Në emisionin 'Repolitix’ të gazetarit Denis Minga në Report Tv, këtë mbrëmje u diskutua në lidhje me arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka. Të ftuar në studio ishin Plarent Ndreca, ish-anëtarët e Kryesisë së PD Gent Malko, Arben Skënderi, dhe gazetari Flogert Muça.
Ndreca deklaroi se nuk mund të ketë mazhorancë të përfshirë në aferë të caktuar por individë. Ai theksoi se opozita, PD dhe LSI e ka bërë detyrën e vet duke denoncuar, dhe tashmë mbetet gjithçka në dorën e drejtësisë.
“Basha nuk bën opozitën moderne, por goditje dhe merret me çështjet e drejtësisë. Kushtetuta prezumon të pafajshëm këdo që nuk është dënuar me dënim të formës së prerë.”-tha Ndreca.
Ndërsa Gent Malko teksa u pyet nëse po vjen një fortunë për PS-në, tha se mbetet për tu parë. Deklaratën e Ramës pas arrestimit të Kokës, Malko tha se është i vetmi argument që mund të japë një justifikim për atë që ka ndodhur, pasi Rama tha se përgjegjësia është individuale. Ai theksoi se sigurisht që faji është individual, por ky parim përdoret në mënyrë të gabuar në këtë rast.
“Rama të kishte folur për qytetarin Lefter Koka që është anëtar i PS, që dyshohet se ka kryer një vepër penale në jetën e tij private. Si qytetari Lefter Koka, do ishte korrekte. Si ministri Koka, do ishte ndryshe. Në planin politik ai nuk mund të thotë që ne nuk kemi përgjegjësi. Distancohet nga përgjegjësia penale, por a distancohet nga përgjegjësia politike? Opozita është e delegjitimuar për sa kohë ai prezumohet i pafajshëm. Perceptimi i opinionit publik është se të gjithë ata që merren me politikë, janë të korruptuar, pra merr para. Në një ambient të tillë të dalësh e të thuash se përgjegjësia është individuale, është tallje me opinionin. Për të shfryrë opinionin publik, hedhin koka turku sa herë ju bie besimi që qeveria është e korruptuar.”-tha Malko.
Ndërsa Arben Skënderi deklaroi se ndaj Kokës pretendohet për akuza konkrete në kohën që ka qenë ministër i kabinetit.
“Në kuadër të këtij morali të përgjithshëm që Rama predikon publikisht, nuk mund të themi që ai nuk di çfarë bëjnë ministrat e vet. Kryeministri ka një vështrim dhe peshë totale dhe nuk mund të themi që në x vite sa tendera merren me prokurim direkt. Ka raporte te KLSH, s’mund të bëjmë strucin për çështje të kësaj natyre. Ktu vjen pjesa e përgjegjësisë morale. Sa i përket Bashës, nuk ka pse bën presion apo të bëjë avokatin. Kanë pasur aksione efiçente në dobi pulbike. Nuk e shoh SPAK-un kaq të ftohtë dhe të pavarur dhe të paanshëm në veprimtarinë e vet.”-tha Skënderi.
Për gazetarin Flogert Muça,SPAK është i ftohtë dhe po bën hetime.
"Për përgjegjësinë politike, nëse Koka del i pafajshëm, Ramës do i vendosim medalje. Rama bën distancim. Tek reagimi ka thënë që reforma në drejtësi është vepër e kësaj mazhorance. Pra jam unë që po bëj këtë të mirë publike duke ndjekur korrupsionin. Kostot politike i bie ti mbajë LSI-ja nëse i shkojmë deri në fund. Nëse supozojmë se Koka del i fajshëm, mëkatet politike do ndahen pavarësisht se kush është akuzuesi, LSI-ja në këtë rast. Nuk e ka bërë për pastërtinë e saj, por në një moment kur Koka nuk iu është bindur. SPAK është i ftohtë dhe po zhvillon hetime. Nuk është lajm i keq as politik për Ramën nëse drejtësia funksionon. Politikisht kryeministri kam përshtypjen se mënyra si po e trajton pjesën e të shkuarit në SPAK të ish-funksionarëve nuk është në disfavorin e tij, pasi po thotë se reformën në drejtësi po e mbështesim ne dhe falë kësaj reforme që e kemi mbështetur pa ekuivok, drejtësia për këdo, qoftë dhe ministri im, se kështu po e trajton, le të marrë përgjegjësitë."-tha gazetari Muça.
SPAK arrestoi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur politikisht, atë të inceneratorit në Elbasan. Report Tv mëson se Lefter Koka u vu në pranga në banesën e tij në Durrës gjatë paradites së të martës, ndërsa gjyqtari Erion Bani më herët kishte vulosur urdhër arrestin e kërkuar nga prokurori Klodian Braho pak ditë më parë.