Shqiptarët mund të mos ndërtojnë dot institucione serioze.
Mund të mos mbajnë dot përgjegjësi publike.
Mund të mos respektojnë radhën, ligjin, profesionin, votën apo edhe vetveten.
Por një gjë e bëjnë në mënyrë perfekte, me një talent që do duhej futur në UNESCO si pasuri kombëtare: llogjet nëpër kafene dhe fejsbuqe.
Aty jemi superfuqi.
Në tavolinën e kafesë, shqiptari është njëkohësisht kryeministër, trajner kombëtareje, prokuror i SPAK-ut, ekspert ekonomie, strateg ushtarak i NATO-s dhe profesor filozofie politike.
Me një ekspres të gjatë përpara me tre lugë sheqer dhe një cigare në dorë, zgjidh krizën në Lindjen e Mesme, rrëzon qeverinë, shpëton opozitën dhe reformon drejtësinë.
Pastaj çohet, lë 10 lekë bakshish, krruhet poshtë barkut, pështyn dhe shkon në shtëpi të ankohet se “Ky vend nuk bëhet”.
Në Facebook? A në Facebook pastaj arrijmë nivel tjetër qytetërimi. Aty çdo analfabet funksional bëhet akademik. Shan dhe komenton pa lexuar statusin apo shkrimin e tjetrit. Shkruan për të kundërshtuar dhe jo se ka kuptuar.
Në Facebook çdo militant bëhet moralist. Çdo militar bëhet filozof. Çdo patronazhist bëhet patriot. Çdo i korruptuar bërtet kundër korrupsionit. Dhe çdo njeri që nuk ka lexuar as gjysmën e një libri në jetën e vet, shkruan statuse 3 mijë fjalësh për demokracinë, kombin, tradhtinë dhe moralin europian.
Popull që nuk ngrihet për të drejtat e veta, por çohet në këmbë për një koment në Facebook.
Popull që nuk proteston për taksat, varfërinë apo vjedhjen e votës, por është gati të bëjë luftë civile për një status, një share apo një emoji.
Në Shqipërinë tonë të gjithë janë “të revoltuar”, por askush nuk lëviz. Të gjithë “e dinë të vërtetën”, por askush nuk merr përgjegjësi. Të gjithë “e urrejnë sistemin”, por në fund secili kërkon një mik në bashki, një kushëri në parti, një tender, një vend pune apo një favor.
Se shqiptari nuk e do ndryshimin. Shqiptari do vetëm privilegjin personal. Ndaj kafja dhe Facebook-u janë parlamenti ideal i shqiptarit; shumë zhurmë, shumë patriotizëm fals, shumë trimëri me fjalë dhe zero kosto personale.
Në Shqipëri njerëzit nuk maten nga puna që bëjnë, por nga mënyra si bërtasin. Nuk respektohet ai që ndërton, por ai që shan e shahet më bukur. Nuk dëgjohet profesionisti, por deliranti me internet dhe me profil me flamur kombëtar.
Dhe pastaj habitemi pse na qeverisin gjithmonë të njëjtët.
Fare e thjeshtë: Pushteti nuk ka frikë nga popujt që flasin. Ka frikë nga popujt që veprojnë.
Ndërsa ne kemi vite që kemi ngatërruar revolucionin me komentin dhe opozitarizmin me llogjet e kafesë.
Në fund të fundit, ky është modeli ynë kombëtar: Njëri vjedh. Tjetri ankohet. I treti bën status. I katërti bën “like”. I pesti "dislike." I gjashti shan gjithë mllef pa e kuptuar pse.
Dhe nesër të gjithë prapë në kafe, duke diskutuar pse Shqipëria nuk bëhet.
Komente











