Atentati ndaj rinovimit të PD-së, me vendim gjykate

Atentati ndaj rinovimit të PD-së, me vendim gjykate

Sali Berisha

Vendimi i Gjykatës së Ti ranës që njeh kongresin e 11 dhjetorit të Sali Berishës dhe mundëson rikthimi i këtij të fundit në krye të PD-së është një atentat që i bëhet rinovimit të Partisë Demokratike. Një PD që nuk është pronë e një individi, ku kryetari kritikohet haptas dhe jep dorëheqjen reale pas dështimit elektoral, ku komandohet kryetar një djalë i ri i formuar, inteligjent dhe i papërfolur për korrupsion, ku ka debat real dhe përplasje idesh e fraksionesh, nuk i intereson as Berishës dhe as Metës e Kryemadhit. Aq më pak i intereson Edi Ramës, që e ka transformuar PS-në bunker personal.

Pikërisht kjo PD post-berishiste po lindte pas dorëheqjes së Bashës. Për herë të parë që nga themelimi i saj në Partinë Demokratike kishte debat të hapur dhe demokraci reale. Për herë të parë në historinë e kësaj partie, Grupi Parlamentar kthehet në një institucion që nuk është zgjatim i kryetarit. Hera e parë që ky i fundit jep dorëheqjen reale përballë dështimit elektoral. Për herë të parë në historinë e kësaj partie antikomuniste vjen në krye një dajë i ri si Enkelejd Alibeaj që përfaqëson shtresën e të persekutuarve, një jurist i shkëlqyer i Shkollës së Magjistraturës, një djalë inteligjent dhe me integritet, nga politikanët e rrallë të pa përfolur për korrupsion.

Për herë të parë në historinë e saj PD-ja po ndahej nga trashëgimia berishiste që e ka dënuar atë të jetë përjetësisht parti e dytë. Largimi i Bashës ishte ndarja me produktin e fundit që kish prodhuar berishizmi brenda saj. Ardhja në krye të PD-së e Enkelejd Alibeaj shënonte një mundësi të artë për transformimin e kësaj partie në alternativë qeverisëse duke krijuar një identiet politik të ndryshëm nga PS-ja. Në vend të Berishës ish komunist, të përfshirë familjarisht në korrupsion dhe non grata, PD-ja tashmë kish një kryetar nga familje fisnike dhe e persekutuar prej komunizmit, jurist tejet profesionist, inteligjent dhe me integritet, i papërfolur për korrupsion.

Kjo ishte e papranueshme për dinozaurët tanë politikë, që e mbajnë dhe riprodhojnë pushtetin me filozofinë “një mut jemi të gjithë”. Një Parti Demokratike e rinvouar, nxirrte jashtë loje jo vetëm Berishën, Metën dhe Kryemadhin, por edhe Ramën. Ndaj procesi i rinovimit duhej shtypur që në filiz. Shpresa duhej çrrënjosur sepse vetëm dëshpërimi dhe mungesa e alternativës mund të mbajnë gjallë sistemin tonë të kalbur politik.

Këtu hyn në lojë vendimi i Gjykatës, që më shumë se juridik ishte politik. Ai jepet pikërisht në momentin kur PD-ja hyn në një proces rinovimi duke u ndarë përfundimisht nga berishizmi. Kur ajo shënon disa standarde demokratike, që nga dorëheqja e kryetarit Basha dhe vendosja e një kryetari të ri që nuk është zar i askujt, dhe deri te debatet e brendshme, që tronditin bunkerët politikë kutërbues që janë Shtëpia e Lirisë dhe PS-ja.

Të kuptohemi, nuk kemi të bëjmë me konspiracion. Bashkëpunimi mes dinozaurëve politik është logjik, i hapur dhe aspak konspirativ. Gjykatësi në fjalë nuk e mori vendimin pro Berishës thjesht sepse është mik i këtij të fundit. Në traditën tipike të drejtësisë sonë të vjetër dhe të pareformuar, produkt i dyshes Berisha-Meta, gjyqtari në fjalë e di mirë se vendimi i tij jo vetëm nuk i prish, por i bën punë pushtetit. Ndaj ai mund të merret në mënyrë skandalozë, jo vetëm në konflikt të pastër interesi, por edhe në mungesë të palëve.

Ndryshe nga analistët tanë të ndritur, gjyqtari në fjalë e kish kuptuar shumë mirë se pushtetit i duhet një PD e berishizuar dhe jo e rinovuar. Me këtë vendim, ai vret dy zogj njëkohësisht. I bën nder edhe mikut të tij Berisha edhe pushteti Rama që mund të rrijë qetësisht në pushtet me një PD ku kryetari plak është non grata për korrupsion familjar.

Klouni Berisha dhe gaztori Meta janë ata që i duhen pushtetit socialist për të vazhduar të vjedhë fondet publike me skema si ajo e inceneratorëve. Opozita e rrugës, çjerrjet dhe denoncimet e tyre ndaj “kriminelit” Rama e rrezikojnë shumë më pak këtë të fundit se komisionet hetimore parlamentare që me qetësi dhe fakte i tregojnë shqiptarëve skemat skandaloze të vjedhjes së pasurisë publike.

Komisioni hetimor i inceneratorëve e tronditi qeverinë Rama sepse e vendosi opozitën në normalitet, duke i treguar opinionit publik jo vetëm babëzinë korruptive, por edhe mungesën e profesionalitetit të një pushteti që mburrej se ishte modern dhe kompetent. Ishte ky komision që ushqeu revoltën dhe protestën qytetare që u shfaq pak kohë më pas në rrugë nga shoqëria civile. Një qeveri që vjedh haptas nuk ka moral t’i kërkojë sakrifica publikut.

Ndaj ishte e nevojshme të zhvendosej menjëherë vëmendja nga skemat e korrupsionit qeveritar dhe nga protesta sociale. Duhej rikthyer cirku politik me opozitën e denoncimit dhe jo të alternativës, të rrugës dhe jo të Parlamentit, të protestave që prodhojnë trullosje, lodhje dhe refuzim tek opinioni publik. Duhej opozita që është në konflikt të hapur me faktorin ndërkombëtar, që refuzon reformën e drejtësisë, sepse ajo mund të eliminojë gjyqtarë, të cilët japin vendime që i bëjnë punë pushtetit, në qeveri dhe opozitë.

Me pak fjalë, duhej rikthyer anormaliteti i thellë politik, nëpërmjet të cilit legjitimohet pushteti aktual. Në këtë pikë interesi i “politikanëve të fortë” Rama, Berisha dhe Meta përputhej. Midis forcës dhe drejtësisë, gjyqtarët tanë rrallë zgjedhin këtë fundit, sidomos kur nuk kanë kaluar vetingun. Ndaj atentati që iu bë rinovimit politik të PD-së nuk është aspak konspirativ. Ai është produkt i një sistemi që mbahet gjallë vetëm duke riprodhuar batakun politik ku ndodhemi.

J.GJ.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nori: 28/03/2022 14:56

    Ardhja ne krye e Alibeajt? Ai nuk ka ardhur apo shkuar ne krye te asgje. Por mbulon perkohesisht nje post per shkak te vakances nga nje doreheqje prej z. Basha. Ne ate subjekt politik do te behen zgjedhje. Dhe cilido mund te kandidoje sipas rregullit. Sidoqofte ky nuk eshte problemi. Por shterpesia e xhurnalizmes shqiptare. Pa fakt, pa prove, pa investigim por vetem me the te thash. Psh mund te shkruaje zoteria, a do ishte e udhes qe menyra e organizimit te partive ne elementet e saj kryesore te ishte jo permes statuteve por ligjit? Nje ligj te miratuar me referendum, minimumi. Ku dikush qe humbet, ta zeme, nje pale zgjedhje, te mos kete te drejte te rikthehet! Eshte pak karg por ka ligje te mira per kete pune, Kanadaja. Populli nuk ka nevoje per rinovim te nje subjekti. Por te sistemit te korruptuar politik. Qe nisi me infiltrimin e Berishes ne 1991, vazhdoi me ate te Rames ne PS, dhe me Bashen. Radhen e ka prape PS, me infiltrimin e radhes, Veliaj. Kjo nuk eshte politike por shkerdhatopolitike. Dhe esshte MEMA e te gjithe llojeve te korrupsionit ne vend. Nga drejtesia te gazetaria.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024