Artan Shkreli:
Koleksionistët e ikonave ndihmojnë trafikun

Artan Shkreli:<br />Koleksionistët e ikonave ndihmojnë trafikun
TIRANE- Specialisti i trashëgimisë, Artan Shkreli, në këtë intervistë rrëfen sesi do të veprohet dhe ku do të vendosen ikonat e trashëgimisë pas këtij operacioni. Gjithashtu Shkreli nëpërmjet kësaj interviste lë të kuptohet se preh e sekuestros do të jenë pas kësaj edhe koleksionistët që nuk i kanë regjistruar veprat e tyre, të cilët sipas Shkrelit “ushqejnë trafikun dhe shërbejnë si drenazh për të thithur vepra të tilla...” 
 
Zoti Shkreli, a mund të na tregoni, si është historia e gjetjes së gjithë kësaj sasie të madhe të veprave të vjedhura?
-Është shumë shpejt për të dhënë specifikime konkrete, sepse policia akoma nuk e ka bërë publike relacionin e aksionit të vet që ka kryer në orët e vona të natës. Sot është bërë vetëm një lloj kalimi kapital nga duart policisë në duart e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ikonat ato do të mbahen në ruajtje për momentin, nuk do të jenë pjesë e inventarit të galerisë.

Janë ngritur dy grupe pune nga ministria e kulturës dhe ministria e punëve të brendshme dhe nga ministria kulturës me ekspertë përkatës nga fusha e trashëgimisë kulturore të cilët përveç evidentimit dhe kartelizimit paraprak do bëjnë krahasimin me kartelat e inventarizimit se kush janë të regjistruar dhe cilat figurojnë si vjedhje, nëse bëhet ky koleksionim çdo gjë është e thjeshtë. Ndërsa një pjesë tjetër do evidentohen se nga cilat mure të kishave janë vjedhur dhe do të vendoset se çfarë do të bëhet, të shkojnë në vendet e origjinës apo do të ekspozohen.
 
Si ra policia në gjurmët e bandës së trafikantëve?
-Dyshohet jo për një bandë, por për një rrjet kriminal që veprojnë herë bashkë dhe herë të shkëputur nga njëri-tjetri, të cilët vjedhin objekte për qëllime të trafikimit. Nuk bëhet fjalë vetëm për ikona mesjetare, por edhe për objekte të muzeve. Për shembull, mua më rezulton se kemi edhe objekte të artit mesjetar nga muzeu “Bratko” i Korçës. Pra, ka filluar edhe grabitja e muzeve konteporanë. Por më të rëndësishmet janë veprat e shekullit të 15-16-të me një vlerë të madhe historike dhe artistike që lidhen me identitetin e kombit shqiptar.
 
Sa është numri ikonave, librave, sepse janë shumë objekte?
-Kemi ikona ose më saktë cepa të ikonostaseve që nga më të vjetrit deri tek ato të shekullit të 19-të, por ka edhe ikona me dimensione gjigante deri në dy metra të larta, ka ikonostase dhe vlera e tyre në treg është shumë e lashtë. Ka libra liturgjikë shumë të vjetër me kapakë të argjendosur, të praruar, si biçim kodikësh apo mesharësh, apo të tjera që nuk lidhen me funksionet religjioze, por që kanë edhe vlerë kulturore, edhe historike.
 
Cila nga ato ka vlerën më të madhe?
-Është shumë herët për të folur për vlera. Duhen verifikuar. Vetëm koleksionistët mund t’i dinë vlerat e tyre.
 
Zoti Shkreli, dimë që dhjetëra koleksionistë shqiptarë kanë objekte të tilla edhe në shtëpitë ose studiot e tyre, a janë pjesë e trafikut koleksionet e tyre?
-Me siguri një pjesë madhe e koleksionistëve në Shqipëri ushqejnë trafikun dhe shërbejnë si drenazhe për të thithur vepra të tilla. Koleksionistëve që kanë veprat e artit, unë iu them se duhet të regjistrojnë çdo lloj vepre të artit urgjentisht që mbajnë në studiot dhe shtëpitë e tyre se në rastin që ato sekuestrohen nuk kthehen më, nëse janë të paregjistruara.
 
Mes atyre që u arrestuan nga operacioni “Ikona”, ka koleksionistë?
-Nuk janë thjesht koleksionistë, ka mes tyre edhe operatorë të shkuljeve të ikonave dhe veprave të artit nga monumentet e rëndësishme. Policia ka kapur vetëm një degë, dhe aksioni po vijon të kap degë të tjera të këtij trafiku. Një pjesë janë në arrest në këtë moment.

Shkrimi u publikua sot (10.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Juventusi në garë, Cristian Shpendi në Torino për 4 milionë euro

Juventusi në garë, Cristian Shpendi në Torino për 4 milionë euro