Përse shqiptarët historikisht dëgjojnë më shumë atë që bërtet, kërcënon dhe poshtëron, sesa atë që shpjegon, bind dhe respekton? Pse, në vend që të kërkojmë një lider të fortë në karakter, kërkojmë një lider të fortë në dorë? Ndoshta, sepse për shkak të formimit tonë kulturor e politik kemi ngatërruar për shumë kohë forcën me autoritetin.
Në Shqipëri shteti ka qenë gjithmonë autoritar, i largët, i padrejtë ose i paaftë, duke injektuar mentalitetin që me të butë nuk merresh vesh. Duhet të bërtasësh, të kesh mik dhe, sidomos të kesh pushtet. Ta trembësh tjetrin para se ai të të trembë ty.
Kështu lind miti i “të fortit” që nuk kërkon të respekt, por frikë. Nuk ka synim të bindë, por të urdhërojë. Që sulmon në vend të përgjigjes dhe quan armik atë që e kritikon, sepse nuk e përtyp dot kritikën.
Ndërkohë, me kalimin e kohës, ata që e duartrokasin më vonë do të poshtërohen prej tij. Por pse e pranojnë shqiptarët? Pa dashur të bëj shumë zhbirime në psikosintezën tonë kujtoj një shprehje, e cila thuhej në Vlorë dhe që mendoj se e përmbledh më së miri nënshtrimin tonë përballë arrogancës: “Jemi rrahur që kulishë!”
Sepse arroganca krijon një iluzion sigurie. Përballë kaosit, njeriu i pasigurt kërkon dikë që flet me siguri absolute. Nuk ka rëndësi nëse thotë të vërtetën. Mjafton të mos duket i pasigurt.
Demokracia, përkundrazi, është e bezdisshme. Ajo kërkon debat, durim, kompromis, institucione, kontroll dhe përgjegjësi. Lideri demokratik duhet të shpjegojë pse. Lideri autoritar mjafton të thotë që ashtu do ai.
Dhe shqiptari, i mësuar me këtë trajtim e adhuron këtë.
Dhe në vend që të kërkojë dikë që e respekton, mban atë që i duket se mund ta mbrojë, paçka se nesër do t’i marrë edhe dinjitetin.
Pastaj ankohet.
Ankohet për arrogancën e pushtetit, ndërkohë që ka votuar arrogancën. Ankohet për korrupsionin, ndërkohë që admiron “të fortin” që i ka shkelur rregullat. Ankohet për mungesën e drejtësisë, ndërkohë që ka bindjen se drejtësia është ajo që vendos më i fuqishmi.
Arroganca nuk bie nga qielli.
Ne e ngjisim atje. Dhe pastaj habitemi pse na sheh nga lart.
Nuk mund të ndërtohet qytetari demokratike me psikologjinë e oborrit të mbretit.
Në një demokraci normale, qytetari nuk duhet të përkulet përpara pushtetit. Pushteti duhet të përkulet përpara ligjit. Arroganca duhet t’i nënshtrohet tolerancës dhe rregullave demokratike.
Por kjo kërkon që shqiptarët të ndryshojnë mënyrën se si e perceptojnë forcën.
Forcë nuk është të poshtërosh, por të mos kesh nevojë të poshtërosh askënd.
Forcë nuk është të persekutosh e t’i mbyllësh gojën kundërshtarit, por të pranosh kritikën.
Forcë nuk është të të kenë frikë, por të mos kërkosh që të tjerët të kenë frikë prej teje.
Ndaj dita kur shqiptari do të pushojë së admiruari dorën e fortë dhe do të fillojë të kërkojë institucionin e fortë, do të jetë dita kur do të ndryshojë gjithçka për shqiptarët.
-
Sipas opinionit tim, edhe ju nuk beni perjashtim ne psikosintezen e pergjithesimit per shqiptaret. Pra mund te themi, se edhe ju ne nje fare menyre, ne imponimin e mendimit, ushtroni njefare arrogance, pikerisht ate qe ju, nuk deshironi ta zhbiriloni..Deri ne kete pike, mendoj se me kuptoni. Le te zhbirilojme psikosintezen. Nuk me vjen mire, qe gjithmone, te perdorim shqiptaret, si etalon te arrogances dhe bindjes ndaj ushtrimit te forces. Ndaj ushtrimit te forces, sepse shqiptaret per 50 vjet, qe ne fillimin e krijimshtetit dhe dei ne demokraci, i vetmi ligj qe u servir ishte "ligji i kerbacit", dmth denimit me vdekje. Atehere, cfare mund te themi per zhvillimin gradual te ligjit kur ti ke provuar per 50 vjet, ne kurriz, etapen e fundit te bindjes ndaj shtetit? A ekziston nje ligj me i eger, se ai i denimit me vdekje?! Psikosinteza, nuk qendron per shqiptaret nese jane arrogante apo jo. Problemi eshte tek temperamenti sanguin i races. Dmth. nqs heqim nje paralele qe nga bregdeti i Spanjes jugore, ,me Basket. ne Italine jugore Me Cosa Nostra, Sacra Corona Unita etj, Shqiperia Jugore, Greqia e copetuar nga ishujt, ku dendesia eshte 1 banore/1000 m2 ( dmth. vete zot e vet shkop), Turqia jugore , etj. Pra, cfare deshiroj te shpreh me psikosintezen e karakteristikes arrogante te races? sa me ne Jug te zbresesh, aq me" Udheheqes te Pameshirshem" behen, temperamenti i liderit qe nuk deshiron tjeter mbi krye....
Përgjigju












Komente
Komento