Kuvendi i Kosovës miratoi një deklaratë lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së. PDK-ja paraqiti një draft për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Parlamenti i Kosovës miratoi me një shumicë prej 99 votash një deklaratë lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, e cila dy javë më parë dënoi për krime lufte katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Deputetët serbë nuk ishin të pranishëm.
Në deklaratë thuhet se Kuvendi shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj vendimit të shkallës së parë kundër katërshës së UÇK-së dhe e "konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët”, që përmendet në gjykim.
Prandaj thuhet më tej, "të bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim i tillë vlerësohet i padrejtë nga Kuvendi i Kosovës”.
Rrethana represioni sistematik
Në deklaratën e cila përmban shtatë pika, rikujtohet se "lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovëslindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij”.
Më tej në deklaratë përmendet rëndësia vendimtare e ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.
"Asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit”, thuhet më tej në deklaratë.
Strategji shtetërore për mbrojtjen e së vërtetës
Pas vendimit të Hagës parlamenti përmes deklaratës kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke bërë thirrje për "hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”.
Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojnë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar kështu "çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”.
Kërkesë për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale
Më 16 shtator, Gjykata Speciale ish-krerëve të UÇK-së u shqiptoi dënime për krime lufte. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim. Me 18 vjet burgim u dënua Kadri Veseli dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimi.
Javën e shkuar Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo që ngërthen në politikën e saj vlerat e luftës së UÇK-së, i propozoi qeverisë të nisë verfikimin e ndryshimeve te paraqitura në projektligjin për Dhomat e Specializuara apo, siç njihet në opinion, Gjykata Speciale.
Sipas projektligjit ndër të tjera kërkohet që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet vetëm te veprat penale të përmendura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë. Projektligji parashikon që edhe periudha kohore që mbulon Gjykata Speciale, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, të ndryshohet në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000. Në projektligj pos neneve të shumta, parashihet edhe që dënimet e Gjykatës Speciale të ekzekutohen në Kosovë dhe personat e dënuar të mos përjashtohen nga e drejta e Presidentit të Kosovës për falje. Ligji akoma nuk ëstë miratuar, por i është paraqitur qeverisë.
Ndryshimi i ligjit për Gjykatës Speciale proces kompleks
Njohësit e çështjeve juridike, nga ana e tyre, thonë se nismat për plotësim dhe ndryshim të ligjit për Dhomat e Specializuara janë tejet komplekse. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për DW-në se deputetët e Kuvendit kanë të drejtë dhe kompetencë kushtetuese për të iniciuar plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara, por "me kusht që plotësimi dhe ndryshimi i ligjit të mos cenojë detyrimet që ka marrë Kosova në bazë të amendamentit kushtetues të përcaktuar me nenin 162 të Kushtetutës. Po ashtu, çdo plotësim dhe ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Republika e Kosovës”.
Sipas Miftarajt çdo plotësim apo ndryshim i ligjit duhet të bëhet në konsultim dhe bashkëpunim me shtetet kryesore të Këshillit të Bashkimit Evropian apo SHBA-në, në mënyrë që këto ndryshime të kenë efekt dhe të jenë të zbatueshme në praktikë.
Protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale
Që nga shpallja e dënimit për ish-krerët e UÇK-së, në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, çdo ditë vazhdojnë të mbahen protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale. Dhomat e Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 dhe selinë e ka në Hagë.
Stafi i I saj është komplet ndërkombëtar. Gjykata Speciale trajton vetëm rastet që lidhen me pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Gjykata Speciale, përmes një neni të posaçëm, u bë pjesë e Kushtetutës së Kosovës, që u miratua nga dy të tretat e deputetëve të atëhershëm dhe po ashtu nga dy të tretat e deputetëve të pakicave, përfshirë edhe nga përfaqësuesit në Kuvend të serbëve të Kosovës.
Sipas dy neneve të tjera të Kushtetutës mandati i Gjykatës Speciale përfundon vetëm atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian e njofton Kosovën për përfundimin e mandatit, duke e bërë kështu Gjykatën Speciale një mekanizëm mbi të cilin autoritetet kosovare, me ligjin ekzistues, nuk kanë asnjë kompetencë./ DW









Komente
Komento