Avokati Idajet Beqiri ka kujtuar kohën kur Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK) drejtohej nga Bashkim Gazidede, duke e cilësuar një periudhë të errët për Shqipërinë.

I ftuar në emisionin 'Frontline Interview' me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Beqiri tha se Gazidede, me urdhër të ish-Presidentit Sali Berisha, e ktheu SHIK-un në një organizatë kriminale.

Ai shtoi se SHIK-u u përdor në mënyrën më skandaloze nga PD për të vjedhur me dhunë zgjedhjet e 26 majit 1996, duke arrestuar e rrahur komisionerët e PS.

"Me Shërbimin Informativ Shtetëror këto 30 vite, një pjesë e këtij shërbimi, një pjesë e kohës së tij, u shfrytëzua në mënyrën më banale e skandaloze, deri sa e ktheu në një organizatë kriminale SHISH-in Gazidede. Sepse arriti që në zgjedhjet e 26 majit 1996, SHIK-u i tij u vërsul dhe arrestoi, ndaloi e rrahu komisionerët e PS-së. SHIK-u e bëri", tha mes të tjerash Beqiri.

Beqiri shtoi gjithashtu se gjatë trazirave të vitit 1997, drejtuesi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, jepte urdhra se ku do hidheshin armët me qëllim nxitjen e një lufte mes veriut dhe jugut të Shqipërisë.

Gjithçka sipas avokatit Beqiri ishte e orkestruar nga Sali Berisha, me qëllim mbajtjen e pushtetit me dhunë.

"Dhe kur u hapën pastaj që e rrëzoi shtetin Saliu në vitin 1997 me ato që ndodhën, me hapjen e depove të armëve, që hodhi veriun në luftë kundër jugut të Shqipërisë, dolën hapur dokumente te SHIK-ut, ku komandanti i operacioneve, Gazidede, jepte urdhra se ku do i merrnin armët, ku do hidheshin, etj. U kthye në një gestapo dhe me keq se çfarë bënin nazistët gjermanë", shtoi Beqiri.

Në përfundim Beqiri rikujtoi edhe Remzi Hoxhën, i cili sipas tij u vra mizorisht nga SHIK-u i kohës dhe Sali Berisha, pasi sipas avokatit, zbuloi marrëveshjet që bënte asokohe ish-Presidenti Berisha me diktatorin serb Sllobodan Millosheviç. Më pas me ardhjen e Fatos Klosit në krye të SHIK-ut, sipas Beqirit, ky institucion iu rikthye normalitetit.

"Ajo periudhë është nga më të zezat e SHISH. Merr Remzi Hoxhën, sepse pa një krim të rëndë që u bë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, marrëveshjen që po bënte Millosheviç me Berishën në Ohër, për t'i dhënë armë Millosheviçit për të bërë masakrat e Srebrenicës në Bosnjë, dhe ai që e zbuloi një gjë të tillë dhe mori edhe një video për të, u bë copa copa nga Saliu dhe SHIK-u i Gazidedes e hodhi në det dhe nuk e gjejmë dot as sot ne Remzi Hoxhën. Dhe të tjera e të tjera që nuk kanë fund në këtë drejtim. Ky SHIK u bë njerëzor, u bë profesional, u vu te ligji kur erdhi Fatos Klosi e pas dhe ka ecur jo keq. Nuk kemi patur probleme", përfundoi Beqiri