Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca i ka bërë thirrje opozitës shqiptare që të mos djegë mandatet, por të rikthehet në parlament për të vijuar reformat, pasi vendi është në prag të vendimit të qershorit për hapjen e negociatave. "Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane. Ai është vendi ku duhet të diskutohen dhe të çohen përpara debatet mbi reformat dhe zhvillimet përkatëse. Parlamenti nuk duhet bojkotuar" thotë ai.
Për Soreca-n vendimi për heqjen dorë nga mandati nuk mund të bëhet në bllok, pasi sipas tij çdo deputeti individual i takon të vendosë vet se çfarë do të bëjë me përgjegjësinë që kanë marrë para votuesve të tyre. "Dëgjuam njoftimin nga partitë opozitare, që deputetët individualë do të heqin dorë nga mandatet e tyre aktuale. Çdo deputeti individual i takon të vendosë vet se çfarë do të bëjë me përgjegjësinë që kanë marrë para votuesve të tyre, për të mbrojtur pozitat dhe interesat e tyre në Parlament. Kjo është detyra e tyre themelore" thotë ai në një prononcim për Top Channel.
Ambasadori i BE-së, shprehet se aktualisht si shumica dhe opozita duhet të fokusohen te reforma në drejtësi, ngritja e SPAK-ut dhe BKH-së, ndërsa bojkoti i parlamentit nuk shkon në këtë drejtim, shton Soreca. "Është e qartë, megjithatë, se heqja dorë nga mandatet është dukshëm kundërproduktive për Shqipërinë dhe shkon kundër interesave të qytetarëve për reforma.
93% e shqiptarëve dëshirojnë t’i bashkohen BE-së, që do të thotë se janë votues nga të gjitha krahët e Parlamentit. Vendi është aktualisht i angazhuar në një rrugë të rëndësishme për reforma. Qershorin e ardhshëm, ai do të gjykohet nga progresi i bërë në këto reforma. Pikë së pari, Reforma në Drejtësi, thelbi i të gjithë ringritjes së shoqërisë shqiptare. Këtu duhet të fokusohen të gjitha përpjekjet e shumicës dhe të opozitës.
Për të ngritur të gjitha institucionet e Reformës në Drejtësi, e në veçanti SPAK-un dhe BKH-në. Ky objektiv i rëndësishëm duhet të udhëheqë vendimet e të gjitha partive politike. Bojkotimi i Parlamentit nuk shkon në këtë drejtim. Nga ana tjetër, ne ftojmë si qeverinë, ashtu dhe opozitën, që të angazhohen në diskutime konstruktive, me qëllim që ta kapërcejnë situatën politike aktuale dhe të garantojnë që vendi të vazhdojë në rrugën e tij të reformave.
Nuk ka kohë për të humbur. Koha është tani" përfundoi ai. Ambasadori i BE-së dhe e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë dje zhvilluan një takim me kryeministrin Edi Rama për të gjetur një zgjidhje për të shmangur krizën politike. Ndërsa zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijancic i bëri apel opozitës që të rikthehet në Kuvend, pasi me veprimet e fundit po bllokon procesin e integrimit në BE.