Arsimimi cilësor, garancia më e fortë për të ardhmen e vendit

Arsimimi cilësor, garancia më e fortë për të ardhmen e vendit

Foto ilustruese

Po kërkoja në internet lidhur me nivelin arsimor në Suedi. Më surprizoi Johan Johansson, një sipërmarrës suedez që shprehet : “Kam një fëmijë dhe po shoh për mundësitë e edukimit të tij. Sistemi shkollor në Suedi është vërtet keq, mësues të dobët, ligj arsimor i keq, aftësi jo të mira gjuhësore të nxënësve, klasa të mbipopulluara. Shkolla është orientuar më shumë në rritjen e aftësive në shkencat sociale se sa në ato ekzaktet.….”

Mos vallë kemi të bëjmë me një krizë globale arsimore? Reth dy dekada më parë në revisten “Scince “ lexoja një artikull lidhur me tendencat e kërkesave të të rinjëve në botë. Shkencat ekzakte, inxhinjeritë ishin në rënie, rritje kishin fushat e lehta, kryesisht ato sociale, drejtësi etj.

Ndërkaq, m’u kujtua një episod në vitet 80, me Profesor Besnik Syken, një njeri i jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet, intelektuale dhe sociale. Shteti Shqiptar dërgoi një numër pedagogësh për të kryer studimet pasuniversitare në Suedi dhe në disa vende të tjera perëndimore. Profesori që udhëhiqte Besnik Syken në Upsala (ishte kandidad për çmimin Nobel) u deklaron autoriteteve shqiptare: “nëse shkolla shqiptare nxjerr nivele të tilla  si Besnik Sykja, ne duhet të kthejmë sytë nga ajo”. Realisht, shkolla jonë në shkencat natyrore dhe inxhinierike kishte cilësi të lartë. Interferencat politike ishin minimale.

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës bashkëjetuan tre breza profesorësh të jashtëzakonshëm, të shkolluar në Francë, Austri, Itali, Greqi para viteve 45, si Kol Popa, Minella Karajani, Sotir Kuneshka, Qazim Turdiu, Lame Zeko, Niko Laço etj ( shumkush mund të sjellë plot emra nga Fakultete të tjera) dhe më pas brezat më të rinjë, të kualifikuar në Rusi, në Çeki, Poloni, Hungari, Rumani, Bullgari, Kinë, por edhe në Francë, Austri, Itali, Suedi, si: Pepi Pilika, Muharrem Frashëri, Dhimitër Haxhimihali, Ilmi Bimbashi, Alqi Çullaj, Lekë Gjiknuri, e më pas Rexhep Mejdani, Eduard Plasari, Skënder Gjinushi, Kastriot Spahiu, Besnik Sykja, Eduard Andoni, Ethem Ruka, Rolanda Dhimitri, Ilia Mikerezi, Dhurata Bozo, Aleko Miho e shumë të tjerë.  Ishte një ndërthurje e përvojave akademike lindore dhe perëndimore, të dyja mjaft serioze. Ajo që bëri të mundur transplantimin e asaj përvoje ishte serioziteti, kapaciteti i lartë dhe përgjegjshmëria e këtyre pedagogëve që hodhën themelet e rritën nivelin mësimdhënës dhe atë shkencor në universitet.

Cilat ishin pikat e forta të shkollës më parë?  1. Selektiviteti i lartë (mesatare e lartë dhe reale) 2. Cilësia e lartë e pedagogëve në procesin e mësimdhënies por edhe në kërkimin shkencor, e lidhur me praktikat në prodhim 3. Programe mësimore bashkëkohore 4. Fond shumë i pasur në biblotekë 5. Harmonizim i kënaqshëm i programit teorik me atë eksperimental 6. Stimulim i modeleve cilësore. Sipas klasifikimit të mesatareve, i diplomuari caktohesh në universitet ose në institutet kërkimore-shkencore, në institucione të administratës e deri në prodhim. 7. Stimuli financiar, pedagogët merrnin 70 deri 100% të pagës maksimale (sipas titullit akademik).

Po sot a përgatisim breza të aftë të përballojnë sfidat ekonomike, sociale dhe politike? Do shprehesha me rezerva jo të vogla, për disa arësye. Së pari, ndërsa më përpara studenti më i mirë i kursit caktohesh në Universitet, sot kjo nuk ndodh. Veçanërisht në Universitetin e Tiranës Rektori i fundit e degradoi tërësisht kriterin e meritokracisë. Ai jo vetëm nuk arriti në nivelin e rektorëve të viteve para 90 (vite drite larg), por ndoqi një politikë bllokuese, klienteliste dhe mediokre. Së dyti, një pjesë e pedagogëve që sot do përbënte intervalin e moshës 40- 65 vjeç, u larguan nga vendi, duke krijuar një hendek brezash dhe rënie të cilësisë të punës shkencore e mësimore. Së treti, më parë universiteti ishte pjesë e rëndësishme e zhvillimeve ekonomike, teknologjike dhe ekspertizës.

Kujtoj një rast kur kryeministri i kohës Adil Çarcani u kërkoi mendim profesorëve të Fakultetit te Shkencave të Natyrës nëse duhet të importonin disa mijra tonelata mbetje nga jashtë, për t’u depozituar në Shqipëri, kundrejt një vlere të madhe parash (dhjetra milionë dollarë). Përgjigja e tyre ishte “Jo!”. Ato nuk u importuan edhe pse vendi ishte në krizë ekonomike. Pra, universiteti ka nevojë për mbështetje financiare dhe integrim të punës së tyre në zhvilimin ekonomik, problematikën mjedisore, kujdesit shëndetësor, monitorimeve të cilësisë së sigurisë ushqimore, hartimit të planeve të zhvillimit urbanistik etj. etj.

Kjo duhet realizuar në mënyrë të dyanshme, si nga oferta që paraqet universiteti ashtu dha nga politikat përfshirëse të qeverive. Por këto nuk duhet të mbeten vetëm objektiva në letër. Përfshirja e universitetit me efiçiencë dhe efikasitet në zgjidhjen e këtyre problemeve duhet të kthehet sa më shpejt në domosdoshmëri dhe nevojë kombëtare. Nga ana tjetër, absolutizimi dhe dhënia përparësi e privatit, apo kthimi i universiteteve publike në institucione thuajse plotësisht vetëfinancuese, mendoj se ka ndikuar ndjeshëm në  mekanizmin e zhvillimit të cilësisë së universiteteve. Sektori privat të zhvillohet, por jo në kurriz të universiteteve publike. Ato duhet të jenë komplementarë në zhvillimin e vendit.

Kam punuar nga disa muaj në disa vjet në Universitete në Vienë, Barcelonë, dhe Rio Grande (Brasil). Aty profesori merrte projekte nga Universiteti, Ministria e Arsimit, Bashkia, Ministria e Shkencës dhe një sërë ministrish sipas sektorit (bujqësi, transport etj). Merrte gjithashtu të ardhura nga të tretë, sektori privat për shërbime të caktuara. Një pjesë e këtyre të ardhurave, me ligj kalonin direkt si shpërblim për profesorët dhe rinovimin e teknologjisë në departament. Pra stimuli financiar ishte me rëndësi.

Së katërti, fondi i revistave në bibloteka është disa fish më pak se 30 vjet më parë. Kujtoj se para viteve 90 në Fakultetin e Shkencave të Naryrës vinin vetëm për një lëndë, Kiminë Analitike, rreth 20 tituj revistash nga SHBA, Angli, Francë, Gjermani, Itali, Rusi, Rumani, Poloni, Bullgari etj. Në 30 vitet e fundit, kemi ndërprerje të periodikëve. Sidoqoftë, sot aksesi digital është plotësisht i mundur por sigurisht duhen marrëveshje dhe pagesa tarifash në rang institucional, në mënyrë që të lehtësohet sa më shumë aksesi individual i pedagogëve për fushat përkatëse të interesit.

Së pesti, rëndësi ka niveli i studentëve që pranohen në universitet. Një hap i parë është bërë me rritjen e notës mesatare, në veçanti për degët e mësuesisë. Megjithatë, vihet re se nga viti në vit formimi i nxënësve në lëndët e matematikës, fizikës e sidomos kimisë, është me mangësi të theksuara. Pa dashur të marr përsipër vlerësimin e stafeve pedagogjike të shkollave të mesme në këto lëndë, mendoj se ndikim negativ ka patur edhe rishikimi i kurrikulave në dëm të formimit të nxënësve në shkencat ekzakte.

A mos ndoshta i përgatiste më mirë nxënësit shkolla e mesme e përgjithshme me program katër vjeçar dhe të unifikuar për të gjithë? A mos duhet që preferencat  apo aftësitë individuale të nxënësve të orientohen në shkollat e mesme profesionale dhe, më tej në kolegjet profesionale? Mendoj se rigoroziteti dhe cilësia e lartë në pranimin e studentëve, do të jetë edhe garancia që investimi i familjeve, shtetit por edhe gjithë shoqërisë për përgatitjen e tyre dhe kthimin e këtij investimi, të jetë efektive.

Si përfundim, për të mos e lodhur lexuesin do e përmblidhja analizën modeste time në këtë prag fillimi të vitit akademik, se zhvillimi dhe sfidat kërkojnë edukim arsimor, cilësi e selektivitet të lartë të stafit akademik, integrim në jetën ekonomike dhe sociale, vëmendje të madhe politike, investime  financiare, por mbi të gjitha, respekt për ekipin akademik. Duhet një politikë integruese, bashkëpunim me mijëra specialistë të spikatur që punojnë jashtë, me qëllim rritjen e nivelit të shkollës së lartë në Shqipëri. Ka me qindra ekspertë që janë sot në majat e shkencës në botë. Do sillja shembullin e Arben Merkoçit që është sot në krye të zhvillimeve shkencore të nanoteknologjisë në botë. Të tillë ka në çdo fushë.

Duhen stimuluar modelet pozitive. Është për t’u përshëndetur inisiativa e kryeministrit për studentët e ekselencës . Specialistë të njohur ndërkombëtarisht mund e duhet të ftohen madje edhe për drejtimin për njëfarë periudhe të institucioneve shkencore e arsimore. Kështu kanë vepruar majat vende në periudha krize e tranzicioni, të ngjashme me këtë që po kalon vendi ynë. 

Këto janë disa mendime që kanë për qëllim të hapin diskutime konstruktive për këtë problem, që do ta quaja nga më madhorët e emergjentët për vendin.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja