TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se arrestimi i kushëririt të deputetit socialist Rrahman Rraja, lidhur me atentatin kundër prokurorit Ndoja poshtëron akoma më shumë Partinë Socialiste, ndërsa e cilësoi si një luftë mes bandave. Sipas tij zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme.

"Fatkeqësisht është në vazhdën e poshtërimit  të Partisë Socialiste, në vazhdën e poshtërimit të qytetarëve shqiptarë, sepse tregon që kjo është një luftë e pastër mes bandave në pushtet.

Është tregues i qartë i nevojës për ndryshim të menjëhershëm, për zgjedhje të parakohshme, që do t’u kthejnë qytetarëve dinjitetin, të drejtën e votës dhe do t’i fuqizojnë duke zgjedhur në Parlament dhe në qeveri njerëzit që meritojnë të udhëheqin aspiratat dhe dëshirat e tyre për ndryshim.

Në funksion të kësaj është edhe turi im që sapo kam nisur. Është një tur bashkëbisedimi dhe dëgjimi, jo vetëm i halleve, brengave dhe i të vërtetës së hidhur si kjo që është shpalosur sot, por edhe i zgjidhjeve, të cilat duhet të prodhojë një qeveri dhe një parlament që të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe jo interesat e bandave kriminale, siç tregon qartë edhe arrestimi i sotëm" tha Basha.