Vetëm fakti se i është dhënë mundësia për të ofruar diçka në një bashkim, duket qartë si i sjell në mendje gjithë jetën e tij, që nga lindja deri ku ka arritur: “Mendoni, isha askush dhe ju sot po më shtrini dorën për bashkëpunim!” duket se mendojnë menjëherë, ose “Ju më kritikuat, më dëbuat, më shatë dhe tani jua tregoj unë!” Ose nga ana tjetër: “Unë po të shtrij dorën për bashkëpunim, por ti e di që unë e di se je një asgjë...”
Dhe në të vërtetë nuk ndërtohet asgjë kur njerëzit janë ende të mbërthyer brenda vetes pa krijuar jashtë tyre një ideal të mirë për të përbashkëtën. Në të gjitha rastet, sa duken të ftuarit për bashkëpunim, është haptas fare që kanë në qendër të vëmendjes interesin individual dhe kjo nuhatet përtej fjalës. Superegon askush nuk e ka parë, asnjë nuk e ka vizatuar, por breza të tërë filozofësh na e kanë sjellë tashmë të qartë. Pse tek ne jemi të mbërthyer në egon gjigande që na pengon të krijojmë realitete që e kapërcejnë atë?
Thuhet se në vende të vogla superegoja mund të jetë një pengesë akoma më e madhe, nëse e konsiderojmë edhe në sensin psico-social dhe jo vetëm në atë individual siç e ka konceptuar Frojd. Kjo bën që në vende të vogla si i yni, opozita ekziston, por është e përçarë pasi mbizotërojnë rivalitete personale, zili, sherre të vjetra. Superego kolektive nuk na thotë: “Bashkohemi”, por përshpërit në vesh: “Unë s’jam me atë!”. Në qendër të çdo gjëje është individi me historinë e tij personale... të tjerët...
Veç vendit të vogël, mund të shtojmë edhe pasojat e komunizmit që janë të gjalla ende e kudo: Survejimi reciprok, ndëshkimi ekzemplar, fajësimi pa kryer asnjë krim. Duket haptas vit pas viti se si komunizmi ka shkatërruar besimin mes nesh, ka copëtuar lidhjet duke krijuar një dyshim të përhershëm.
Duhet shkatërruar superegoja në mënyrë që besimi të rifitohet, që të mos ecet me kokën mbrapa se dikush po tradhëton e të mos mbetemi të izoluar në gardhin e egos sonë, ndërkohë që bota është kaq e madhe dhe kaq globale e ne jemi një grimcë që mund të funksionojë vetëm në bashkëpunim me grimca të tjera njerëzore. Tamam si milingonat. Po kush e ndjen në Shqipëri veten milingonë?
Komente









