Ardian Paci ekspozon
3 muaj në Montreal

Ardian Paci ekspozon<br />3 muaj në Montreal
TIRANE- Skulptura, video dhe instalacione të artistit shqiptar Ardian Paci janë ekspozuar në Muzeumin e Artit Bashkëkohor në Montreal të Kanadasë. Ekspozita është çelur më 6 shkurt dhe do të rrijë e hapur deri më 27 prill. Veç rrëfimit të një përralle me të shtëna pushke nga një vajzë 3-vjeçare, jo më pak provokuese është edhe videoja “Kolona”.

Kjo video është shembull i asaj që Paci e përshkruan si transformim i faktit, nëpërmjet trillimit, duke e ngjitur në një nivel shumë më përtej realitetit. Paci ka gjithmonë një mënyrë të tijën për të prekur tema tabu. “Ishte pikërisht atëherë kur nga artist që krijonte forma dhe trajta kalova tek të qenit një artist që dëshmon”, thotë Adrian Paci në një intervistë me Marie Fraser (bashkëkuratore), të botuar në katalogun e kësaj ekspozite.

Paci shprehet se kishte dëgjuar për “një anije-fabrikë kineze që realizonte në udhëtim e sipër produkte të ndryshme, të cilat i transportonte drejt tregut ku do të shiteshin”. Ai punësoi 25 artizanë kinezë të cilëve u kërkoi të gdhendnin një kolonë të stilit grek nga një bllok mermeri, gjatë një udhëtimi 25 ditor drejt Europës. Videoja e realizuar nga Paci ka arritur të kapë këtë udhëtim të mbarsur me tone ironike gjatë të cilit një objekt-ikonë i arkitekturës europiane ndërtohet nga punëtorë aziatikë brenda afatit të dorëzimit në Europë. Sipas Pacit “Kolona” është një vepër që nxjerr në pah një fakt që tashmë është i pranishëm në ekonominë globale.

Ishte viti 1997, kur Paci dhe familja e tij do të largoheshin nga anarkia që mbizotëronte në vendlindje dhe do të emigronin në Itali. Në vend të pikturave abstrakte që kishte realizuar deri atëherë, Paci filloi të merrej me realizimin e videove në të cilat thyerja e tabuve ose më saktë momentet e kalimit nga njëri ndryshim tek tjetri, u bënë tema qendrore e artit të tij.

Paci jeton në Milano, Itali, por pjesa më e madhe e artit të krijuar prej tij ka të bëjë me Shqipërinë dhe mërgimtarët e saj. Kanë tërhequr vëmendjen video të tij ku rituale të thjeshta si një shtrëngim duarsh, shndërrohen në një prej atyre momenteve të ndërmjetme. Duke shënuar kalimin nga një gjendje në tjetrin, “krijimi i një moment fiktiv na ndihmon t’i bëjmë ballë ashpërsisë së realitetit,” i thotë ai zonjës Fraser.

Një ndër veprat Pacit është skulptura e titulluar “Home to go” (Shtëpi ku të shkosh) paraqet një burrë i cili sikurse Krishti kryqin, mbart mbi supe çatinë e shtëpisë së tij. Çatia me tjegulla simbolizon shtëpitë e dikurshme shqiptare, si dhe aspiratën për të siguruar një jetë borgjeze në emigracion. Çatia që merr trajtën e krahëve të nderë për fluturim evokon shtegtimin drejt një jete të re.
 
Shkrimi u publikua sot (18.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane