Axhustatori nga Kukësi, një jetë me saldime e stukime: Dhimbje për rininë që nuk duan zanatet! I kënaqur që ia mësova djalit tim

“Unë quhem Halit Hamza.Kam mbaruar shkollën industriale në Tiranë për axhustator.”

Haliti, që për nga paraqitja, të jep përshtypjen e një burri të moshuar më tepër sa vite ka në kurriz. Jeton në fshatin Kryemadh dhe është ndër axhustatorët e rrallë mbetur jo vetëm në Kukës. Ishte 12 vjec kur nisi për herë të parë punë, pranë familjes së tij.

“Me punë axhusterie,saldime.Stukoj dhe iu jap bojë makinave dhe furgonave. Jam axhustator me profesion me kategori të shtatë. Unë kam punuar 35 vjet.”

Kur shkoi për herë të parë në Tiranë për të ndjekur shkollën, Haliti kishte pasiguritë e tij. Një i ri nga Kukësi që donte të fitonte zanatin, as e kishte menduar që do të bëhej ai profesionisti i pakët, që lëmon dhe përpunon me dorë veglat dhe pjesët e ndryshme të makinës, me qellim që ato të vihen në funksion të plotë. Një zanat po aq i rrallë, saqë shpesh ngatërrohet me të qenit saldator i thjeshtë.

“Kur shkova në shkollë në Tiranë, nuk më pëlqente axhustaria. Nuk kisha qejf. Më merr profesor Ramazan Rragami dhe më thotë hajde të dërgoj në një vend tjetër. Më dërgoi në kovaçane. Ik mor thashë. Unë kovaç. Ishte mirë ta merrja edhe kovaç se tani kovaç po fiton lekë ma shumë se unë. Edhe punova në axhusteri”.

69 vjeç, është në pension, por jo i papunë. Të qenit i fortë e mban pasioni për punën e tij, pasion ky që e ka ndihmuar të kalojë edhe momentet e vështira.

“Kam pasur probleme dhe momente të vështira në punë. Psh, kam patur një kamion dhe u donte me shpu bira të mëdha me punto 16. Tu ngroh fijet e kabllit të traponit harrova me ulë thikën dhe për momentin kisha fijet përjashta. Hala i kam shenjat në gishta nga kapja e trefazorshit. Fati që kisha veshur një palë atletike të gomuar dhe nuk shkarkoi me ra në tokë. Shpëtova. Ishte aksident. Sigurimi teknik edhe kujdesi duhet të jetë i mirë.”

Prej vitesh ka të njëjtin repart pune kurse veglat i ruan që nga koha ish parkut të mjeteve në Kukës, në vitin 1971. Këtu gjenden edhe pincat e parë e punuar nga dora e tij.

“Të gjitha veglat i kam qysh në park, qysh në 71. Ku ti gjejsh sot këto. Edhe po ti gjesh janë të dobëta. Janë origjinale. Atëhere edhe këto pinca i kam bërë me dorën teme. Me kalibër dhe vetëm këllëfat i kanë veshur në Shkodër. Pincat i punonim vetë me dorë në morsetë”.

Ndjen dëshpërim se të rinjtë nuk e preferojnë këtë zanat në zhdukje. Megjithatë djalit ia ka trashëguar dhe bashkë kanë punuar edhe 24 varka.

“Ka shumë djem të rinj që vijnë tek unë dhe i them “o lal” hajde rri. Merre zanatin. Nuk jam tu lyp lekë. Merre zanatin për veten tënde se të duhet, se mekanika ka punë. Por të rinjtë nuk po e preferojnë shumë këtë profesion. Këtë profesion ja kam trashëguar djalit. Ja kam azhornu saldimin. Është i interesuar. Kemi berë 24 copë varka. Asnjë nuk më ka dështuar se ato janë për liqen mos me hy pikë uji. I kam bërë origjinale dhe më kanë dalë me rezultat. I kam bërë me porosi.Njëri e donte 4 metra. Një tjetër 7 metra.Kam bërë deri në 8 metra të gjatë. Para dy jave e bërë një varkë 5 metra.”

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër