Arkivoli është një nga simbolet më të forta politike. Mund të përdoret si metafora e fundit për "vdekjen" e një sistemi, një ideje apo një karriere politike. Por pikërisht sepse mbart ngarkesë të madhe simbolike, përdorimi i tij në një protestë qytetare është gjithmonë i debatueshëm. Megjithëse është përdorur në protesta anembanë botës për të shpallur simbolikisht se një pushtet "ka vdekur" edhe pse vazhdon të qeverisë.

Por pikërisht sepse është metafora më e rëndë, lind pyetja: “A ka vend arkivoli në një protestë paqësore qytetare? A është ky simbol shenjë e pjekurisë demokratike, apo dëshmi se politika shqiptare vazhdon të ngatërrojë teatrin me demokracinë, spektaklin me kauzën dhe funeralin me fitoren?”

Një protestë demokratike synon të bindë, jo të frikësojë; të mobilizojë qytetarët, jo të krijojë atmosferë mortore. Kur në shesh shfaqet një arkivol, (sidomos pas thirrjeve “Vdekje tradhtarëve!”) vëmendja shpesh largohet nga kauza dhe përqendrohet te simboli. Debati nuk bëhet më për padrejtësinë, korrupsionin apo keqqeverisjen, por për kufijtë e etikës së protestës.

Simbolet kanë fuqi të jashtëzakonshme. Një flamur mund të bashkojë një komb; një statujë e rrëzuar mund të shënojë fundin e një regjimi; një arkivol mund të shpallë fundin simbolik të një pushteti. Por simbolet e errëta mund të ushqejnë edhe gjuhën e urrejtjes dhe të përshkallëzojnë polarizimin.

Demokracia jeton nga kundërshtimi, jo nga demonizimi. Kundërshtari politik duhet mundur me votë, me argument dhe me presion qytetar, jo me metafora që prekin kufirin mes simbolikës politike dhe vdekjes fizike. Edhe kur synimi është vetëm "vdekja politike", simboli mund të interpretohet ndryshe nga publiku.

Romakët e lashtë e dinin mirë fuqinë e ceremonive publike. Triumfet dhe funeralet ishin instrumente pushteti. Kush kontrollonte simbolin, kontrollonte edhe emocionin e turmës. Që atëherë e deri sot, politika ka kuptuar se njerëzit shpesh nuk binden nga argumenti, por nga imazhi.

Arkivoli është pikërisht një përpjekje për të zëvendësuar argumentin me imazhin. Ai nuk fton për debat; ai shpall një verdikt dhe i kërkon qytetarit vetëm të duartrokasë "varrimin" simbolik të kundërshtarit.

Por demokracia nuk njeh funeral politik pa zgjedhje. Në demokraci, pushtetet nuk varrosen në shesh; rrëzohen në kutinë e votimit. Çdo rrugë tjetër është më afër logjikës së turmës sesa kulturës së republikës.

Fakt është se pushtetet autoritare e kanë ushqyer gjithmonë këtë lloj simbolike. Totalitarizmat e shekullit XX nuk mjaftoheshin të fitonin kundërshtarin; ata donin ta "varrosnin" edhe në kujtesën kolektive. Nuk u mjaftonte humbja politike; kërkohej edhe eliminimi simbolik. Por aty ku fillon varrimi simbolik i kundërshtarit, shpesh fillon edhe varrimi i pluralizmit.

Edhe filozofët e politologët kanë paralajmëruar për këtë. Kur këmbëngulim te emocionet, turma nuk kërkon më të vërtetën; kërkon spektaklin.

Një protestë qytetare duhet të jetë një demonstrim i epërsisë morale ndaj pushtetit, jo një garë për metaforën më makabre. Forca e saj qëndron te qytetarët, te argumenti, te dinjiteti dhe te aftësia për të bindur edhe ata që mendojnë ndryshe. Jo te dhënia ushqim e pretekst pushtetit për të sulmuar.

Ndaj debati nuk bëhet nëse lejohet apo jo përdorimi i arkivolit. Demokracia lejon edhe simbole provokuese. Debati është nëse ai objekt i shërben kauzës. Një protestë fiton kur zgjon ndërgjegjen e qytetarëve, jo kur i trondit ata me imazhe që mund të errësojnë mesazhin. Kur simboli bëhet më i fortë se argumenti, protesta rrezikon të humbasë forcën morale që e bën legjitime.

Në demokraci, idetë mund të "vdesin", qeveritë dhe pushtetet mund të bien. Por gjuha politike nuk duhet të varroset bashkë me to.

Ndaj, kujdes me metaforat. Çdo epokë që ka filluar duke varrosur simbolikisht kundërshtarët, ka përfunduar duke varrosur lirinë.