Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, Besim Sherifi, 52 vjeç, i arrestuar në Tiranë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e tre personave në Shkup në vitin 2007, rezulton se prej vitesh jetonte duke përdorur një identitet të rremë.

Sipas informacioneve të siguruara, Sherifi mbante në dokumente emrin Besnik Xhaka, një identitet që dyshohet se i përket realisht një shtetasi nga Kosova, por që ishte përdorur nga Sherifi në dokumente të falsifikuara me fotografinë e tij.

Autoritetet shqiptare kanë kërkuar informacion të detajuar nga institucionet e Kosovës për të verifikuar identitetin në fjalë. Ndërkohë, janë sekuestruar disa dokumente me të njëjtin emër, përfshirë një patentë kosovare dhe një leje qëndrimi të lëshuar nga autoritetet shqiptare, të gjitha me identitetin e rremë. Po hetohet gjithashtu mënyra se si Sherifi ka mundur të pajiset me leje qëndrimi, pasi sipas procedurave ligjore kërkohet dhënia e shenjave të gishtave.

Në kushte normale, identiteti i tij do të ishte zbuluar më herët, duke qenë se ai ishte në kërkim ndërkombëtar me “Red Notice”. Gjurmimi i tij u bë i mundur përmes djalit të Sherifit, i cili rreth dy muaj më parë kishte ardhur në Shqipëri për ta takuar. Ky fakt ngjalli dyshimet e para tek policia se bëhej fjalë për Besim Sherifin dhe jo për personin me identitetin Besnik Xhaka.

Fillimisht, ai u shoqërua në mënyrë rutinë, pa u informuar se dyshohej për një arrestim të mundshëm. Pas marrjes së shenjave të gishtave, u konstatua përputhja me Besim Sherifin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.