I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, natyropati Altin Joka ka ndarë me publikun disa dimensione të jetës së tij, duke folur për pasionet, botimet e reja, si dhe linjën e suplementeve që mban emrin e tij, e cila ka ardhur në treg falë një bashkëpunimi serioz me një kompani angleze.
Rikthimet në Shqipëri për të janë të herëpashershme, por këtë herë, përveç pushimeve familjare, Joka u ndal edhe tek pjesëmarrja në një protestë, të cilën e cilësoi si një shprehje shumë demokratike.
“Në Kopenhagen iu bashkova protestës. Udhëtova nga Suedia në Danimarkë, sepse më dukej një protestë e drejtë dhe mora një energji shumë të mirë. Madje edhe qytetarët danezë e kanë mbështetur atë. Me ardhjen në Tiranë iu bashkova protestës dhe mendoj se ajo theu perceptimin e krijuar se shqiptarët nuk dalin për të drejtat e tyre. Kjo protestë tregoi një nivel të lartë kulturor. Kurrë nuk është trajtuar Shqipëria në mediat ndërkombëtare si sot. Ajo tregoi edhe nivelin e ulët të klasës politike në vend”, u shpreh ai.
Joka u ndal edhe tek problematikat që has sa herë rikthehet në Shqipëri, të cilat i cilësoi si shqetësime të kahershme.
“Problemet e menaxhimit të mbetjeve urbane, transportit publik, sinjalistikës rrugore, parkimit, mungesa e ujit apo e hapësirave publike, por edhe trajtimi i kafshëve, mbeten ende problem. Tirana është një nga qytetet më pak të jetueshme në botë. Është dëmtuar mikromjedisi, ndërsa betonizimi i ka marrë frymën qytetit”, u shpreh ai.
Natyropati Altin Joka foli edhe për botimet e tij. Së shpejti ai do të sjellë në treg një libër që trajton tumoret.
“Kam botuar dy libra dhe po planifikoj një botim të tretë. Kam marrë 12 libra nga autorë të njohur për tumoret dhe kancerët. Më lindi ideja të realizoj një botim të tillë, pasi vë re se ekziston një hendek mes mjekësisë holistike dhe mjekësisë moderne. Aktualisht jam në përfundim të botimit të tretë. Pjesa e vaksinave për tumoret është demagogji, nuk besoj tek ato. Libri i tretë do të sjellë ide të reja mbi atë se çfarë është tumori dhe si duhet luftuar ai”, u shpreh Joka.
Ai foli gjithashtu për linjën e suplementeve që mban emrin e tij, një ide që, sipas tij, lindi pas shumë konsultave me njerëz nga e gjithë bota.
“Në këto pesë vitet e fundit kam pasur konsultime me mbi 7 mijë njerëz dhe nga bisedat me ta kuptova se, kur rekomandoja bimë apo çajra të ndryshëm, shumë prej tyre e kishin të vështirë t’i gjenin të gjitha. Nga kjo më lindi një ide: pse të mos krijoja produkte të konfiguruara për probleme të ndryshme shëndetësore, duke përfshirë bimët kryesore, pa kimikate, pa aditivë dhe pa ngjyrues. Ato janë organike dhe përmbajnë mbi 7-8 bimë brenda. Kam katër vite që bashkëpunoj me një kompani angleze dhe më pas erdhi ky produkt”, u shpreh Joka.
Në fund të bisedës, nutricionisti Altin Joka u ndal tek një nga pasionet e tij më të hershme, që nga fëmijëria: polifonia dhe fyelli. Ai ndau në studio emocionet e viteve të para të jetës dhe solli një kolazh me këngë të vjetra të interpretuara prej tij.
“Kam interpretuar 26 këngë polifonike. I bëj vetë zërat. Nuk jam profesionist, e kam pasion, sepse e kam dashuruar që në vogëli polifoninë. Është një nga pasionet e mia më të mëdha. Nuk kam kënduar kurrë me ndonjë grup, por e kam në zemër. Kam lindur në Tiranë, jo në Gjirokastër, por gjithmonë e kam dashur atë traditë. Kur shkoja tek gjyshërit në Gjirokastër dhe shihja burrat me fustanellë që mblidheshin bashkë, më intrigonte shumë. Grupi i pleqve të Gjirokastrës më ka tërhequr gjithmonë. Xhevdat Havdalli më ka frymëzuar”, u shpreh Joka.
Natyropati foli edhe për një tjetër pasion të tij, flautin amerikan, i cili, sipas tij, e frymëzon dhe e qetëson në momente të vështira.
“Është një instrument qetësues, ka një dimension ndryshe nga fyelli ynë. I bie shpesh kur jam i lodhur apo i mërzitur”, përfundoi ai.
Komente










