Artistët durrsakë e gjejnë suksesin përtej Adriatikut

Artistët durrsakë e gjejnë suksesin përtej Adriatikut

Skulptura e Ilirjan Xhixhës

Tre javë më parë në një nga sheshet qendrore të Novarës është hapur një ekspozitë skulpture që ka tërhequr interesin e artdashësve vendas dhe të huaj. Skulptori shqiptar Ilirjan Xhixha, i cili banon prej dy dekadash në qytetin e Italisë veriore, ka instaluar në të katër anët e sheshit skulptura në material prej çeliku inoxidabël, një teknikë që artisti e përdor prej kohësh.

Ekspozita në “Piazza dei Martiri’ është kthyer në një burim krenarie për komunitetin shqiptar të Novarës, shumë prej të cilëve e njohin personalisht artistin durrsak dhe bashkëshorten e tij.

“Ne i njohim nga afër bashkëshortët artistë Ilirjanin dhe Ilirën,” tha Kujtimi, me origjinë nga Durrësi dhe banim në Novara.

Agroni, një tjetër bashkatdhetar, ishte veçanërisht i emocionuar për një nga skulpturat që i dedikohet poezisë Gjuha Shqype e At Gjergj Fishtës.

“Çdo fundjavë mblidhemi në shesh me shqiptarë të tjerë dhe i gëzohemi suksesit të tyre,” tha ai. “Na kënaqin ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar,” shtoi Agroni.

Kuratori i ekspozitës Edoardo Di Mauro shkruan se skuptori Ilirjan Xhixha “realizon instalacione tredimensionale, disa herë njëfaqëshe, në çelik inoks të dimensioneve të gjera, të gërshetuara dhe të goditura nga lëvizje pëshpëritëse, ose të mbërritura nga një burim misterioz energjie, në një alternim të zgjuar dhe në një ekuilibër mes rregullit dhe parregullsisë”.

I lindur në Durrës në vitin 1964, Ilirjan Xhixha ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe gjithashtu është diplomuar për skulpturë dhe pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera. Edhe vëllai i tij Helidon Xhixha është një alumn i Breras dhe skultor i njohur. 52-vjeçari që jeton në Milano ka ekspozuar thuajse në të gjitha qytetet kryesore e italisë .

Skulptori Ilirjan Xhixha

Ngjashëm me Xhixhat edhe skulptori Alfred Kedhi ka studiuar në Akademinë e Breras, pranë Milanos.

“Nuk ishte e lehtë, por ndoshta përbënte një shtysë të mësonin në të njejtën akademi ku në vitin 1938  ishte regjistruar një durrsak tjetër i madh me famë evropiane, piktori Ibrahim Kodra,” tha Kedhi.

Artisti nga Durrësi është bashkëthemelues i studios “ArtMonumental”. Ai është vazhdimisht në kërkim të rrugëve të reja artistike, duke ruajtur një bashkëpunim të veçantë me artistët bashkëmoshatarë durrsakë dhe shqiptarë në përgjithësi.

Në pjesën jugore të gadishullit Apenin, në Corato të Puglias punon skulptori tjetër durrsak, Edmond Lalla. Mondi nuk ka hequr dorë nga figurat e rëndësishme të prelatëve katolikë, një prej të cilave dallon ajo e Papa Karol Wojtila, Papa nga Polonia. Në grupin e artistëve durrsakë, mjaft të njohur në Itali, bëjnë pjesë edhe një grup piktorësh që bashkëpunojnë me njeri-tjetrin.

Tre prej tyre, që punojnë dhe jetojnë në qytete të ndryshme të Italisë, janë bërë bashkë gjashtë muaj më parë si pjesë e projektit “Arti mural dhe mali”. Piktorët Albert Dedja nga Shijaku, Kujtim Turkeshi nga Durrësi e Armand Xhomo nga Fieri, kanë realizuar disa murale në banesat e qytezës Castello Tesino në Trentino. Migracioni i fillimshekullit të kaluar nga kjo zonë alpine e Italisë drejt vendeve të ndryshme të botës e ka bërë më të lehtë zgjedhjen e temës së murales nga ana e piktorit Albert Dedja.

“Tema e punës sime “Nënat” me lartësi 9 metra dhe gjërësi 4 metra u frymëzua nga historia e migrimit,”  tha artisti shqiptar.

“Njëlloj si banorët e Castello Tesino edhe unë që kam përjetuar një histori të ngjashme dhe desha të krijoj një lidhje mes përvojave dhe ndjesive,” shtoi ai.

Sipas Dedjes, veç kujtimeve kur largohesh lihen pas edhe nënat, shumë nëna, të cilat mbeten në banesat e hershme dhe që mbajnë të gjalla rrënjët ku rrjedh limfa dhe lidhjet e jetës.

Pikturë murale në Testino nga Kujtim Turkeshi

Banorët e Castel Tesinos kanë ndjekur nga afër punën e artistëve shqiptarë, të cilët në ditën e parë kanë ndihmuar njeri-tjetrin për të hedhur në mur temat e vizatimevet të tyre. Kujtim Turkeshi nga Durrësi, ka realizuar një vepër me sipërfaqe muraleje prej afro 20 metra katrorë. Ai ka preferuar që ti sjellë elementet e vendit të tij përmes ngjyrave kuq e zi, duke ruajtur simbolin e migracionit të zonës së Trentino-Alto Adiges.

Kthimi në familje si moment feste , kostumet tradicionale dhe shamia e qëndisur me të bardhë para nisjes, përbëjnë edhe simbolet e migrimit dhe të historisë së zonës ne Trentino. Piktori Kujtim Turkeshi thotë se nismat për realizimin e pikturave muraleve janë një mënyrë e mirë për të nxitur turizmin edhe në Shqipëri, por realizimi i tyre kërkon njerëz mendjehapur dhe pa paragjykime.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion