Po të lutem shumë. Çështja e financimit është problem vërtet shumë madhor. Të gjithë bëjnë zgjedhje. Por kjo është një fushatë me shpenzime të tilla luksi, flamuj, makina, dreqi me të birin...unë nuk kam parë me thënë të drejtën, edhe...
Mos jemi të pasur ne shqiptarët? Ndoshta kryeministri ka të drejtë që jemi të zhvilluar...Ose jemi në krizë...
Nëse ka para, unë e di sesi kanë ardhur ose si vijnë. Por zhvillimi ekonomik e kemi para syve përditë: po rriten çmimet, njerëzit janë pa punë dhe po shtohen. Edhe investime nuk vijnë. Siguria ka rënë shumë. Këto janë gjërat kryesore. Ti thua “më jep votën, ose ndryshe të heq nga puna”. Puna është detyrim kushtetues që ti si shtet duhet ti angazhosh në punë, jo vetëm në shtet, por të hapësh edhe punën private. Por kanë filluar edhe privatët që shtrëngojnë: do votosh për këtë forcë ose ndryshe do ikësh nga puna. Kjo nuk është demokraci. Dhe kjo na ngarkon me shumë përgjegjësi: historike, por edhe ligjore. Sepse në fund të fundit do vijë një ditë, një orë që do të dalin përpara ligjit se s’bën.

Ju jeni për ekzistencën e partive nacionaliste?
Ne shqiptarët nuk jemi shumë nacionalistë. Për mendimin tim jemi më shumë internacionalista, dhe kozmopolitë. Këto janë tollumbace që krijohen për arsye të caktuara. Nuk kemi ne parti nacionaliste. Se po të kishim nuk do ishte keq, por nuk kemi.

Duke qenë se ju kërkuat ndryshimin e Edi Ramën kryeministër. Nëse PD humb zgjedhjet a duhet të ikë Berisha nga drejtimi i partisë? Do të duhet një PD e reformuar?
Sigurisht PD është një pasuri. Unë kam qenë mbështetës i saj që nga viti 91 e deri vonë. Sepse pikërisht ajo celi perspektivë. Por PD nga parti vërtet e dëshirave për zhvillimin demokratik të vendit u bë një parti personale, familjare. Ky është fakt. Unë mendoj se ajo parti duhet të forcohet se s’bën. Pavarësisht se unë e kam kritikuar Fatos Nanon, por një gjë e bëri: humbi zgjedhjet dhe u largua. Dhe ky është një shembull që duhet të ndiqet nga politikanët...

Por Nano kërkoi rikthimin kur ju zgjidhnit krizën në 97, pikërisht në krah të Sali Berishës nga Pallati i Brigadave kërkonte Presidencën...
Këto janë gjëra...

Nga gjithë konstatimet tuaja ju jeni skeptik pas 23 qershorit. A ka një mesazh tuajin për ndërkombëtarët, qytetarët, dhe klasën politike?
Në radhë të parë dua të jap mesazhin për bashkëqytetarët e mi: shkoni në votim; jepini zërin e mendimin tuaj atje. Sepse më vonë janë të kota muhabetet. E dyta, politikanëve tanë u them që të kuptojnë një gjë, që nëse Shqipëria del në mënyrë pozitive nga kjo katrahurë që është bërë aktualisht, do të jetë meritë e tyre; nëse Shqipëria futet akoma më shumë në këtë katrahurë, do të jetë jo vetëm turpi i tyre, por edhe përgjegjësi e tyre.Dhe ne vërtet do të kërkojmë që ata të përgjigjen ligjërisht te qytetarët shqiptarë. Ndërsa ndërkombëtarët: nëse duhet të ndihmojnë, duhet të ndihmojnë siç duhet. Ose të rrinë mënjanë dhe të hapin defterët e të mbajnë shënim.

Lajmi u përditësua

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës