TIRANË- Sali Berisha nuk u distancua nga dhuna e protestuesve dhe sulmi me molotovë ndaj efektivëve në protestën e 22 marsit, ndonëse mesazhi i erdhi i qartë edhe nga ambasada gjermane, flamujt e se cilës u përdorën në tubim duke zëvendësuar ata gjermanë.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, kreu i PD-së e cilësoi protestën si kryengritje paqësore ndonëse aktet e dhunës nuk munduan dhe breshëria e molotovëve pranë Kuvendit rrezikoi edhe jetën e efektivëve.

“Shqiptarët treguan se janë të pamposhtur, përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë. Kurrë ndonjëherë, më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve, sesa dje nuk ka qenë në rrugët e Tiranës. Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë nuk ka dhe nuk mund të ketë më paqe dhe stabilitet. Beteja jonë do njohë vetëm ngjitje, ajo do të përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë deri në largimin e kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën”, tha Berisha.

I pyetur nga Report Tv mbi reagimin e ambasadës gjermane, Berisha tha se motoja e tyre është kryengritja paqësore dhe vijoi me skenarët se nga sulmet me molotovë nuk ka pasur asnjë polic të lënduar, ndonëse 6 prej tyre morën ndihmë mjekësore në spital pas protestës së djeshme.  

“Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Nëse në këto protesta ka demonstrues të plagosur nga dhuna policore, nuk ka patur gjer sot asnjë polic të plagosur. Ne mbetemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Ne kërkojmë të vazhdojmë me moton paqësore. Në kushtet e një grushti shteti janë të ligjshme të gjitha mjetet, por ne qëndrojmë tek kryengritja paqësore. Ne dhunën më të madhe konsiderojmë marrjen e pushtetit të drejtësisë nga pushteti ekzekutiv. Kjo përbën dhunë të tmerrshme kushtetuese, për në dhunë ndaj këtij populli është Olta Xhaçka në Kuvend, për ne dhunë e tmerrshme ndaj këtij populli është bllokimi i drejtësisë për arrestimin e ballukut për shkak të Ramës. Por, ne qëndrojmë në moton protestës paqësore, ne besojmë se dhuna nuk na shërben, në rrugën paqësore ne realizojmë më shpejt dhe më mirë qëllimet tona”, tha Berisha.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:04
Salianji kandidat për kryetar të PD? Berisha e sulmon: Ai zgjodhi të birësohej politikisht

Sali Berisha, në konferencën e sotme për mediat, u pyet nëse ish deputeti Ervin Salianji, do të lejohet që të kandidojë përballë tij për kreun e ri të partisë në zgjedhjet që mbahen në maj.

Ai theksoi se ish deputeti është vetëpërjashtuar nga partia pasi ai zgjodhi që të “birësohej” politikisht, teksa shtoi “iku e mori fund.”

Berisha: I vetëpërjashtuari është i vetëpërjashtuar, nuk ndryshon asgjë. Tani, pse e birëson ky apo ai politikisht këtë apo atë, kjo nuk është puna ime. Birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. I gëzofshin ata që i birësojnë. Kaq është puna. E birësuan. Iku, mori fund.

A është shenjë frike kjo nga ana juaj për të pasur Ervin Salianjin përballë?

Berisha: Kam shumë kënaqësi të kem rivalë dhe në të gjitha kohërat unë kam pasur rivalë. Por kur tjetri birësohet, bën zgjedhjen e tij. Politikisht e kam fjalën. E ka bërë, nuk kam ç’i bëj unë.