Andoni: Po me viktimat e gjyqtarëve të VETTING, si do bëhet?!

Andoni: Po me viktimat e gjyqtarëve të VETTING, si do bëhet?!

Fshesa e VETTING-ut duket e pamëshirshme. Në fakt, ajo po vendos deridiku një standard të munguar të Drejtësisë shqiptare. Vetting ka fshirë disa nga personazhet që mbushnin segmentet kryesore të kinse-funksionalizimit të Drejtësisë së shtetit shqiptar, por edhe një përqindje të madhe të juristëve të gjitha niveleve. Më shumë se kaq, ajo ka trandur dhe vazhdon të tundë një sistem krejtësisht të kalbur dhe që për dëmet të cilat i ka krijuar vendi meriton çdo paralelizëm me të keqen.

Edhe pse strukturat e monitorimit dhe realizimit të VETTING u përfolën kurse konsensusi politik ndodhi vetëm në fillim, kur u përdor presioni i faktorit të huaj, Vetting-u qoftë dhe me filtrat që ka në zotërim tregoi se funksionon deridiku. Megjithë kundërshtitë e një takëmi njerëzish të drejtësisë, mbase edhe me shikimin disi të dyshimtë të një pjese tjetër, janë rrëzuar shumë njerëz. Këto qenie, që jepnin verdikte e shumë njerëzve, kanë bërë batërdi për të cilat do  të skuqej çdo lloj regjimi. Për fat të keq dhe strukturat ndihëse të shtetit, që nga SHISH, DSIK dhe ILDKPI jo vetëm nuk kanë funksionuar por ato kanë mundësuar direkt me mungesën e profesionalizmit dhe informacionit, që këta njerëz të mos preken. Vetëm se nëse do të funksionojë si duhet Vetting për Drejtësinë, ai duhet të shtrihet për politikën dhe policinë por edhe në fusha të tjera për të kuptuar realisht rrënjën e të keqes në vend.

***

Po çfarë do ndodhë realisht me njerëzit  në kurrizin e të cilëve janë marrë vendime, nga ku këta gjyqtarë kanë përftuar për të ndërtuar parajsat e tyre? Pse vallë Vetting nuk ka zbritur deri te prokuroria për bëmat e tyre? Cili do t’ua kthej pas atë shqetësimin që kanë pasur viktimat e vendimeve të padrejta, kur shihnin këta gjyqtarë të krekosur me njerëz të krimit?

Korrupsioni i Drejtësisë, i cili në Shqipëri është relativizuar dhe kthyer gati  në një fjalë boshe, e ka cënuar shumë moralisht vendin tonë. Bisturia e Vetting me gjithë operacionet e mira sigurisht nuk mund ta heqë krejt sëmundjen. Ndërkohë që në Shqipëri mund të themi se ka ende punonjës të Drejtësisë për të cilët duhet të ishim krenarë. Por vallë a është qetësim kjo para kushedi sesa viktimave që kanë vuajtur nga vendimet e gjyqtarëve të korrupsionit? Sa mund t’i konsiderojmë vendimet që kanë marrë këta gjykatës dhe që e drejta ka qenë dukshëm e marrë nëpër këmbë, të vlerësohet si duhet…

Kjo mungon, sepse deri më sot strukturat e Drejtësisë me pak raste kanë zbritur pak më poshtë, kurse ajo që mund të kthejë disi humbjet njerëzve dhe mbi të gjitha dinjitetin e tyre është shuar krejt. Me sa duket vendi ynë ka nevojë dhe për një rishikim tjetër të fajit të këtyre personazheve të errët sa i përket gjykimeve të padrejta. E kjo do të kërkojë një ndërmarrje tjetër po kaq të madhe.

Viktimat e Drejtësisë së munguar janë të shumta në vend dhe ata po vuajnë realisht pasoja që mbase nuk do mund t’i rikuperojnë dot. Ky është shqetësimi më i madh në ditët tona…Drejtësia e re e Vetting është marrë vetëm me vlerësimin e pasurive dhe aspak me procesin sesa kanë ndikuar vendimet e këtyre njerëzve. ILDKP, institucioni më së shumti ku po mbështetet Vetting, nuk ka mundur të shkojë më tej për vite me a-profesionalizmin e tij, përveç relatimit dhe kujtesës së një pune të fjetur përgjatë viteve. Ndërkohë procesin mund ta kenë kaluar dhe shumë personazhe të cilat vërtetë kanë dalë mirë me pasuritë e deklaruara por aman nuk mund të përballin standardet më të thjeshta profesionale. Kjo të vjen ndërmend sot kur besimi i njerëzve te shteti ynë është në pikën më të ulët dhe ku drejtësia e munguar ka luajtur një rol primar. Me pak fjalë, nëse nuk ka një dënim shembullor për këta njerëz me konflikte të deklarimit të pasurive pse nuk duhet të ketë një dëmshpërblim të paktën moral për njerëzit që kanë vuajtur vendimet e njerëzve që dalim me kokë ulur nga procesi i Vetting.

Për këtë s’kemi përgjigje sepse masën e vendimeve të padrejta vërtetë e kanë ekzekutuar këta viktima të Vetting, por bashkëpunëtorët kanë qenë të fortët, politikanët dhe shumë njerëz me pushtet që kanë fërkuar duart me vendimet e tyre.

Sot, njerëzit kërkojnë që këta kokulur të VETTING duhet të përballen dhe me ankimet për vendimet e tyre por edhe ato fatkeqësi që kanë mbjellë tek viktimat e vendimmarrjeve kriminale. Ndryshe Vetting do mbetet thjesht një institucion, që merret me rakordimin e pasurisë dhe do të justifikojë punën e jashtëzakonshme të Shqipërisë me ndihmën e faktorit ndërkombëtar. (Homo Albanicus)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Ne blejmë më shtrenjtë se qytetarët e BE', deputetja e PL-së: Shëndeti i shqiptarëve kërcënohet si nga prodhimi vendas dhe ai i importit

'Ne blejmë më shtrenjtë se qytetarët e BE', deputetja e PL-së: Shëndeti i shqiptarëve kërcënohet si nga prodhimi vendas dhe ai i importit