Dhe pak ditë mbeten nga mbarimi i mandatit tuaji si anëtar i KQZ. Si po i përjetoni këto ditë?
Është një ditë normale pune edhe pse me më pak ngarkesë fizike, por më tepër emocionale. Ndahemi nga një periudhë mjaft intesive pune,ndahemi nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të lidhur me proceset zgjedhore. Ndoshta ka filluar koha të bëjmë bilancet e gjithë kësaj pune dhe përpjekje me gjakftohtësi. Ka qenë një periudhë e bukur dhe e vështirë. Unë kam pasur një eksperiencë të gjatë të mëparëshme si drejtues administativ i një institucioni të rëndësishëm si gjykata e tani përfundova një eksperiencë edhe më të rëndësishme në fushën e administrimit, siç është ajo zgjedhore. Një periudhë plot sakrifica personale, shoqërore e familjare, për mua dhe kolegët e mi.
Cila do të jetë e ardhmja juaj profesionale pas mbarimit të këtij mandati?
Përpara se të isha anëtar i KQZ, kam ardhur nga një sistem mjaft i disiplinuar siç është ai gjyqësor me një eksperiencë të gjatë. Është familja natyrale në të cilën do të kthehem shumë shpejt dhe me kënaqësi. Në bazë të nenit 17 pika 5 e Kodit Zgjedhor më bëhet i mundur ky kthim në funksionin tim publik të mëparshëm si gjyqtar. Me rikthimin tim do të jap një kontribut edhe më të madh në zbatimin rigoroz të ligjit, por edhe me pjekurinë e arritur intelektuale. Së bashku me të gjithë kolegët e mi të nderuar gjyqtarë do të japim kontributin maksimal për shërimim e plagëve dhe përfoljeve negative të sistemit më të nderuar një shteti siç është ai gjyqësor.
Flasim pak për eksperiencën tuaji si anëtar i KQZ. Cilat kanë qenë momentet më të vështira që keni kaluar në zgjedhjet e 2009?
Meqenëse iu interesojnë eksperiencat e këqija, pasi siç duket këto kanë rënë në sy gjatë kësaj periudhe, unë do mundohem të bëj një pasqyrim sa më realist e dashamirës të tyre. Dihet që në fillim që vështirësitë do ishin të mëdha qysh në nisje të punimeve të KQZ, madje mund të them qysh në ditën e parë, në mënyrën e uljes së anëtarëve në tavolinën e mbledhjeve të këtij organi kolegjial, 3 anëtarët e propozuar nga opozita veç, e 3 anëtarët e propozuar nga mazhoranca veç e kryetari në mes. Që në fillim u shfaq skema aq e përfolur 4 me 3. Edhe pse kemi këmbëngulur që të miratohej që në fillim Rregullorja e zhvillimit të punimeve të KQZ, ende sot e kësaj dite kjo nuk është bërë. Nuk u plotësua një detyrim ligjor i rëndësishëm e kjo jo për rastësi. Vështirësi kemi pasur në kontrollin e listave të zgjedhësve pasi Ministria e Brendshme nuk ka qenë korrekte në raportimet e saj. U tolerua si gjithmonë ngritja e vendeve të votimit në ambiente private duke bërë që procesi i votimit shumë herë të paragjykohej. Nuk u respektua siguresa e kodit që dy anëtarë kenë të drejtë të kërkojnë prova e ato të mos refuzoheshin marrëdhëniet shumë të ndara midis kryetarit dhe nënkryetares pasi kjo e fundit nuk u lejua të përmbushte detyrën e saj si detyrim ligjor i saksionuar në Kod. Ka dhe mjaft episode të tjera, por në mendje do më mbeten 2 të tilla ku personalisht me kanë lënë gjurmë. Gjatë procesit të numërimit të votave në KZAZ e Lushnjes dhe të Patosit në Fier, ky proces u pezullua dhe zgjidhje dukej se ishte jetim edhe me përpjekjet e inspektorëve të KQZ. Me inisiativën time, si anëtar i KQZ e kryen veprimtarinë e vetë në mënyrë të pavarur, shkova në Lushnje dhe me përpjekje dhe negocime falë dhe kulturës qytetare të njerëzve dhe miqve të mi atje, procesi u zhbllokua dhe numërimi mbaroi me sukses. Në Patos situata ishte krejt tjetër, shumë e acaruar si jashtë dhe brenda. Edhe pse negociatat vazhduan deri në orët e para të mëngjesit, numërimi nuk u krye. Shije e hidhur, zhgënjim për të mos folur për kërcënimet me jetë për tu tërhequr, nuk ka rëndësi tani nga kush. Ndonjë tashmë është i arrestuar dhe pret të gjykohet për kryerjen e veprave shumë të rënda penale.
Po për zgjedhjet e 8 Majit, çfarë mund të veçoni nga memoria juaj, që për të thënë të drejtën do të mbahen mend shumë gjatë në memorien e kujdo?
Përsa i përket zgjedhjeve të 8 Majit, unë kisha paralajmëruar në intervistat e mia kohë më parë që ato ishin të rrezikuara, pasi e kisha ndjerë situatën mjaft të rëndë që zhvillonte veprimtarinë KQZ-ja. Ne, 3 anëtarët ishim të anatemuar, nënryetarja jashtë loje, arroganca dhe brutaliteti i drejtuesit dhe administratës arritën kulmin e finalja e shëmtuar ishte procesi i administrimit të zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës që s`ka më nevojë që të analizohet pasi eshtë stëranalizuar nga shumë faktorë gjë që e ka turpëruar KQZ si institucion. Procesi rrëshqiti aq shumë sa fatëkeqësisht ambientet e mbledhjes u shdërruan në ambiente boksi e fyerjesh personale nga më monstruozet. Një nga momentet më delikate ka qenë takimi kokë më kokë që anëtarët e KQZ bënë me deputetët e Parlamentit Europian me në krye Z.Kukan, të cilët na këshilluan që të mbanim një qëndrim tejet ligjor pasi nga ne e nga këto zgjedhje varej një pjesë e mirë e procesit integrues në BE, të Shqipërisë. Personalisht i kam thënë Z.Kukan, ateherë, se ne jemi ata që do bëjmë të mundur ose ta bëjmë krenare Shqipërinë e t`u shohim me dinjitet drejt e në sy, ose të shikojmë me sytë poshtë të turpëruar. Me dhimbje, doli kjo e dyta.
Lidhur me këto zgjedhje, a qëndrojnë në realitet hamëndësimet e kreut të KQZ Arben Ristani se atij iu ofrua një helikopter për të dalë nga KQZ ndërkohë që jashtë këtij institucioni ishin duke u organizuar protesta masive? Po ju çfarë iu është ofruar ateherë?
Për mendimin tim këto janë legjenda urbane. Personalisht nuk jam në dijeni të një ndodhie të tillë. Gjatë kësaj kohe KQZ ka zhvilluar punimet në një situatë jo komode për shkak të protestave. Të themi të drejtën Policia e shtetit ka mbajtur ndaj nesh qëndrim korrekt me ligjin duke na afruar të gjithë anëtarëve mbrojtje personale dhe të familjes. Këto janë rrisqe të punës, por që mua nuk më bëjnë shumë përshtypje pasi jam mësuar me to tash 20 vjet.
Po favore politike?
Asnjë favor as mua, por besoj as anëtarëve të tjerë. Kërcënime nga niveli i ulët shoqëror po, por nga politika asgjë. Një gjë vëreva me kënaqësi që subjekti politik i PS, që më propozoi mua si anëtar, më afroi komoditetin më luksoz që të punoja në mënyrë të pavarur dhe në respekt të ligjit. Me krenari mund të them se ia kam arritur plotësisht kësaj. Jo favore, por mund të them së të gjithë kolegët në shumë momente kemi punuar në kushte njerëzore të vështira si pa ushqim, pa gjumë me orë dhe ditë larg familjeve tona e shumë të tjera. Këto ishin favoret që na u afruan.
Mund të themi se KQZ ka qenë në situata të caktuara edhe nën presionin politike? Nëse po cilat kanë qenë këto situata?
Presione direkte jo, po vetë reagimi i saj i përditshëm në Kuvend në media e në jetën e përditshme, ishin në vetvete një presion psikologjik. Por në këto momente edhe më pak sarkazëm dua të përmend dy fenomene që më lanë përshtypje jo të mirë. Në disa raste ndonjë 'sms' në momente të caktuara bënte që rrjedha e mbledhjeve të merrte drejtim tjetër, e ku nuk behej dot e mundur, kërkohej kohë nga shumica që të shtyheshin mbledhjet për gjoja konsultime. Them gjoja se me kë konsultoheshin? Përveçse jo me ne, asnjëherë nuk e kam marrë vesh. Kur nuk arrihej në një gjuhë seancat shtyheshin. Prandaj është e vendit të them që në rregulloren e re po u arrit të bëhet duhet që të sanksionohet rregulli që të mos lejohen përdorimi i telefonave gjatë mbledhjeve dhe mbledhjet të mos shtyhen pa arsye ligjore.
Vetëm para pak ditësh Ristani organizoi një ceremomi me rastin e mbarimit të këtij mandati. Cilat ishin impresionet tuaja pas takimit me kryetarin, me të cilin shpesh herë keni patur debate të ashpra?
Unë në këtë pritje, ku ishte dhe i nderuari ambasadori i SHBA dhe stafi i OSBE, në vendin tonë shkova me kënaqësinë më të madhe. Respektova Institucionin ku unë dhashë kontributin 4 vjeçar intelektual,kolegët dhe vehten time. Është e vërtetë që unë kam qenë një nga kritizerët e Kryetarit të KQZ, por në këtë pritje nuk bëhej fjalë për gjëra të tilla. Ishte një pritje dhe ndarje normale e me këtë rast i uroj të gjithe kolegëve suksese dhe mbarësi për vete dhe për familjet e tyre.
Pritët që KQZ për herë të parë të udhëhiqet nga një femër, mendoni se do ndryshojë dicka nën këtë drejtim?
Shpresoj, pasi femra është më e butë dhe paqësore nga meshkujt edhe pse shoqëria shqiptare ka nxjerrë në shumë raste femra, më burra se burrat.
Si ju duken anëtarët e rinj të KQZ (PS dhe PS) pasi për dy forcat e tjera politike ende nuk janë përcaktuar fituesit?
Të them të drejtën pak njohje personale kam, por mesa di janë juristë dhe intelektualë të mirë. I pret një situatë edhe më e vështirë pasi vetë natyra e këtyre zgjedhjeve do jetë më e ashpër si nga subjektet politike dhe aty në KQZ. Janë të rinj në detyrë dhe kjo ka vështirësitë e veta përballë anëtarëve me eksperiencë. U jap një këshillë, që të respektojnë në maksimum ligjin duke qënë sa më të pavarur dhe të këmbëngulin në maksimum për të arritur sa më shumë standartet e duhura ligjore në procesin e administrimit zgjedhor. I pret në punë e vështirë, por dhe mjaft e bukur. Ju uroj nga zemra suksese dhe lutem që KQZ e re të jetë e para, ku në të gjitha raportet të shkruhet që veproi sipas të gjitha standartevë të vëna në ligj.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)