Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, reagoi ndaj deklaratave të Sali Berishës gjatë protestën së zhvilluar të martën duke i cilësuar ato skandaloze. Në një intervistë për emisionin 'Off the Record' me Andrea Dangllin në A2CNN, Bido tha se Berisha i është rikthyer retorikës së 21 janarit.
“Vjen një moshë që besoj se njeriu nuk mundet ta tejkalojë më vetveten. Dhe doktori këtu, për mua, këto janë deklarata skandaloze që ka bërë. Vetë militantët, militantët e urdhëruar prej tij, hedhin zjarr, hedhin molotovë ndaj policëve, dhe ai thotë që qeveria po i vë zjarrin policisë. U kthye dhe filloi të fliste prapë për ato stilolapsat pistoletë, siç doli pas 21 janarit, duke thënë që zjarri ndaj kolegut gazetar ishte hedhur nga policia, ndërkohë që ne pamë se kush po e hidhte zjarrin. Filloi të fliste për policët që janë bërë mish për top dhe nuk e kuptoj, kur e kishte vetë në dorë që të mos hidheshin molotovët. Thotë se polici bën detyrën e vet atje. Mjafton që të mos hidhet molotovi dhe nuk ka policë të plagosur. Dhe këto skenat me “Azem, ti je gjallë” i kemi parë edhe në të shkuarën", tha Bido.
Komente










