Ruçi kritik me institucionet e pavarura, ambasadori i BE: Duhen rezultate konkrete

TIRANE-Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka zhvilluar një takim me institucionet e pavarura, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së. Luigi Soreca gjatë fjalës së tij kërkoi rezultate të prekshme nga këta institucione dhe më shumë ambicie.

"Është urgjente që të arrijmë rezultate të prekshme. Kërkohet një angazhim i fortë. Për BE-në roli në ruajtjen e balancave dhe administrata publike janë shumë të rëndësishme. Ka progres, por ka ende shumë sfida.

Shqipëria duhet të furnizojë kapacitetin e institucioneve të pavarura. Parlamenti dhe qeveria të sigurojnë dhe të marrin masat për punën e rekomandimeve nga institucionet e pavarura. Presim rezultate dhe të ruani këtë qasje, të siguroni monitorimin transparent dhe të jeni më ambicioz" tha ai.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ishte kritik ndaj institucioneve. "Raportimet duhet të jenë sa më korrekte. Disa institucione nuk janë të qarta në raportim. Institucionet duhet të tregohen më të ndjeshme në rekomandime. Shërbimi i Monitorit duhet të trajtojë më imtësi çështjet me ndjeshmëri” tha Ruçi

Disa nga institucionet kërkuan rritje të stafit, por Ruçia tha se nëse do të kishte pasur vullnet edhe me gjysmën e punonjësve që kanë do të kishte pasur rezultate. Por kush ishin disa nga shqetësimet e tjera? Avokatja e Popullit u shpreh se "Kemi pasur probleme me ekzekutivin".

Agron Tufa, Kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit kërkoi nga Ruçi që të merrte masa ndaj Spartak Brahos. "Më ka bërë presion dhe shantazhe nga një deputet i shumicës, prita ndonjë reagim, por zonja Marku Balanca heshtën. Brahos ti tërhiqet vërejtje".

Por Ruçi nuk ishte i këtij mendimi. "Kjo tryezë nuk është për debate personale. Mua më kanë lancuar në gazeta dhe ekrane dhe nuk kam kërkuar askujt. Ka kosto kur jemi publikë...duhet të dimë ti ndajmë gjërat. Që unë të thërras si kujdestar konvikti....unë jam njëri prej tyre kam disa funksione ligjore dhe kushtetuese dhe nuk jam për të vendosur vërejtje për mendime personale" tha ai.

Pjesë nga diskutimi
Agron Tufa: As në Kuvend?
Gramoz Ruçi: Nuk ka ndodhur
Agron Tufa: Ka ndodhur, ka qenë thyerje, shantazh dhe kërcënim
Taulant Balla: Për thyeje mund ti drejtoheni gjykatës, për shantazh prokurorisë. Unë çova një deputet në gjykatë dhe fitova, provojeni edhe ju
Agron Tufa: Do ta provoj


Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në takimin me drejtuesit e institucioneve të Pavarura
Vendosa të zhvillojmë këtë mbledhje të përbashkët, për të diskutuar përmbushjen e rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit, statusin e zbatimit të rekomandimeve të Institucioneve të Pavarura adresuar Qeverisë dhe problematika të konstatuara nga Shërbimi i Monitorimit të Kuvendit gjatë vitit 2018.

Nëpërmjet kontrollit parlamentar, Kuvendi synon rritjen e garancive të zbatimit të ligjit; konsolidimin e shtetit të së drejtës; ndërgjegjësimin e organeve të administratës publike në të gjitha nivelet, duke forcuar shërbimet në interes të publikut dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarit. 

I.                   Po filloj pa humbur kohë me çështjen e parë: Statusin e përmbushjes së rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit.

Sipas përcaktimeve në Vendimin nr. 134/2018, “Për Manualin e Monitorimit Vjetor dhe Periodik për Institucionet e Pavarura, Kushtetuese dhe të krijuara me Ligj”, në muajin dhjetor institucionet duhet të raportojnë në Kuvend mbi statusin e përmbushjes së rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit.

Tani është koha të vlerësojmë dhe analizojmë si janë zbatuar këto detyrime.

Që në fillim dëshiroj t’ju tërheq vëmendjen se nuk i jeni përgjigjur kërkesës së Kuvendit të datës 14 Janar për të informuar mbi zbatimin e rezolutave, për të cilat jeni të detyruar të ngrini grup pune dhe jo të mjaftoheni me përgjigje,“i kemi zbatuar, nuk i kemi zbatuar“, por u detyrova unë si Kryetar Kuvendi të ndërhyj që ju të përgjigjeni.

Përse duhet të angazhohet Kryetari i Kuvendit për tu kërkuar me shkresë zyrtare 13 institucioneve që të mësohen të kryejnë detyrat e tyre?

Ky është paralajmërimi i fundit që ju bëj për të qenë korrekt me detyrimet tuaja ndaj Kuvendit të Shqipërisë.  Kjo situatë nuk do të tolerohet më.

Institucionet e pavarura nuk mund të pengojnë dhe as të ngadalësojnë ritmet, forcën dhe rrezen e kontrollit parlamentar.

Por edhe komisionet dhe shërbimet e Kuvendit duhet të bëhen më dinamike e  rezultative në punën e tyre dhe të përmirësojnë cilësinë e rekomandimeve që bëhen pjesë e Rezolutave.

Sa prej jush pas marrjes së Vendimit të Kuvendit 134/2018 kanë ngritur grupin e punës për hartimin dhe miratimin e Kodit Etik dhe Rregullat e Sjelljes në Institucionet Tuaja?

Në Kuvend nuk keni përcjellë asnjë informacion në lidhje më këtë detyrim.

Gjatë vitit 2018, vetëm 8 institucione iu përgjigjën në kohë detyrimeve që u ngarkon Vendimi i Kuvendit dhe Manuali i Monitorimit dhe raportuan në afatet ligjore në komisionet parlamentare. Janë për të raportuar akoma 13 të tjerë.

Është e papranueshme që  raportet i dorëzoni në ditën e fundit të afatit ligjor dhe disa prej jush kërkojnë edhe shtyrje afati. Ndërkohë që duhet të filloni të punoni që në Janar për raportin e vitit të shkuar dhe jo të neglizhoni për ditën e fundit.

Në zbatim të nenit 103 të Rregullores së Kuvendit, vitin e kaluar Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 20 Rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura.

Në vijim të përgjigjeve zyrtare të ardhura nga institucionet, rezulton se nga 221 rekomandime, janë realizuar plotësisht 139 rekomandime, 72 janë realizuar pjesërisht dhe 10 rekomandime nuk janë realizuar.

Midis institucioneve që kanë reaguar dhe raportuar me korrektesë, dëshiroj të përmend Prokurorinë e Përgjithshme,  Institutin e Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilët i kanë zbatuar të gjitha rekomandimet e Rezolutave të Kuvendit.

Institucionet e tjera kanë mjaft rekomandime të realizuara pjesërisht ose të parealizuara. 

Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit nuk ka kthyer ende asnjë përgjigje.

KQZ paraqet numrin më të lartë të rekomandimeve të pazbatuara, gjithsej 5 rekomandime. Madje, raporti i këtij institucioni dorëzuar në Kuvend është i paqartë dhe nuk trajton plotësisht të gjitha pikat e rezolutës për të cilën raporton.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka realizuar plotësisht 10 dhe pjesërisht 9 rekomandime.

Enti Rregullator i Ujit ka realizuar plotësisht  7  dhe pjesërisht 12 rekomandime.

Enti Rregullator i Energjisë ka realizuar plotësisht  10, pjesërisht 9 dhe nuk ka realizuar 2 rekomandime.

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka realizuar plotësisht  5  dhe pjesërisht 6 rekomandime.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka realizuar plotësisht  4,  pjesërisht 4 dhe nuk ka realizuar 1 rekomandim.

Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil ka realizuar plotësisht  6  dhe pjesërisht 2 rekomandime.

Banka e Shqipërisë ka realizuar plotësisht  15,  pjesërisht 2 dhe nuk ka realizuar 1 rekomandim.

Agjencia  e Sigurimit të Depozitave ka realizuar plotësisht  5  dhe pjesërisht 1 rekomandim.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare  ka realizuar plotësisht  11  dhe pjesërisht 3 rekomandime.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar plotësisht  3  dhe pjesërisht 10 rekomandime.

Autoriteti i Konkurrencës ka realizuar plotësisht  5  dhe pjesërisht 1 rekomandim.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka realizuar plotësisht  7 dhe pjesërisht 2 rekomandime.

Avokati i Popullit ka realizuar plotësisht  4,  pjesërisht 1 dhe nuk ka realizuar 1 rekomandim. Ndërsa për 2 rekomandime, nuk del e qarte se çfarë ka bërë konkretisht ky institucion për të ndjekur përmbushjen e tyre.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka realizuar plotësisht  7  dhe pjesërisht 2 rekomandime.

Manuali i Monitorimit Vjetor dhe Periodik, duhet të bëhet pjesë e dokumentacionit të punës të Kryetarëve të Komisioneve të Përhershme Parlamentare dhe e deputetëve.

Rezolutat e Kuvendit nuk ngarkojnë realizimin e objektivave të pamundura dhe as u kërkojnë institucioneve të pavarura të bëjnë çudira. Rekomandimet e tyre konsistojnë thjesht në zbatimin e ligjit dhe rritjen e eficencës së veprimtarinë së institucioneve.

Madje, kam kërkuar nga organet e Kuvendit që rekomandimet të jenë më konkrete, më të thelluara dhe me fokus rritjen e llogaridhënien ndaj qytetarit.

II.                Në lidhje me rekomandimet e institucioneve të pavarura për ekzekutivin, në kuadër të Mekanizmit Ndërinstitucional dhe Manualit për Monitorimin, institucionet e pavarura duhet të informojnë Kuvendin çdo tre muaj në lidhje me nivelin e zbatimit të rekomandimeve që i kanë adresuar organeve të administratës publike.

Nga 21 institucione të pavaruara kushtetuese dhe të krijuara me ligj, të cilat i raportojnë Kuvendit, 6 prej tyre adresojnë rekomandime kundrejt organeve të ekzekutivit dhe njësive të varësisë.

Si është situata në këtë aspekt të kontrollit parlamentar?

Institucionet kanë shfaqur vonesa në lidhje me zbatimin e Manualit të Monitorimit dhe raportimeve në Kuvend, përtej afateve të parashikuara nga Manuali.

Ndërkohë, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, nuk ka përcjellë ende raportin për sa detyrohet nga Mekanizimi i Monitorimit dhe Manuali i miratuar në zbatim të tij. 

Për vitin 2018, Avokati i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, gjatë vitit 2018  kanë dhënë gjithsej 200 rekomandime;  rezultojnë të pa zbatuara 102 rekomandime, ose 51%.

Rekomandimet janë dhënë nga secili institucion si më poshtë: 130  rekomandime nga Avokati i Popullit,  19  nga Autoriteti i Konkurrencës, 27  nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, 8 nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale,  dhe 16  rekomandime nga Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil.

Dëshiroj të tërheq vëmendjen në shkallën e zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për periudhën Shtator 2017-Qershor 2018, KLSH ka dhënë:

·         31 rekomandime për ndryshim/ përmirësim legjislacioni, prej të cilave 19 janë zbatuar, 9 janë në proces dhe 3 rekomandime nuk janë zbatuar.

·         1450 masa organizative, prej të cilave 1395 janë pranuar, 742 janë  zbatuar, 473 janë në proces, 180 nuk janë  zbatuar dhe 55 rekomandime nuk janë pranuar.

·         900 masa disiplinore e administrative, prej të cilave 862 janë pranuar, 656 janë zbatuar, 82 janë në proces, 124 janë të pazbatuara dhe 42 rekomandime nuk janë pranuar.

Pra,  rekomandimet e KLSH janë zbatuar në masën 83%, ndërsa 17% e tyre janë ta pazbatuara ose nuk janë pranuar nga institucionet.

Gjatë vitit 2018 nuk ka përgjigje nga Këshilli i Ministrave për 17 rekomandime të KLSH-së të dhëna gjatë vitit 2017 për disa ministri.

Institucionet duhet të tregohen më të ndjeshme edhe ndaj rekomandimeve që vijnë nga institucionet e tjera të pavarura. Për shembull, Enti Rregullator i Ujit nuk ka realizuar 5 rekomandime të Komisionit të Konkurrencës. Situata të tilla ka edhe midis institucioneve të tjera.

Niveli i zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura  gjatë vitit 2018 rezulton të jetë rreth 40%, pra i pakënaqshëm.

Arsyet e këasj situate do të shqyrtohen me institucionet e pavaruara gjatë raportimit në komisionet parlamentare, duke vazhduar më tej me koordinimin e punës mes Institucioneve të Pavarura, Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin.

III.             Në mbyllje dëshiroj të tërheq vemendjen në disa çështje prioritare të kontrollit parlamentar që lidhet me zbatimin e detyrave që burojnë nga rezolutat e Kuvendit dhe rekomandimet e institucioneve të pavarura.

·         Këshilli i Ministrave dhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin duhet të klasifikojnë dhe shqyrtojnë me më shumë vëmendje rekomandimet që adresojnë institucionet e pavarura për institucionet qendrore të administrates shtetërore dhe këto të dhëna t’i përcillen periodikisht Kuvendit.

·         Shërbimi i Monitorimit duhet të evidentojë me përparësi çështjet me ndjeshmëri të lartë publike, për të cilat janë dhënë rekomandime nga institucionet e pavarura dhe të sugjerojë vënien  në lëvizje të mekanizmave të kontrollit parlamentar në Komisionet e Përhershme Parlamentare.

·         Pasi ekzekutivi të ketë vlerësuar  përmbajtjen e rekomandimeve, të funksionojë ndërveprimi i Kuvendit me Ekzekutivin, në mënyrë që të përmbyllet vlerësimi i cilësisë dhe bazueshmërisë ligjore për rekomandimet e dhëna.

·         Kërkoj nga institucionet e pavarura të riorganizojnë vendosjen e personave të kontaktit, për të shmangur vonesat në përgjigje nga ana e tyre.

·         Institucionet e pavarura duhet të njoftojnë Shërbimin e Monitorimit për çdo aktivitet, për të siguruar pjesëmarrjen e Shërbimit të Monitorimit në to.

·         Këshilli i Ministrave të respektojë afatet ligjore të paraqitjes së kandidaturave për vakancat në borde apo këshilla, dokumentacionin shoqërues, njoftimet për përfundimin e mandateve apo emërimeve të reja etj.

·         Së fundi, kërkoj që raportimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi statusin e zbatimit të rekomandimeve duhet të jetë më koherent, Kjo, për shkak të rëndësisë që ka, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik financiar, dhe për shkak se adreson rreth 2000 rekomandime në vit.

Këto ishin disa çështje që mendova të ndaj me ju  mbi përmbushjen e rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit, dhe shkallën e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura adresuar Qeverisë

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tirana: 12/04/2019 11:39

    Shembull Lindita Lati, kudo ka punuar ne inst te pa varura ka patur rezultate konkrete, e pa koruptuar, performanc e shkelqyer prandaj Presidenti dhe kuvendi duhet ta dekretojne K/Klsh. Inst e pa varura nuk duhet te jene fole e miqve por njerzve shkencetar qe te cojne para shoqerin shqiptare.

    Përgjigju
    • Vlora: 12/04/2019 14:46

      Asnje nuk e zevendeson dot Bujarin. Edhe Kryetari i ri i KLSH nuk behet po nuk dha pelqimin Bujari. O Bujo te hengshin ....

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë