Atë Shtjefën Gjeçovi/Veprimtaria e 
atdhetarit në Kurbin nga 1889 në 1905

Atë Shtjefën Gjeçovi/Veprimtaria e <br />atdhetarit në Kurbin nga 1889 në 1905
Një portret për një personalitet të rrallë të kulturës shqiptare, vepra e të cilit mbetet puna më e përkryer, më me vlerë dhe e papersëritshme në fushën e krijimtarisë, atdhetarisë, etnografisë studimeve albanologjike, etj…

Më 12 Korrik të vitit 1874 lindi në Janjevë të Kosovës, në një familje të varfër fshatare një nga mështarët dhe patriotët më të shquar të Rilindjes Kombëtare, At Shtjefën Gjeçovi. U rrit në një mjedis nga kishin dalë njerëz të shquar të kulturës shqiptare. Prindërit e pagëzuan me emrin Mëhill. I shkathët, trupvogël dhe i etur për dije dhe kulture, Mëhilli i vogël do të mbaronte mësimet e para në fshatin e lindjes. Në shkollë u dallua për zgjuarsi, karakter dhe vullnet të forte, cilësi këto që i ranë në sy priftit të Janievës i cili me ndikimin e tij i mundësoi regjistrimin në një kolegj fetar për studime të mëtejshme.
Kështu, në vitin 1884, në moshën 10 vjeçare u nis për në kolegjin Françeskan të Troshanit, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1888. Po këtë vit ai regjistrohet në Urdhërin Françeskan të Kuvendit të Fajnicës në Bosnjë ku vazhdoi mësimet liceiste dhe filozofike. Kalon në Kuvendin e Derventes të Banja-Llukës dhe më tej studimet teologjike i përfundoi në Kuvendin e Kreshëve në Bosnjë. Në këtë Kuvend pati fatin të njihej me shumë figura të shquara që do të bënin emër në të ardhmen, ku një prej të cilave qe edhe poeti kroat Gergo Martiqi. Atë Pashk Bardhi të cilin At Shtjefni e kish pasur shok klase shprehet: “Atë Shtjefni qe dashtë fort prej Gergo Martiqit i cili ishte më se 70 vjetsh…”.
Në vitet e studimeve At Shtjefni veç të tjerash mësoi me zell shumë çështje rreth Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për liri dhe pavarësi, por bënte kujdes të njihej edhe me letërsinë e traditës. E tërhiqte Buzuku, Budi, Barleti dhe Samiu. Kërkonte të mësonte sa më shumë për gjuhën shqipe, madje në vitin 1893 sa ishte në Kuvendin e Banja Llukës shkonte në Kreshevë për të ndjekur leksionet e Talotcit mbi origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe. Kënaqej në zemër kur mësonte se gjuha e tij ishte një nga gjuhët më të vjetra dhe më të bukura në Europë. Kish filluar kështu moshën e pjekurisë artistike, prandaj bën edhe përpjekjet e para letrare dhe shkencore. Në këtë periudhë shkruan një studim të gjatë rreth 350 faqesh që dëshmon për talentin e rrallë dhe përgatitjen intelektuale të tij.
Pas përfundimit të studimeve, plot force dhe energji të pashtershme për punë, kthehet në Troshan dhe me 25 Korrik 1896 emërohet meshtar. Krahas punës së meshtarit këtu punoi edhe për përhapjen e dijes dhe kulturës. U bë mësues dhe hapi shkollat e para. Pas kësaj u transferua në Rubik - Mirditë, më pas në Pejë dhe në vitet e vrullshme 1899-1905 e gjejnë në Kishën e Shën Mëhillit në Laç - Kurbin. Këtu veç të tjerash u mor edhe me veprimtari patriotike për të cilën kishte nevojë aq shumë populli ynë. Në Kurbin, ashtu siç e dëshironte ai, gjeti klimë të përshtatshme patriotike, gjeti vrullin kryengritës të masave, gjeti dëshirën e popullit për t’u ngritur në luftë dhe për të fituar lirinë e munguar në shekuj. At Shtjefni pothuajse e braktisi kishën dhe u vu në shërbim të lëvizjes patriotike që sapo kishte shpërhtyer, për të mos e shuar më kurrë deri në Shpalljen e Pavarësisë.
Në zemër i vlonte një dëshirë. Dëshira për të hapur një shkollë për fëmijët e fshatarëve të parapambetur të Laçit. Ai shpirt i madh dhe ajo mendje e ndritur nuk mund të robtoheshin para presioneve të pushtuesve osmanë, prandaj ai e hapi shkollën brenda në ndërtesën e kishës në vitin 1901. Një nga ish-nxënësit e tij, patrioti Nikollë Selala kujton: “Kam qenë një nga nxënësit e Gjeçovit. Shkolla u çel më 1901. Gati për 6 vjet At Gjeçovi ka qenë mësuesi ynë. Me ndihmën e fshatarëve ai përshtati një nga dhomat e kishës në klasë. Na jepte 6-7 lëndë mësimore. Bazë ishin gjuha shqipe, letërsia, historia dhe gjeografia e Shqipërisë”. Karakteristikë e vacantë e punës së tij ishte se nuk kishte as miratimin e qeverisë dhe as të klerit, por programet i hartonte vetë dhe lendët i zhvillonte po vetë. Për këto arsye fillon të shihet me sy jo të mire nga autoritetet, megjithatë ai vazhdon rrugën e nisur me guxim dhe vendosmëri, duke dhënë një kontribut të paçmuar në përhapjen e arsimit dhe dijes në masat e popullit. Prandaj theksonte me force qëllimin e tij imediat: “…E fillova mësimin dhe do të vijoj me njat qëllimin e përhershëm tem për me vleftë të masës së re të kombit tone me dëshirë që të përparojë kah zhvillimi i mendjes e kah zhvillimi i jetës shoqnore e qytetare…”. Të gjitha këto aktivitete i kryente më së miri pa lënë pas dore misionin e tij fisnik tëmështarit të përsosun. në planin shpirtëror, At Shtjefni ligjërimet me cilësi për doktrinën kristiane i kishte parësore, duke qenë vetë një bari i përkushtuar ndaj Zotit dhe si bari i grigjës së vet shqiptare. Dhe çdo punë e kryente me zell dhe dëshirë duke qenë një shembull i lartë frymëzimi për ata që e njihnin. Në Kurbin e donin dhe e respektonin pa masë meshtarin e talentuar, patriotin dhe mësuesin e respektuar. E shihnin jo vetëm në kishë, por edhe mes fshatarëve me lapsin dhe fletoren në dorë dhe kazmën e arkeologut në brez, sepse atdheu kishte visare të paçmuara mbi tokë dhe nënë të. I kërkoi ato me vendosmëri, i gjeti dhe ia dha përsëri popullit të vet.
Vrulli shpirtëror i At Shtjefnit nuk u ndal kurrë. I kishte lidnur dëshira për të shkruar për fatet e kombit të vet, për brengat, por edhe për kohën e lavdishme të tij për të rizgjuar tek ky popull i robëruar ndjenjën e lirisë. Provat e para i kishtë dhënë gjatë kohës së studimeve, por kur ra në kontakt me masën e popullit, kuptoi se tek ky popull ishin visaret tona, prandaj u bë më i hovshëm, më i zjarrtë në kërkimin dhe zbulimin e rrënjëve të historiesë dhe të kulturës sonë shpirtërore. Suksesin e ndjen shpejt, sapo iu afrua gurrës së folklorit shqiptar, në të cilën u mbush me frymëzime të reja që pak më vonë do t’i kultivonte energji të pashtershme deri në çastin e fundit të jetës. Dhe filloi t’i derdhë këto frymëzime në vepra, sepse letërsia kishte kohë që po i bulëzonte ndjenjat, ndërsa vjershat e para me temë patriotike i pat botuar në revistën “Albania” të Brukselit në vitet kur qe student në Kroaci. Jetonte në një trevë që kishte lindur dhe rritur heronj. Kryengritjet, lëvizjet patriotike, epoka e kastriotëve i dhanë atij subjektin për të shkruar tregimin “Mnera e Prezës”. Për asnjë çast nuk la pas dore mbledhjen e materialeve gojore nga populli. Mblodhi mjaft gojëdhëna, përralla dhe këngë popullore, 100 prej të cilave u mblodhën në vëllimin “Kënga popullore gegnishte”, nga Vinçens Prenushi botuar më 1911 në Sarajevë. At Gjeçovi mund të quhet edhe sin jë nga themeluesit e dramës shqiptare. Pikërisht në atë dhomë të vogël në kishën e Laçit me veladonin e priftit veshur shkroi më 1901 dramën patriotike kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti me titull “Dashuria e atdheut”, ecila përshkohet nga ideja se Kryetrimi u bë hero dhe fitoi mbi armikun, sepse e mbështet tek populli dhe pati kurdoherë mbështetjen e tij. Po këtu, rreth viteve 1905-1906 ai shkroi edhe dy drama të tjera “Kushtrimi” dhe “Tradhëti gjakësore”, ku gjithë subjekti i tyre i dedikohet një trimi kryengritës që quhet Marka Kuli, i cili ka bërë jehonë me trimëritë e tij në luftën kundër pushtuesve osmanë. Motivi kryesor i veprës së tij ka qenë ndjenja kombëtare. Kjo shihet edhe në veprat e mëvonshme të tij si: “Shqiptari ngadhnjyes”, “Princi i dy Dibrave”, “Ngrehu Shqypni”, “Agimi i gjytetnisë” dhe deri tek “Edipi i Shqipnisë”. duke lënë dhe mjaft përkthime me vlerë, por që shimca e tyre janë të pabotueshme, aq më tepër dorëshkrime. Në fushën e historiesë pasi punoi disa studime për Skëndërbeun, mbi arbëreshët e Italisë, synoi të lidhte mitet e besimet e lashta të popullit tonë me ato ilire dhe pellazge.
Flober ka thenë: “Fjala gjendet gjithmonë, po të zotërosh idenë”. Dhe idenë At Shtjefni e zotëroi gjithmonë dhe fjalën e gjeti, sepse ishte i përkushtuar në mbledhjen e perlave kulturore nga goja e popullit. Rrobja e priftit, kërcënimet e osmanëve dhe detyrimet ndaj fesë nuk ia ndërruan dot natyrën e një malësori me vullnet dhe dashuri të flaktë për atdheun, për popullin dhe për kulturën tonë të lashtë. I nxitur nga kjo dëshirë iu fut punës për të mbledhur në popull disa kode dhe norma zakonore që u quajtën “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, vepër e cila filloi më 1898 dhe u mbyll me vrasjen e tij. Në të vërtetë për më se një shekull, studiues dhe udhëtarë të huaj ushtruan një veprimtari jo të pakët lidhur me njohjen dhe botimin e traditës zakonore shqiptare, por vepra e Gjeçovit mbetet puna e përkryer, më me vlerë dhe e papersëritshme në këtë fushë të traditës shqiptare.
 
ATË SHTJEFËN GJEÇOVI MISIONAR I KULTURËS DHE FESË NË LAÇ – SEBASTE
 
Pasi ka lënë qytetin e bukur të Pejës ku shërbeu vetëm dy vite, Shtjefën Gjeçovi emërohet në kishën e Shën Mëhillit në Laç. Një ditë të bukur pranvere të vitit 1899, ngarkuar me një çantë me libra dhe fletore shënimesh. Ai mbërrin në fshatin e Laçit, aso kohe ende i panjohur dhe vendoset në kishën e vjetër në majë të kodrës. Këtu në Laç, Gjeçovi gjeti një ambient të përshtatshëm bashkëpunimi dhe një mjedis ende të pa hulumtuar me njerëz të përkushtuar për çështjen kombëtare. Për këtë arsye përshkoi mbarë bajrakun e Kurbinit, për të mbledhur visarin kombëtar nga goja e popullit dhe për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm. Nga ana tjetër vijoi në mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Maleve, punë të cilën e kishte nisur që në Troshan, në vitin 1898.
 Thuhet se në Laç, ai shkroi dhe përpunoi mjaft paragrafë të Kanunit dhe i pasuroi ato me mendime, argumentë, rregulla, ide dhe shembuj nga jeta e popullit të Kurbinit. Raste të tilla ai i shpjegon edhe vetë, sidomos tek nenet 83, 84, 119, 130, 142, 154, 165, 170, 213, 251, 252, 253, 379, etj.
Ndërsa në fund të paragrafit 245 të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, fq. 10, Gjeçovi shënon: “Këto kanune mbi kufij i kam pas shkrue në Laç – Sebaste të Kurbinit, semti i Krues, në vj. 1902, kur u kapën dy katune Gjonmi e Laçi, e kur i zhgatërruen krent e 16 katuneve të Kurbinit e të parët e qytetit të Krues. Ishem edhe vetë në krye ndër këta kuvende…”. Ai ishte patriot i vërtetë, madje vuante shpirtërisht për çështjen kombëtare shqipëtare. Këtë fakt e verteton edhe pjesëmarrja e tij në të gjitha kuvendet e zhvilluara në Kurbin nga paria e këtij bajraku. Mjafton të japim fjalën e tij të bajtur në kuvendin e Tallajbesë në vitin 1904, përpara 54 pleqëve më në zë të Krujës dhe Kurbinit për të kundërshtuar masat shtërnguese qe po merrte Qeveria Osmane ndaj popullsisë vendase. Fjala e tij është shkëputur nga shkrimi i gjatë “Parradija e Popullit ase Kryengritja e Dheut të rrethit të Krues me 54 pleq në krye, kundra urdhënve e dokeve të reja t’Osmanllive”. Mes të tjerash në këtë mbledhje ai pati theksuar:
 
ME U SHKRUE NË SHERBIM TË HUAJ*
Para se tu shkruet në sherbim t’mbretit, shqyptari krejt ndryshe ka ken, n’daç kah ana e vllaznisë e n’daç ka tjera poste. E qysh se hini n’sherbim t’naltpermenunit, e hangri nama e zezë. E lshoi doret ora, e filluen me i hype n’shpinë e zeza mi t’zeza, e krijata mbi krijatash. Me nji fjalë e fikmja e Shqypnisë e sideomos e ktyne pesdhet e dy katuneve qi kena n’gojë rrudh prej anes, ja ma mir per shkak t’zotnive t’rrejtun prej osmanllish me nji kashat gojet –t’njyme n’mjalt, e kur e kaperdinte e helmatiste aç keq e verbote. Si ti bashin magji. E i duhej pa ndryshim me i shkel t’drejtat e Dheut të vet [plotson1]. Çfardo do didhirit t’osmanllisë megjith qi çiltas ja poshtnonte kombin edhe e merrte neperkam. I duheshin, thashë, me i [mbajtë] ner kam atdheun. Shkote e i merrte ksifar djemsh trathtar, zemra e ktyne e gurnueme s’thekej m’atë za vrasi të nanes, t’vlznvet e t’motravet.
 Vlen me ditë se çfarë ishte i vorfen e i kputun krahësh nuk u pelqete prej Mretit, por ata qi ishin t’permenun, e dyert e Para qu u hecte fjala në popull, me duer hapet u pritshin n’sherbim t’qelbët të Mretit.
 A munt ta dini se pse? Veshtroni: “Paraja e shpon gurin e e biron malin” asht fjalë e vjeter e shqyptarit të ngratë. E me arsye të madhe e thot ket fjalë. Kush a në katund q ii njihet fjala?Asht Plaku i katundit. E ma? Jan Sterpleqt. E ma? Asht ajo e njikjo shpi e besës edhe e fort, qi do ti veshtrohet fjala mos me hir, pa hiri! Mir fort!
 Tashti Qeveria me shpirt do të rreket m’u miqsue me kto! E masi tu hanë nja disa here buken, u bane bark e shpinë me ato shpia të forta të katundit. Të e mramja nji shef u thotë: “Marre për ju, tuj ken shpija të para e asnja s’jeni shkrue në sherbim të Mbretit(!) Me ken ju edhe në pun të mretit, edhe sa u gjegjet fjala, kishte me ju gjegj. E katunari i shkret qi si kupton mendja aq larg, me kater kamet bjen [brenda]. E most a njasim: fjala e dudumave ja hangren zemren. U shkrue në punë të Mbretit, ja lidhen pagen (qi në e mart nji here, tjerat i jesin pa i marr sod e kurr, veç me rrena e shtyjn, he sod, he neser). A hini në ketë kurth? Haj-haj, e maroi punen.
 Prina ti plak e ju qi jinni në punë të Mretit, se n’katund tuaj janë do per t’u shtru urdhnave të qeverisë, thotë goja e dudumit. A mun ti thonë: “Nuk prij”, jo. Por në kjoft edhe pa rrugë qeveria, n’kjoft se e merr në qafë të pafajshmin, ajo kafshat aq e ambël qi ju duk në fillim deri kur e helmatisi, e i duhet me pri, e vllaun e vet[e then] t’pa faj, veç per mirakame të qeverisë i duhet me i marr në cast e me ja fik votren. E ja ku u çil shtegu i të zezave. Dita me ditë shtohen punët, e do punë të reja (dukje-bidate) e goja e ktyne asht ndrye me shtat dryna, e sun flasin. Se ajo paga e qelbët (qi ai se mer gadi kurr) ja ka mshil gojen.
 Mreti urdhnon ashtu. Mreti don keshtu, deri qi mrrin me fik katundin, atherë kur mos t’ketë ma çfarë, meshkujt ta kthejn shpinen, e kthehet mbi ato shpija të Para qi paten hy në punë të Mretit, padi sod, padi neser, mje qi t’jsin në ma t’mramin dysh, e at’herë […. ], u da miqsia. Ja ajo fjalë qi në vjetë 1901 duel n’katund t’Shemrisë, ku Chelajt2 e Mretit dita më ditë hashin e pishin ke Plaku i katundit. “Erdhi nji gjel, hangri;erdhi nji tjeter, hangri nji tjeter, deri sa meti pa gja Plaku i katundit”.
 Çfarë bani tash qeveria?
 Plakut, Sterplakut e shpiave t’mira u hangri zembren, nuk i kan frig ma, e skan nevojë tu prijnë kta kur t’kenë nevojë me krye ndoj punë t’ligë në katund. Si të parit, si të mramit i turret, e mos raft në dorë, se vaj per te. Ju mush mendja qeverisë me ta lyp ndoj page qi kurr se pate la parandej, ketë e shkep [në dru…], je burr, o katundar se me gjak do t’a lajsh.
 
Madje është pikërisht Atë Shtjefën Gjeçovi që shkruan shënimet e mbledhjes së dates 5-7 gusht 1906, të Delbnishtit ku 45 burrat më të shquar të Kurbinit miratuan një shtesë në Kanunin e Maleve. Për vetë vlerat që pati ky material u shtua në Kanun nga vetë Gjeçovi. Këto fakte tregojnë se edhe paria e Kurbinit, pleqtë e mençur të kësaj treve kanë dhënë ndihmesë të madhe në hartimin e këtij kanuni. Ja ç’shkruan Gjeçovi në kreun IV – Kufiri, mbledhur në bajrakun e Kurbinit:

Neni 251
Kuptimi i kufinit
Seicilla tokë, po kje arë e livadh, kopsht a veshtë, prozhëm a zabel, xanë a ograjë, a rrethi i shipsë, katundi me katund a flamuri me flamur e shpia me shpi, kanë të damet me kufij.
 Kufini përbahet prej gurësh të mëdhaj e picigiatë qi ngulen san en, aq mbi dhe. Për kufi mund të shërbejë edhe ndonji landë e motnueme. “Guri i kufinit ka dishmitarë mbrapa”. Guri i kufinit ka përreth dishmitarë gjashtë a dymbdhetë papërdhokë (gurë të vogjël), të cillët vorrohen nën dhe rreth e rreth gurit të kufinit.

Neni 252
 Ngulja e kufijve
 Në të ngulun të kufijve, posë shpiave në fjalë, duhet të jenë edhe pleqt e katundit, pleqt e flamurit e sa ma shumë prej të rijsh e fmish e edhe prej katundesh të rrethit, qi tëmbahet mend kufini.
 Ai qi të hijë me da kufij, a me drejtue ndonji kufi të harruem, do ta marrë në shpirt, do të ngarkojë në cup të krahit nji gur e nji bucë dheu e do t’u prijë dy shpiave, a dy katundeve, a dy flamurve tuj ngulë kufinin e ri e tuj kallxue shejat e kufijve të vjetër.
 Po iu dha pakut guri e plisi i vuni në krah e u vu me diftue kufijt, nuk mund të dale kush me e ndalë pse it hotë: “Prij, pra, e, mos punofsh me të drejtë, kjo peshë t’u randoftë në atë jetë!” Sit a ngulë kufinin plaku, do tëmbajë dorën mbi te edhe thotë: “Ai qi e lujtët këtë gur, iu randofët në atë jetë! Si ta marsh me peshë , si ta marsh gurin e kufinit në krah, s’ka burrë qi mund ta luej.

Neni 253
 Mëndyrët e besë
 Me gur e me dhe në cup të krahit, plaku qi prin në të dame të kufijve të vjetër, do të përbehet para se të niset.
 Mëndyrët e besë mbas kanunit janë njekëto:
1)   “Për ket gur e dhe (ase: për ket peshë), me të cillat e ngarkova vedin, për shka kam pasë ndie prej së parësh, viset e kufijve janë kenë sikurse do t’ju diftoj tash e, më sa ma merr mendja e shpirti, s’do t’i randohem kurrnjanes lagje”.
2)   “Për ket peshë, këtu e këtu kanë kenë kufijt e hershëm e këtu poi nguli edhe unë. I bajsha në atë jetë, në kjosha tuj ju rrejtë”
3)   “Për ket peshë, e cilla m’u randoftë në atë jetë, njikëtu janë kenë shejat e vjetra të kufijve, si më ka pasë kallxue tatëgjyshi kur isha camerdhok e bari dhizësh me te. Ai e ka pasë marrë në atë jetë se kufijt janë këtu e këtu e përmbas fjalës së tij, edhe unë po e marr në shpirt”.
4)   “M’u randoftë në ket e në atë jetë kjo peshë në mos shkosha me shpirt kah kufijt e vjetër”.

Veç punës së mundimshme për mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit në Laç, shpërthen talenti, dëshira dhe vrulli shpirtëror i Gjeçovit për të mbledhur dhe sistemuar visaret e kulturës popullore dhe historike të popullsisë së kësaj krahine.
 Siç dëshmohet edhe nga shkrimet e studiuesëve të shumtë, në ……. të vitit 1900, ai nisi kërkime për të dokumentuar perlat e kulturës popullore dhe historike të Kurbinit. Kështu nis punën me disa shënime ku hedh fjalë, shprehje popullore dhe emërtime tradicionale të krahinës që mbajnë vitin 1900. E nis me emra flokësh si:shkruhen – Nëntori 6/1982, fq. 155, po aty emra sysh dhe emrat dhe shprehjet popullore të muajve të vitit). Në shënimet e Gjeçovit nuk mungojnë edhe emrat e njerëzve, të bimëve, të kafshëve, emrat e orëve dhe të zanave të Shqipërisë.
 
Gjeçovi ishte edhe poet, madje shumicën e poezive të tij, të cilat paten përmbajtje patriotike i botoi në revistën “Albania” të Konicës në vitet 1900-1901, me pseudonimin Lkeni i Hasit. Jan gjithsej 11 vjersha me përmbajtje atdhetare, të cilat i botoi tek kjo revistë, ku do të dalloheshin “Naim Bujar Frashërit”“Dashtnia e Atdheut” dhe “Thana”. Për të krijuar një ide rreth mjeshtërisë së tij në fushën e poezisë, po japim fragmente të shkëputura nga poezitë e tij:

NAIM BUJAR FRASHËRIT - A KTU SHQIPTARIT
Nji dhimt në zemer po m’mundon,
Mendt s’i shof si për her t’kfillta
Shpirtin n’jet, as i send s’ma gzon.
 
Rreth për rreth i shof t’errue,
T’gjitha male t’vobekts Shqypni,
Rrezet dilli a tuj mjerue
Zemrat, si perher m’na i pertri!
 
Asht zhurit dhe dritë e hanës,
Krajatën ton, tuj mjerue,
I asht hap daz’ i mirakanes,
Gj’mimet tona tuj veshgue.
 
Burr shpirtmadhi na ka vdekun,
Naim Frashni trim bujar,
Vdek e Tij mbar na ka thekun
Ç’n’u dur q’i madhi Atdhetar.
 
O drit’ e bardh, shpejt prendove,
Ne na la me i derdhun lot,
Me t’duk’nin Tand na vorfënove,
N’vaj do t’na shkojnë ditët n’kët bot.
 
Dashnia t’shtyni vdek’n me shkel,
Për shptim t’Shypnis, jeta s’tu dhimt!
Tash Shypnia pa Ty ka ngel,
Me krah t’këput e me zemer gjymt.
 
Na vdiqe, Drit, na la o vëlla,
T’met’ nat ç’t’man, i lum’aj dheu,
Punt’ ç’i nise d’t’shkuen vra m’vra,
N’bot t’njifen, ti njef edhe atdheu.
 
Për Ty kjan e knon Shqypnia,
Kjan per Ty, qi s’t’ka ma n’jetë,
Zemra i knon, perse dia,
Mas vdeks sate n’jet ka metë.
 
Emni jot s’ka m’u harrue,
Sa kohë t’ndërrohet gjithësia,
T’gjith shqiptart kan me t’bekue,
Se prej ty Shqipnis i erdh dija.
 
N’dashni t’vendit qe shum i xet,
Me shpirt për gjuh u mundove,
N’pushim na qofsh!Se gja s’la met,
Për lulzim t’gjuhës, mjaft punove.
 
E kur t’vin koha ç’pe presim,
Vorri jot ngrihet n’permendtar,
Kto fjal, ktij n’ball do t’ja njesim,
NAIM FRASH’RI A KTU SHQYPTAR!.
Laç-Sebaste 23. VIII. 1901
R. Kelmendi, F. Gunga:”Shtjefen Gjeçovi – Jeta, vepra”, Rilindja-Prishtinë 1985, fq. 238.
 
Tek cikli “Dashtnia e Atdheut”, gjendet një vjershë e bukur me titull “Prej majes së Tomorrit”, perms së cilës Gjeçovi shpreh ndjenjat e atëdhedashurisë i ndikuar nga përshtypjet që i lindin nga vizita në Jug të vendit, nga krenaria për bukuritë e mahnitëshme të natyrës shqiptare, pare nga maja e Tomorrit, prandaj ai shprehet:
 DASHTNIA E ATDHEUT
 Gjith sa jam – e gjith çka kam
 Ti Shqypni m’i dhe ti
 M’ty, o mam – unë jam m’kam,
 E qysh n’vocri – m’rujte n’gji.
 
 Tatë m’je – e mamë m’je
 Ti m’ke n’gji – dashme Shqypni
 M’ty kam le – n’prehe ti m’ke…
 
 N’t’harrofsha – vet u shofsha
 Plot hijeshi – o Shqyptari,
 Ku shkofsha – ku do shkofsha
 Du n’dashtni – për ty m’u shkri!
 …………………………
 Atdhe, o Atdhe, o Atdhe!
 Unë shum t’due e n’ket dashtni!
 I shkreti nuk di m’u ngi.
 …………………………
 Tomor o Pastrik, pse përpiqi
 E pse përqafi me at dashtni
 Si përher e patt ner veti?
 …………………………
 Prej Tomorit vetimat s’u shuen
 Prej Postrikut rrfejat sod shkrifen
 E mizort…. . s’kam ku mshifen.
 Përse shqyptarit t’gjith n’pun u çuan
 E zemrat ju rrafn, s’i herë u rifen
 E prej botës sod do nifen.
 
Tek poezia “Hiria e Gjergj Kastriotit” del në pah talent ii tij prej poeti dhe atdhetari të vërtetë. Ajo ka 22 strofa katërshe e shkruar në formë dialogu mes Gjergj Kastriotit dhe Lkenit të Hasit-autorit për gjendjen e mjeruar dhe fatin e zi të atdheut nën thundrën e pushtuesit osman. Ja disa strofa nga kjo vjershë:

HIRIA E GJERGJ KASTRIOTIT
 Zemra m’u dridh fuqia m’la
 Shikoja i mjeri si të ikë
 Zëri më ndiqte, por s’shihja gja,
 Prap: ndalu, ndalu, më tha o mik.
 
 Ndalu mik, t’tham, por vëlla të kemi
 N’prehër t’kësaj Mëmë jemi rritur
 Por ju s’bëni, çfarë ne bërë kemi
 Për këtë Mëmë që ju e keni shitur.
 
 Unë me ju deri vonë kam qenë
 E më thonë Gjergj Kastrioti
 Me këta vëllezër erdha në këtë vend
 Me pyet mëmën pse gjëmojti.
 
 Faji është i juaji që t’shkretën
 E bani me e endun derë më derë,
 Ky i thotë jam toskë, s’muj me gegën
 Ai jam gegë me toskë s’shoh verë.
 
 Në Shqipëri ju të gjithë lindur keni
 Të kësaj Mëme ju bij jeni
 Një Zot një gjuhë një gjak keni,
 Pra vëllezër jeni, vëllezër jeni.
 …………………………. .
 Në Shqipëri ju të gjithë lindur keni,
 Të kësaj Mëme ju bij jeni,
 Një Zot një gjuhë një gjak keni,
 Pra vëllezër jeni, vëllezër jeni…
 …………………………. .
 Kjen betu e pleq e të ri,
 Të dy vllaznive të shqypnisë,
 Vlonën me qitë në liri
 A me dekun në fushë të trimnisë.
 
 Kërcet pushka, topi vjell gjak,
 Shqyptarin s’e tremb gja,
 Në Vlorë hini e nguli cak,
 Tu kendu, vall, gzim tuj ba!
 
 Urra, djelm, me besë të lidhun,
 Vlonës t’i thona nji urim,
 Se ka pa nji kohë të idhun,
 Por e bajti me durim!
 
 Rrnofsh o Vlonë, me djelm petrita,
 Ksaj lëvizje ti i prive;
 Knaqu sod se të ndrit drita
 Në hije të shqipes përsëri hine!
 
 THANA
 Un’e mjera un’e shkreta
 Ma e para i qit lulet
 Erdh pranvera e unë meta
 Prap e shkreta se e shkreta.
 
 Shoqet e mia po krenohen
 Me hjeshi e me gjith të ri
 Keq për mue s’kan se rrzohem
 N’koh ma t’mir n’dhe q’po hi.
 
 Mue n’gaz t’tanë ju m’vut
 Tuj m’qeshë e tuj m’sha
 Unë rrishe e përvujtë
 Por tash, ah! nuk duroj ma.
 
 Kokrrat ‘mia vet u poqen
 Erdhi koha me i mmbledhun
 Pse prej trungut vet u shkoqën
 E lypin vend ku m’u mmjellun.
 
 U mmollën binë e u rritën
 I lshuen gjeth t’tanë t’shkrueme
 Shnnrisin natën por si ditën
 Shkronjat ishin gjith t’prarueme…
 
 Shqyptaria nuk rrzohet,
 Nder sa t’jena na
 N’kulm po e majm
 Le t’nalsohet
 Edhe kah dia.
 
 Ne qoft kenun e përgjumshme
 Ajo nderi tash
 Sod do t’bahet e gëzushme
 Me mal e me rafsh!
 ……………………
 Urrah! Le t’bertasim
 Se shqyptarisht po flasim.
 
(Vijon numrin e ardhshëm)

Redaksia Online
Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë