FRANCË- Një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, 2 apartamente, llogari bankare me mbi 2 milionë euro dhe mjete motorike janë disa nga pasuritë e identifikuara në Francë që sipas SPAK i përkasin biznesmenit Ermal Beqiri, në kërkim nga SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Vetëm 4 ditë pas arrestimit të Beqirit në Francë teksa fluturonte me një avion të vogël mbi një central bërthamor, SPAK ka dalë me njoftim zyrtar dhe bën me dije se për të gjitha pasuritë që i janë zbuluar biznesmenit, është kërkuar sekuestro.
Vendosja e Beqirit në Francë, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK nuk duket e rastësishme. Në këtë shtet ai ka kaluar shumë vite të jetës së tij, fillimisht si student. Madje pavarësisht sekuestros së gjithë pasurive që dispononte në Shqipëri, Beqiri ka arritur të krijojë paralelisht një perandori financiare në shtetin francez. Pikëpyetjet janë ende se si ka arritur biznesmeni që të transferojë paratë atje.
Në dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Ermal Beqirin, krahu i djathtë i biznesmenit Ergys Agasi, i cili po ashtu është në arrati. SPAK thotë se prej javësh kishin dyshime që Beqiri ndodhej në territorin e shtetit francez dhe më 19 qershor autoriteteve u ishte kërkuar ndihmë për ta lokalizuar dhe për ta kapur pas dyshimeve se ndodhej atje.
“Hetimet fillestare sugjeronin se E.B. ndodhej në Francë, gjë që përputhej me informacionin e dhënë nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK-ut. Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente , u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj. Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre”, informoi SPAK.
Por, në fakt Beqiri u prangos më 28 korrik pasi u kap nga forcat ajrore franceze duke fluturuar me një avion të vogël, mbi një central bërthamor, pranë Normandisë. Gjatë kontrollit atij iu gjetën në trup 3 AirTag të fshehura në rroba, të cilat janë pajisje gjurmuese të vegjël të kompanisë “Apple”, që lejojnë gjurmimin e kujtdo që e mban me vete.
Gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Ndërkohë, SPAK ka përcjellë përmes Ministrisë së Drejtësisë kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij nga Franca në Shqipëri. Gjatë kontrolleve të kryera me kërkesë të SPAK në ambientet në pronësi të Beqirajt në Francë, janë sekuestruar edhe sende të cilat konsiderohen me interes për dosjen e AKSHI-it.
Beqiraj zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona euro pas kërcënimeve që krahu i djathtë i Ergys Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta. Në Shqipëri, Ermal Beqirajt i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese, një jaht luksoz, automjete të tjera si dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve. Biznesmeni kishte vendosur jahtin 'Predator 50 Skyfall' me vlerë afro 1 milion euro në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions". Në sy bien edhe trualli në resortin "Green Coast" dhe vila luksoze në "Rolling Hills".
Beqiraj dyshohet për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë i është shtuar dhe akuza e korrupsionit.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime për llogari të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, për llogari të të cilit, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit E.B, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, për kryerjen e veprave penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personave nën hetim dhe konkretisht shtetasve E.A dhe E.B. me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme te Shkalles se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.
Me shkresën nr. 43981 prot, datë 24.12.2025, nga ana e Prokurorisë së Posaçme, i është kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Zyrës Qendrore Kombëtare, Interpol Tirana, shpallja në kërkim ndërkombëtar të këtyre shtetasve ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Shpallja në kërkim ndërkombëtar është pasqyruar edhe në database të Interpol Tirana me “njoftim të kuq” (red notice)
Më datë 19 qershor 2026, Prokurorët e Posaçëm të SPAK, kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve franceze në gjetjen e shtetasit E. B, në kushtet kur nga informacioni i disponuar dyshohej se ky shtetas ndodhej në territorin e Republikës Franceze.
Në momentin e kësaj kërkese, shtetasi E.B ishte subjekt i një “Njoftimi të Kuq” (Red Notice) të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve gjyqësore shqiptare për qëllime arrestimi dhe ekstradimi. Pas marrjes së kësaj kërkese, SSI kontaktoi menjëherë Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ) Franceze, duke mundësuar fillimin e menjëhershëm të hetimeve në territorin francez. Po atë ditë, u vendos një bashkëpunim i ngushtë me Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO).
Hetimet fillestare sugjeronin se E.B. ndodhej në Francë, gjë që përputhej me informacionin e dhënë nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK-ut. Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente , u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj,
Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre.
Këto hetime, të kryera nga Brigada Kombëtare e Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF), çuan gjithashtu në zbulimin e automjeteve që mund të ishin përdorur nga personi në kërkim dhe lejuan që operacionet në terren të përqendroheshin më saktësisht në atë zonë gjeografike.
Njëkohësisht, u angazhua Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar (OCRGDF) për të kryer hetime financiare lidhur me asetet kriminale të identifikuara në Francë dhe për të përgatitur — në koordinim me autoritetet gjyqësore franceze dhe shqiptare masa sekuestrimi që do të zbatoheshin në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.
Që nga data 19 qershor 2026, shkëmbimet operacionale midis Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (SSI), magjistratit ndërlidhës dhe shërbimeve të policisë gjyqësore kanë qenë të vazhdueshme. Ky koordinim i përditshëm ka mundësuar shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe përshtatjen e vazhdueshme të hetimeve.
Më datë 24 korrik 2026, shtetasi E.B u arrestua nga autoritetet ligjzbatuese franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme). Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Republikës së Shqipërisë. Hetimet gjyqësore po kryhen tani nga njësi të specializuara të Drejtorisë Kombëtare të Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me SPAK-un.
Hetimet financiare po zhvillohen paralelisht për të mundësuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale të identifikuara në territorin francez, në kuadër të mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor.
Me kërkesë te Prokurorisë së Posaçme autoritetet franceze kane kryer kontrollin personal si edhe të disa ambienteve në pronësi të shtetasit E.B., ku janë sekuestruar sende qe vlerësohen me interes për procedimin penal.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ti përcjellë autoriteteve kompetente të Republikës së Francës, kërkesa për ekstradimin nga Republika e Francës në Republikën e Shqipërisë së shtetasit E.B.
-------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente












qenka keshtjelle leg3ne ajo me 2 milione euro. prandaj i jep leke qeveria jone qe te bleje me te madhe ...
Përgjigju