Arvizu: Me këtë KQZ, zgjedhjet
s'bëhen, duhet të rikonstituohet

Arvizu: Me këtë KQZ, zgjedhjet<br />s'bëhen, duhet të rikonstituohet
TIRANE - "Prej Shqipërisë priten zgjedhje të besueshme, legjitime dhe jo zgjedhje teknilke. Me këtë KQZ, zgjedhjet nuk mund të bëhen. Ndaj, KQZ-ja duhet të ristrukturohet". Kështu ka deklaruar Ambasadori amerikan Arvizu, sonte, në emisionin "5 Pyetje nga Babaramo".

"Kjo nënkupton që të dyja palët duhet të punojnë bashkë, në mënyrë që të rikonstruktojnë KQZ-në. Ka vetëm pak kohë dhe ka nevojë që njerëzit të lëvizin shpejt", - ka theksuar Arvizu.- "Të mos harrojmë që KQZ-ja është krijuar, është ndërtuar si rezultat i një dakortësie politike dhe që të përmbushë misionin e saj, nevojitet vullnet politik. Ndaj, është e nevojshme që forcat politike të flasin me njera-tjetrën dhe të shkëmbejnë propozime".

I ftuar në emisionin e tv "A1 Report",  Ambasadori Aleksandër Arvizu deklaroi ndër të tjera se lëvizja e reformave në Shqipëri duket se ka ngecur dhe se korrupsioni dhe pandëshkueshmëria mbeten problem kryesor.

Lidhur me shkarkimin e komisionerit të LSI-së, Muho, Ambasadori amerikan tregoi se "na u tha në mënyrë shumë autoritare se shqetësimi ishte kompozimi i KZAZ-ëve, pasi balancat ndryshonin në favor të opozitës... Legjislacioni në tryezë ishte për shkarkim politik dhe në fund, z.Muho  u shkarkua për arsye administrative. Kjo duhej të bëhej nga KQZ-ja. Pra, ka pasur mungesë proceduriale. Edhe sot mund të them se nuk e di në ka qënë shkarkim për arsye politike apo administrative".

Arvizu deklaroi se “KQZ, Presidenca, SHISH dhe organet e qeverisjes janë të politizuara” dhe se  largimi i LSI nga qeveria u pasua nga largimet në administrate.
"Edhe shoferët dhe pastruesit janë larguar nga ndryshimet e qeverive”- tha Arvizu.

Arvizu foli dhe për qëndrimin e SHBA-së për çështjet e politikës së ditës si ngërçi në KQZ, klima e ditëve të fundit në Kuvend apo situata parazgjedhore.

INTERVISTA ME AMBASADORIN AMERIKAN

Do doja ta nisnim bisedën nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, por dhe më tej se është një përshkrim i gjithë situatës në vendin tonë. Krahasuar me një vit më parë, duke ju referuar këtij raporti, Shqipëria ka bërë hapa para apo hapa pas.

Sic e dini raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, është një raport i mandatuar nga Kongresi dhe vlen për cdo shtet të botës. Eshtë një dokument shumë i gjatë dhe përfshin shumë fusha. Unë mendoj se janë shumë faktorë të ndryshëm. Përcilindo që e lexon raportin dhe e krahason me vitin e kaluar do të vërej disa zona në të cilat ka pasur përmirësime. Njëra që më vjen ndërmend është trajtimi i dhunës në familje, të drejtat e LGBT, janë disa shembuj që më vijnë ndërmend. Si dhe disa zona ku ka pasur regres si dhe disa zona në të cilat nuk pa pasur ndryshim. Kështu që është e vështirë që të bëhet një faktorizim i përgjithshëm.
Mendoj që keni dëgjuar që unë të kem thënë më parë lidhur me shqetësimin që unë kam dhe Washingtoni ka, që për ndoshta një kombinim arsyesh, lëvizja e reformave këtu në Shqipëri duket sikur ka ngecur në vend, paksa. Të gjithë dëgjojmë për problemet bazë, korrupsioni, kultura e pandëshkueshmërisë, problemet vecanërisht me gjyqësorin, institucionet e politizuara, kështu që me të vërtetë nuk ka pasur shumë progres në zgjidhjen e këtyre fushave thelbësore. Nuk besoj se është përgjegjesia e një personi por është një përgjegjësi që ndahet, dhe për një mik të Shqipërisë është vërtetë frustruese tek shoh këtë përparim të ngecur në zbatimin e reformave.

Në raport thuhet se korrupsioni ka përfshirë të gjitha degët e qeverisjes. Ndërkohë qeveria beson te një proverbë popullore i cili thotë se uji nga lart rrjedh i kulluar por ndotet poshtë. Ju e besoni këtë? Dhe më konkretisht duke ju referuar raportit, cilët janë zyrtarët e lartë më të korruptuar?


Për tju përgjigjur pyetjes suaj të dytë: së pari raporti është hartuar në një formë të tillë që përmbahet nga veçimi i individëve. Padyshim disa persona janë më përgjegjës se të tjerët, por qëllimi i raportit është që të përshkruajë prirjet, zhvillimet institucionale. Fjala e urtë është interesante. Mendoj që është e drejtë që të thuhet që problemet e korrupsionit dhe kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, këto janë vërtetë çështje shumë të rrënjosura. Është e kuptueshme dhe e arsyeshme që të presësh që çfarëdolloj qeverie që të jetë në pushtet, që ajo ka përgjegjësinë kryesore për të hartuar politika, për të zbatuar legjislacionet e për të bërë gjëra të tjera në mënyrë që të ketë përparim. Kështu që në këtë kuptim është e drejtë që të caktohen disa përgjegjësi qeverisë, por nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë. Ka shumë përgjegjësi.

Për të qenë më i drejtëpërdrejtë. A ka treguar kryeministri Berisha i cili erdhi në pushtet 8 vjet më parë me flamurin e antikorrupsionit dhe duarve të pastra. Pra a ka treguar vullnet për të luftuar këtë fenomen. Dhe 2 muaj para mbylljes së mandatit të tij mund të themi se kjo qeveri ka dështuar në luftën kundër korrupsionit apo ka ende shpresa se gjëndja mund të ndryshojë?

Sigurisht unë nuk kam qenë këtu në fillim, ose në fushatën e mëparshme zgjedhore. E di që ka qënë një slogan kyç i asaj fushate. Besoj se si çdo qeveri disa hapa janë ndërmarrë. E di që për shembull, në fushën e politikave të investimeve qëndrat me një sportel të vetëm ka qënë një përpjekje për të zvogëluar një pjesë ndërmjetëse, pra kjo është diçka pozitive, por në përfundim mendoj se kjo është diçka që votuesit shqiptarë mund ta vendosin në 23 qershor.

Ndërkohë duke iu referuar raportit, korrupsioni është në nivelin më të lartë se një vit më parë apo në një nivel më të ulët?


Është vërtetë e vështirë që të jepet një thënie e përgjithshme. Mendoj se ka ngecur në vend. Kjo nuk është gjë e mirë, sepse kur nis nga një bazë më e ulët edhe nëse gjërat nuk përkeqësohen, gjërat duhet të përmirësohen. Është tamam si një ekonomi e caktuar. Psh nëse është një ekonomi si ajo Japonia apo Shtetet të Bashkuara, rritja 22 % nuk është shumë, por është një ekonomi e madhe dhe gjithashtu mund të ketë lëkundje. Por nëse je një ekonomi në zhvillim, ndonëse rritja 1 dhe 2 % nuk është keq, përballë recesionit global përsëri duhet të ecet më mirë sesa 1 e 2 %. Kështu që rritja 5-6 % është ajo që nevojitet në mënyrë që të ecet përpara.

Duke ju referuar raportit të Departamentit të Shtetit, thuhet se pjesa më e korruptuar është drejtësia në Shqipëri. Shumica qeverisëse akuzon për këtë gjëndje drejtuesit e mëparshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, presidentin Topi dhe z.Spahiu. A kanë të drejtë përfaqësuesit e qeverisë kur shfajësohen në këtë mënyrë?


Për ta kuptuar dhe një herë më mirë, disa persona thonë, që ish-Presidenti Topi dhe zoti Spahiu për shkak të pozicionit të tyre në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kanë përgjegjësinë më të madhe për këtë?

Po, dmth përfaqësuesit e qeverisë thonë se për këtë gjëndje të drejtësisë fajtorë janë zoti Topi dhe Spahiu si drejtues të KLD para një viti
.

Nuk mendoj se është një argument shumë i fortë. Sërish nuk jam në pozitë për të vlerësuar sesa të efektshëm kanë qënë ata në pozitat e tyre. Por siç e thashë nëse diçka është e kudogjëndur, sikurse korrupsioni në gjyqësor, dhe mendoni ka probleme të tmerrshme me gjyqësorin këtu, ka boll përgjegjësi përpara. Kështu që nuk jam në një pozitë për të thënë nëse Topi dhe Spahiu nuk kanë përgjegjësi fare. Sërish nuk jam në një pozitë për të thënë këtë por ndihem komod të them që situata e gjyqësorit sot nuk është për shkak të këtyre dy zotërinjve.

Korrupsioni i gjykatësve, a ka një mbështetje, suport politik. Për të qënë më i drejtpërdrejtë. Në qoftë se një gjykatës ose një trupë gjykuese jep një gjykim që nuk është në favor të opozitës, por është në favor të shumicës qeverisëse, a ka raste kur një vendim i tillë është një licencë për të bërë korrupsion?


Në bazë të përvojës time, dhe duke biseduar me njerëzit nuk mendoj që mund të vihet në pikëpyetje që gjyqësori është shumë i politizuar dhe që kur merren vendime gjyqësore, verdikte, shumë faktorë që nuk kanë thuajse, lidhje fare me drejtësinë futen në këto vendime.

Ndihem vërtet keq sepse mendoj që shumë gjykatës individualisht janë njerëz të mirë. Pjesa më e madhe e tyre janë shumë inteligjent, ndoshta më të mirët në shkollën në të cilën janë edukuar.

Vërtet është e dhimbshme që unë dy vite radhazi kam pasur privilegjin që të flasë në shkollën e magjistraturës. Këta janë persona që do të jenë gjykatësit e rinj, prokurorët e rinj. I sheh ata, dhe ata përfaqësojnë talentet më të reja të mira në Shqipëri.

E di që ata po hyjnë në një sistem shumë të vështirë. Ne kemi pasur disa gjyqtarë amerikanë që kanë ardhur këtu dhe i kanë ndihmuar për t'i mësuar disa prej kurseve. Dhe që një gjyqtar amerikan vjen nga një sfond tejet i ndryshëm dhe e kam theksuar këtë javën e kaluar kur kam qenë në shkollën e Magjistraturës që në SHBA nuk ka rëndësi nëse je një senator i SHBA-së ose shofer kamioni, ose një shtëpiake, nëse t'i përpiqesh të ndikosh në rezultatin e një cështje duke marrë në telefon një gjykatës ose duke i dhënë një zarf një gjyqtari, ky është një problem serioz se ti je duke ftuar pasoja, shumë serioze pavarësisht se cili je.

Dhe vërtetë shpresoj që në Shqipëri të kishte vërtetë pasoja serioze si këto, por trishtueshëm e dimë që ky nuk është rasti. Disa njerëz më kanë thënë që është çështje mbijetese. I kam thënë këtyre të rinjve, vajzave e djemve që ju keni bërë një zgjedhje që të ndiqni këtë fushë, që të bëheni gjyqtarë, që të bëheni prokurorë. Dhe unë e kuptoj sesa e vështirë është kjo, por ju e keni bërë këtë zgjedhje dhe ju mund të sillni ndryshim, secili individ mund të bëjë ndryshim.

Thatë që ka pasur deklarata dhe qëndrime politike nga gjykatësit. Ajo, që më kujtohet mua është pas vendimit për gjyqin e 21 Janarit dhe u befasuam të gjithë se gjykatës, që bën një deklaratë kundër deklaratës së Ambasadorit të SHBA-së, ne të gjithë gjykuam që ata as në ëndrrën e tyre më të guximshme nuk do ta kishin menduar. Ju si e pritët atë deklaratë?

Jam habitur nga shumë gjëra atë ditë, përfshirë dhe faqen e facebook - ut të ministres së Integrimit që kishte disa komente në të. Unë mund ta kuptoj se përse disa persona nuk kanë qënë të kënaqur me atë deklaratë, por para së gjithash nuk ka qënë një deklaratë personale e lëshuar prej meje. Ka qënë një deklaratë e cila është koordinuar dhe miratuar nga washingtoni. Eshtë një deklaratë që e ka bërë shumë të qartë pozicionin tonë, që ne vërtetë ishim të shokuar nga verdikti sepse e ndjemë që në bazë të fakteve që ishin prezantuar, përfshi dhe ato të prokurorit që ka rezultuar nga analiza e ekspertizës nga laboratori i FBI që është më i miri në botë, që ka pasur vërtetë një çështje të fortë.

Kështu, që sërish u përket gjyqtarëve dhe gjykatave që të lëshojnë verdiktin dhe jam i kënaqur që Prokurori i Përgjithshëm vendosi që ta apelojë këtë çështje. Por ka qënë sigurisht ndjesia nga ana e SHBA që në vijim të 21 Janarit ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur për tu përpjekur në mënyrën tonë të vogël që të shihnim që drejtësi të shërbehej në këtë rast. Pra ne na u kërkua asistencë, nuk u vullnetarizuam ne. por zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe na u afrua për këtë, kjo gjë u miratua nga ministri i Drejtësisë dhe nga kryeministri. Kështu që mendova që kjo ishte pak e çuditshme që disa njerëz thanë që SHBA po ndërhynin në çështjet e brendshme të gjykatave. Cfarë ndërhyrje? Ne na u kërkua që të ndihmonin dhe kjo është ajo që ne bëmë dhe ky ishte verdikti që u lëshua.

Jo, jo nuk ka asgjë për të cilën kërkoj ndjesë. Sigurisht jo të gjithë ndihen në këtë mënyrë por SHBA ndjenë se kjo ishte gjëja e duhur për të bërë në atë periudhë, dhe ne i qëndrojmë asaj deklarate që kemi thënë atë ditë.


.
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot