Vendimi i presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet vendore duket se e ka shtuar më tepër krizën institucionale se sa i dha zgjidhje ngërçit politik. Akti për anulimin e zgjedhjeve nuk është i parashikuar në Kushtetutë e për pasojë cilësohet një akt nul nga juristët e Partisë Socialiste por edhe nga një pjesë e konstitucionalistëve. Për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, Kushtetuta ka vetëm një parashikim në nenin 92 pika “gj”, ku thuhet se Presidenti “cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. Ndërsa për anulimin e datës së zgjedhjeve apo shtyrjen e tyre nuk ka asnjë parashikim.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në vitin 2017 kur ish-Presidenti Bujar Nishani, shtyu datën e zgjedhjeve në Kavajë dhe zgjedhjet e përgjithshme për një javë, më datë 25 qershor. Por ndryshe nga atëherë kur vendimi u mor pas marrëveshjes së 17 majit mes dy forca politike kryesore, tani Meta e ka vendosur vetë pa konsultuar të paktën zyrtarisht me asnjë parti politike.
Edhe ne 2017 presidenti Bujari Nishani e argumentonte vendimin e tij në bazë të nenin 92 të Kushtetutës si dhe të nenit 9 te “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” që nuk parashikojnë shtyrje apo anulim të datës së zgjedhjeve, por vetëm caktim date.
Shumë konstitucionalist shprehin shqetësimin se kjo krizë mund të pasojë rrezikun e një krize më të madhe institucionale. Ka interpretime të ndryshme ligjore edhe sa i përket përfundimit të mandatit të kryebashkiakvë dhe Këshillave Bashkiakë.
Kodi Zgjedhor, i cili prevalon mbi ligjet në nenin 10, pika 2 parashikon që: “Mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
Nëse do të marrim këtë parashikim dhe një shembull, del që KQZ ka shpallur fitues Erion Veliajn më datë 8 Korrik të 2015, ndërsa në datë 10 Gusht ka shpallur rezultatin në shkallë vendi duke i dhënë kështu edhe mandatin Veliajt. Pra sipas këtij parashikimi të Kodit, mandati i Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës dhe i Këshillit Bashkiak përfundon në datë 10 gusht.
Sa i përket mandatit, juristë të ndryshëm bëjnë interpretime të ndryshme duke iu referuar ligjeve të tjera.
Ligji për qeverisjen vendore, në nenin 60 pika 4 parashikon që: “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”. Ndërsa në nenin 53, pika 1 për funksionimin e Këshillit Bashkiak theksohet se: “Këshilli bashkiak ushtron funksionet e tij nga data e konstituimit, sipas nenit 48, të këtij ligji, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës”. Pra në këtë linjë argumentimi, kryetarët e Bashkive dhe Këshillat Bashkiakë vijojnë funksionimin deri në zgjedhjen e organeve të reja të qeverisjes vendore.
Tashmë mbetet vetëm për tu parë se cili do të jetë argument i Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve, pasi edhe në këtë pikë, konstitucionalistët ndahen, për faktin se pluralizmi politik dhe mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje nuk është argument, pasi pluralizmi politik është i garantuar dhe me mospengimin e opozitës për tu bërë pjesë e zgjedhjeve, ndërsa cenimi i sigurisë kombëtare do të sillte nevojën dhe detyrimin për thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Një tjetër interpretim është se bazuar në Kodin e Procedurës Administrative, vendimi i presidenti meta është plotësisht i pavlefshëm.
“Neni 108 i Kodit te Procedurës Administrative vlerëson si akte absolutisht të pavlefshme aktet e nxjerra në kundërshtim me kompetencat e parashikuara. Dhe jo vetëm kaq, por vlerëson si të dënueshëm ekzekutimit e një akti të tillë nga personat qe marrin dijeni mbi të.
Teksa zhdekretimi i Presidentit Meta është bërë fakt, tashmë mund te ketë edhe një tjetër etapë për të vendosur nëse zgjedhjet e 30 qershorit do të anulohen apo do të vazhdohet drejt kësaj date. Dekreti i Presidentit duhet të merret në shqyrtim nga KQZ, i cili është institucioni që administron zgjedhjet. KQZ, si institucion vendimmarrës kolegjial duhet të hedhë në votim dhe të vendos nëse zhdekretimi i Metës është akt i pavlefshëm si një komisionin Kolegjial duhet të hedhë në votë dhe të pranojë ose jo këtë dekret. Ndërkohë Partia Socialiste ka vazhduar edhe sot fushatën zgjedhore.