Analiza/Qeveria e “duarve të
pastra” që na la si mos më pis...

Analiza/Qeveria e “duarve të<br />pastra” që na la si mos më pis...
TIRANE- Pyetja e parë, kur dëgjon fjalën buxhet, është: a ma mban xhepi? Këtë e themi për vete, për familjen dhe për shtetin. Dhe më tej, kur e sheh se nuk ta mban xhepi, vjen normal pyetja tjeter: Po përse? Cili është shkaku? Dhe këtu fillon e bën analizën. Dhe unë po përpiqem ta shoh buxhetin e vitit që vjen, si dhe sistemin e ri të taksave të propozuara, nga një këndvështrim krejt specifik; jo thjesht siç jemi mësuar rëndom ta analizojmë, pra nga këndvështrimi makroekonomik me treguesit fiskalë dhe monetarë por, nga këndvështrimi i rrethanave të një buxheti ku për herë të parë në këto 23 vite fjala kyçe dhe molla e sherrit të çdo debati është borxhi dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura.

Dhe për të vazhduar më tej, sërish mendja të shkon se pjesën dërrmuese të kësaj molle sherri e (kanë) zënë investimet, ku pa dyshim transporti dhe rrugët kanë pjesën e luanit. Në ekonominë e tregut kemi një ekonomi mikse, në te cilen tregu përcakton sasinë e prodhimit dhe çmimet në shumë sektorë individualë dhe qeveritë drejtojnë ekonominë totale me programet për taksa, shpenzime, dhe rregullat monetare. Të dyja gjysmat – tregu dhe qeveria - janë esenciale për një ekonomi funksionale dhe të shëndoshë. Të operosh një ekonomi moderne pa të dyja është si të lash fytyrën me një dore.

Të gjithë e dinë se është mirë të rriten investimet dhe të ulen taksat. Por ne nuk e trasheguam këtë luks. Çështja është nëse Qeveria kërkon të balancojë buxhetin (në kushtet e një papunësie të madhe) apo të përdorë politika fiskale për të stimuluar ekonominë. Nëse bëhet e para duhet shoqëruar me shkurtime të mëdha të shpenzimeve, gjë që nuk mund të ndodhë në kushtet aktuale pasi do të prekej direkt biznesi. Atëherë mbetet e dyta.

Buxheti që po shqyrtohet për vitin 2014 mund të konsiderohet pa dyshim si buxheti më i vështirë dhe si buxheti i halleve të Shqiptarëve.  Kjo, për shumë arsye por ajo më kryesorja është se ai vjen i bërë në një moment prag-krize të trasheguar nga qeverisja e shkuar ku borxhi publik u la në afro 64.75% të Prodhimit të Brendshëm ose rreth 8.5 miliardë USD, që sipas një raporti të fundit të CIA-s, 50% e ekonomisë shqiptare është informale, ku u trashëgua një borxh për firmat private  prej rreth 600 milionë USD (ende jo 100% i përllogaritur) duke e vënë Qeverinë aktuale para faktit të kryer duke marrë borxh për të larë borxh, ku shuma e kontratave të lidhura dhe në vazhdim (përfshi dhe punimet e kryera por të papaguara) vetem për rrugët nacionale arrin në rreth 800 milion USD, ku jane bërë e lënë pa bërë rrugë por pronarët nuk janë shpronësuar (për shembull në 2012 u mundësuan vetëm 3.3 milionë USD nga 20 milionë USD që prisnin të prekurit nga shpronesimet), ku remitancat (ndihmat nga emigrantët për familjet e tyre) arriten minimumin e minimumeve ndër vite me një ulje prej 136 milionë Euro ose 28% me pak në 2013 në krahasim me vitin 2012, dhe ku u privatizuan pothuajse të gjitha asetet publike Shqiptare dhe nuk ka mbetur gjë më për të privatizuar, ku shumë pak blihet e shitet në krahasim me periudhat e mëparshme.

U kthyem nga një shoqeri konsumi, në një shoqëri borxhlie, ku kushdo i ka borxh kujtdo; shteti firmave private, firmat private i kanë borxh rrogat punonjësve të vet, ato i kanë borxh gjithashtu nën-kontraktorëve të tyre dhe padyshim i kanë borxh bankave në formën e kredive që kanë marrë për vazhdimin e punimeve, këto të fundit kanë likuiditetet, por frikë të japin kredi a të investojnë, pasi përqindja e kredive të keqia ka arritur në rreth 25% ose më e larta në Europe, papunësi e madhe, rritje ekonomike e ulet me rreth 1.2% ose aq sa pas ngjarjeve të vitit 1997.

Gjithsesi, kjo është njëra anë e medaljes, pasi ana tjetër e saj ka të bëjë me faktin se ky buxhet vjen në një moment kur qeverisja aktuale duhet të tregojë shënja serioze se premtimet që ajo bëri gjatë fushatës do të fillojn të aplikohen. Ku më mirë se në buxhet, ku mund të mishërohen ato? Dhe në rezonancë me të vjen pikërisht dhe paketa e re fiskale me ndryshimet e propozuara për sistemin e taksave, të cilën asnjë qeveri sado e pasur të ishte nuk do ta kishte patur zili ta aplikonte.

Me pak fjalë, mund të themi se nga orkestra jofunksionale e qeverisjes së shkuar lindi një sinfoni e quajtur borxhi dhe që i mbetet dirigjentit të tanishëm (Kryeministrit Rama), që jo vetem ta përfundojë këtë sinfoni por edhe të rrëzoje skepticizmin e publikut që dëgjon dhe shikon me sytë nga orkestra dhe sinfonia e re. Dhe e gjitha kjo duhet të ndodhë në më pak se 4 vjet.

Gjithsesi, në këtë analizë, një fakt i pakontestueshëm është i vërtetë: se ish opozita e djeshme dhe qeverisja e sotme nuk e dinte saktë se sa e madhe ishte gropa e zezë e financimeve në Shqipëri, në kushtet e një terri informativ dhe të një transparence të munguar.
Që të bësh një analizë sa më të sakte dhe të besueshme për lexuesin (që është dhe takspaguesi dhe drejtpërdrejt i interesuari për temën në fjalë) duhet të bëjmë një reflektim të mënyrës se si u hartuan buxhetet e viteve të shkuara që na çuan në këtë gjendje financiare, e cila për hir të së vërtetës është “Made in Albania”, pasi nuk na e solli njeri nga jashtë, por e prodhuam ne, dhe këtu. Unë, siç përmenda më sipër, po e trajtoj këtë nga këndvështrimi i buxhetit në lidhje me investimet dhe kryesisht për investimet në rrugë pasi ato, në njëfarë mënyre, përbëjnë dhe një ndër shkaqet kryesore të gjëndjes, në të cilën ndodhemi sot. 

Po i referohem vetëm buxheteve të 2 viteve të fundit 2012 dhe atij 2013 për të bërë analizen e mëposhtme:
Se pari, ato buxhete për investimet në infrastrukturë ishin në rastin më të mirë jo-profesionale sepse financuan rrugë të pamundura për t’u mbaruar, gjë që çoi dhe në borxhet marramendëse dhe rrugë që nuk do ta shlyejnë ndonjëherë investimin që u krye për to. Për të kuptuar magnitudën e problemit, mjafton të permendim vetëm faktin që i gjithë investimi që po planifikohet të jepet për transportin për vitin 2014 është rreth 245 milionë USD, fiks sa detyrimet e prapambetura të buxhetit të shtetit ndaj biznesit privat vendas dhe të huaj për punime e shërbime publike, e cila kap vlerën 24.6 miliardë lekë.

Së dyti, ato ishin pa sens planifikimi, pasi ka qenë semundje e qeverisë se shkuar që akordimin e fondeve për transportin ta bënte jo sipas prioriteteve të miratuara nga vet ajo në programin e saj, në programet sektoriale apo buxhetet afatmesme, por thjesht e vetëm në mënyrë sporadike, urgjente dhe me urdhëra nga lart (autokratike); pra, në vend që qeveria të alokonte fondet aty ku ishin nevojat, i dërgonte këto fonde sipas dëshirave të deputetit që godiste me shume opozitën e asaj kohe. Mjafton t’ju sjell vetëm një rast për të kuptuar se sa joefiçent ka qenë ai sistem planifikimi; u hodhën miliona Euro financime të huaja për Portin e Durresit, madje iu dhanë të gatshme konçesionerëve kalata e sheshe dhe sot e kësaj dite nuk u bë ajo që duhej bërë e para: Thellimi i Portit; që do të thotë, gjithë ato investime janë të pajustifikueshme, për sa kohë që në Port ende nuk mund të vijnë anije të mëdha të tonazhit 20-30,000 DWT e sipër.

I njëjti fenomen ka ndodhur dhe me Portin e Shëngjinit. Për më tepër, as nuk u ndoq cikli normal i një projekti që fillon me fazen e bërjes së fizibilitetit, por thjesht u nxitua të ndërtohej me shpejtësi për zgjedhjet e radhës. U miratuan ligje e vendime pa reflektuar në buxhet kostot financiare që ato sjellin, gjë që çoi në atë që disa prej tyre sot të jenë të paimplementueshme. Pa përmendur implementimin e buxheteve të karakterizuara nga vjedhje e korrupsion si Rruga e Kombit, Fier-Tepelena, Lushnje-Fier, Fier-Vlora, Rruga Ballkanike etj, që opozita në kohen e vet i ka ngritur me qindra herë si debate të nxehta në parlament, por jo vetëm.

Së treti, buxhetet ishin diskrete, pasi rrallë herë në këto buxhete gjeje qoftë edhe një projekt të financuar nga fillimi në fund (madje as edhe në harkun kohor të 4 viteve), ndërkohë që janë jo të pakta rastet kur është tenderuar projekti (si për shembull Unaza e Tiranës) me vlerën e plotë 119 milionë USD, ndërkohë që buxheti që është alokuar ka qenë 1 milion USD, pra vetëm 1%, pra 100 vite për t’u ndërtuar. Po kështu, siç e përmenda më sipër, nëse i referohemi zërit të shpronësimeve është ndjekur i njëjti trend, ku për shembull vetëm në 2012 fondi i alokuar për shpronësime (325 milionë Lek) ka qenë rreth 7 herë më i vogel se sa ishin nevojat reale për rrugët e ndërtuara dhe rrugët në ndërtim. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për pamjaftueshmërinë e theksuar të fondeve të TVSH dhe Kostos Lokale për mbështetjen e projekteve me financim të huaj ndërkohë që rrugët janë ende në ndërtim e sipër.

Së katërti, buxhetet kanë qenë të paharmonizuara dhe të disbalancuara, pasi sektorët e transportit nuk u konsideruan si një e tërë, por u punua më së shumti për rrugët me ato difekte që përmenda më sipër duke lënë në harresë sektorë të tjerë jetikë si hekurudha apo dhe transporti detar. Hekurudha lëngon edhe pse për çdo vit nga buxheti ajo subvencionohet me mbi 4 milionë USD. Mjafton të përmendim faktin që edhe brenda të njëjtit sektor si për shembull atë të rrugëve, ka patur diskriminim, ku është lënë pothuajse në harresë buxhetore çështja aq shumë shqetësuese sot në Shqipëri që ka të bëjë me sigurinë rrugore dhe aksidentet. Po kështu, fondet që janë dhënë për sistemin e aviacionit ishin vetëm për ruajtjen fizike të Aeroportit të Kukësit.

Së pësti, buxhetet kanë qenë jo të qendrueshëm, pasi ndërkohë që janë bërë investime në vepra edhe të medha, madje edhe me kosto e interesa të larta, sot nuk janë në gjëndje të mbajnë veten e tyre. Për shembull, janë alokuar për mirembajtjen e rrugëve jomjaftueshmërisht fonde, që duhet në të vertetë, për ti kthyer ato në gjëndje të mirëmbajtshme, pa përmendur këtu rrugën e kombit Milot-Morine, për të cilën është alokuar në vite minimum i minimumit të mirëmbajtjes dhe që sot rrezikon të shkatërrohet. I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me sistemin e ujësjellës-kanalizime, ku janë hedhur miliona Euro për ndërtime dhe nuk janë vënë në veprim ende, nuk operojnë dhe nuk i japin komuniteteve shërbimet për të cilat është investuar në to, për arsye se nuk ka fonde për t‘i vënë në shfrytëzim, për të paguar energjinë elektrike etj.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme; kur flasim për sigurinë rrugore, natyrisht që duhet të ndalemi më shumë, pasi qeveria që iku në 2 vitet e fundit të saj shpenzoi pothuajse 0 Leke për sigurinë rrugore; zbatoi pothuajse 0 veprime të planit të përmirësimit të sigurisë që vet ajo miratoi me VKM, i rriti vdekjet në rruge në mënyrë drastike, duke arritur në rreth 360 në vit, la të paralizuar me qindra e mijëra njerëz; harxhoi 3.5 miliardë USD për rrugët dhe bëri që në to të vdesin e dëmtohen aq njerez sa që ekonomisë shqiptare nga këto humbje i kushtoi rreth 2 miliardë USD të tjera.

Vazhdojmë analizën me “të mirat” që na erdhën nga shpenzimet marramendëse për transportin dhe rrugët.
Për përiudhën 2006-2012 u paguan (pa futur borxhet për punimet e kryera, TVSH të pakthyera, tatim fitimin paraprak të paktheyr dhe punimet e kryera por të padeklaruara) rreth 3 miliardë USD, përfshi rrugët nacionale dhe rrugët rurale. Me pak hamendje, po të themi që shumat e papaguara/pakthyera për këto kompani janë në nivelin e 350 milonë USD, dhe shpenzimet e bëra për rrugët në vitin 2013 (nacionale + rurale) në nivelin 250 milionë USD, i bie një shume në total e shpenzuar prej 3.6 miliardë USD. Gjithçka për të ndertuar, rehabilituar dhe riparuar jo më shumë se 6500 km rrugë. Të mos harrojmë se rreth 0.8-1 miliardë USD janë kredi të marra për këto rrugë, për të cilat do të vazhdojmë të paguajmë interesat në vitet që vijnë.

Borxhi publik i qeverisë qëndrore në fund të shtatorit 2013, vlerësohet të jetë 871,858 milionë lekë (rreth 8.5 miliard USD) ose 64.75% e PBB-së. Ky borxh përbëhet nga borxhi i brendshëm (pra borxhi që qeveria merr kryesisht nga Banka Qëndrore) dhe i jashtëm (kreditë që merren nga Bankat e Huaja apo ato në vend) që janë vlerësuar përkatësisht 37.15% dhe 27.60% e PBB-së. Ky borxh sigurisht nuk është marrë vetëm për rrugët por edhe për nevoja të tjera të shpenzimeve të buxhetit si pagat, pensionet, asistencat, investime në dikastere të tjera, shlyerje kredish etj.

Në kohën e qeverisjes socialiste 1998-2005 u ndërhy në rreth 1200 km rrugë nacionale si dhe rreth 3000 km rruge rurale në shumen e rreth 850 milionë USD. Dhe borxhi për to ishte rreth 250 milionë USD, prej të cilit vetëm rreth 60% ishte kredi.
Pra, për periudhën 2005-2013 u shpenzuan 3.6 miliardë USD vetëm për rrugët ose rreth 42% e borxhit total. Pra, ja vlen të ndalemi dhe ta thellojmë analizën pasi pyetja që shtrohet është: A ja ka vlejtur?
shkrimi vijon në numrin e ardhshëm...

Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit