Po zhvillohet në GJKKO seanca e radhës gjyqësore ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të cilët akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në vitin 2019, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.  Në sallën e gjyqit është paraqitur Luan Mata babai i shumë kërkuarit Ervin Mata, ku është pyetur për shpërthimin me tritol në vitin 2020 në hotelin e tij, duke thënë se nuk e di kush mund të jetë autori. 

"Në vitin 2020, kam operuar një biznes privat. Kam hotel Viktoria dhe Viktoria Construksion. Nuk kam pasur probleme me njerëzit. Në vitin 2020, ka pasur një incident, kam qenë brenda në hotel. I gjithë hoteli është me kamera. Kam dy fëmijë. Nuk kam idenë se kush ma ka vendosur tritolin.", ka thënë ai.

Në proces u paraqitën për të dëshmuar edhe Julian Pjetri, Genti Nderjaku dhe Ramazan Rraja, tre nga personat e dënuar nga GJKKO si pjesë e grupit për sulmin me armë zjarri ndaj ish-prokurorit.  Po ashtu në gjyq ishte edhe Amar (Dritan) Shkëmbi i ekstraduar se fundmi nga Dubai, i përfshirë gjithashtu në ngjarje. Pjetri u dënua me 4.4 vite burg, Genti Nderjaku  me  5.4 vite dhe Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja me 6 vite. Të gjithë refuzuan që të dëshmonin duke thënë se përfitojnë nga e drejta që iu jep ligji. 

"Nuk dua të jap shpjegime, përfitoj nga kjo e drejtë që më jep ligji", tha Julian Pjetri.

"Nuk dua të përgjigjem, dua të përfitoj nga kjo e drejtë", tha gjithashtu Genti Nderjaku. 

"Dëshiroj të dëshmoj por sot nuk është avokati im. Do të paraqitem herës tjetër me avokat", theksoi Ramazan Rraja. 

"Dua të përfitoj nga e drejta për të mosu pyetur", tha Amar Shkëmbi. 
 

Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u ekstraduan nga Dubai në gusht të vitit 2024. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit ndaj ish-prokurorit në nëntor 2019 ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij. SPAK e zbardhi atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në “SkyECC”.

Vendimi i GJKKO për 5 nga të përfshirët në atentatin ndaj Ndojës, Ramazan Rraja, Genti Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Endrit Sinani dhe Julian Pjetri u dha në tetor të vitit 2024. Po ashtu për këtë ngjarje është dënuar me burg përjetë Redjan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, dhe me 35 vite Ariol Halili.