Balerini Eno Peçi: Do fluturoja drej
Tiranës, TKOB shtëpia e të gjithëve

Balerini Eno Peçi: Do fluturoja drej<br />Tiranës, TKOB shtëpia e të gjithëve
Në Koncertin e Filarmonisë të Vjenës, që mbahet në çdo 1 janar, si një kulm i elitarizmit europian, njëri nga solistët kryesorë të Operas Vjeneze është shqiptari Eno Peçi.
 
Në shfaqjen e përvitëshme më glorioze në çdo fillimviti të orkestrës të filarmonisë vjeneze, e inkorporuar në Teatrin e Operas Shtetërore të kryeqytetit austriak, dirigjuar gjithnjë nga mjeshtra të nivelit më të lartë botëror, prej Herbert von Karajan e deri tek Daniel Barenboim, një nga balerinët kryesorë të Danubit Blu dhe të valceve aq të mrekullueshme të familjes Shtraus është shqiptari Eno Peçi.
 
Por kulmi është se emri i Eno Peçit, ndërsa është tejet i famshëm në Vjenë, në Shqipëri e në trojet shqiptare pothuaj nuk njihet fare. Njihet natyrisht në rrethet artistike, por mediat shqiptare kanë treguar shurdhmemecëri të plotë ndaj fenomenit Eno Peçi dhe shkëlqimit të tij.
 
Kjo arritje brilante e 31 vjeçarit shqiptar, është njëkohësisht arritje brilante edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi dëshmon për gjenialitetin e identitetit shqiptar. Por për absurd, me Eno Peçin krenohet Vjena, ndërsa shqiptarët nuk dinë gati asgjë për të. E keni parasysh vanitetin dhe kotësinë e gazetave dhe televizioneve shqiptare të cilat thonë atë që s’duhet ta thonë, ndërsa deri tani nuk kanë thënë pothuaj asgjë për balerinin virtuoz shqiptar Eno Peçi!
 
E kam thënë në një shkrim se, nëse Vjena nuk do të ruante me fanatizëm shpatën dhe përkrenaren e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, është e sigurt se do të dilnin ca vandalë firaunë për t’i trafikuar diku apo për t’i shkatërruar e bërë skrap.
 
Vetëshkatërrimi, kjo është një sëmundje nga e cila po vuajnë shqiptarët. Nuk e di se kur do të marrë fund, për t’I lënë vendin ringjalljes dhe rilindjes kombëtare. E cila nëse do të ketë një start duhet të ketë nivelin e lartësisë që ka arritur Eno Peçi, vetë, me forcat e tij, me talentin e tij dhe punën  gjigande.
 
Eno Peçi ka prej vitit 2000 që është balerin i institucionit më prestigjioz në nivel botëror të dancës klasike siç mund të jetë Opera Shtetërore e Vjenës, me një histori të shkëlqyer që daton prej mesit të shekullit 19, i cili më 2009 kremtoi si një evenimet botëror 140 vjetorin e lindjes.
 
Opera Shtetërore e Vjenës përzgjedh talentet më të spikatura nga e gjithë bota, dhe midis më të mirëve ka zgjedhur djaloshin shqiptar Eno Peçi, të jetë solist në Operan Shtetërore të Vjenës dhe në Volksopera-n. Në një kohë kur shqipëtarët konsumohen ditë e natë shpirtërisht nga arti trash dhe ende nuk poi thërrasin mendjes për të mbledhur rreth vetes ajkën e artistëve shqiptarë, që shkëlqen mrekullisht në skenat më të famshme botërore.
 
Është xhelozi, cmirë, amatorizëm, por më së shumti është një sjellje antikombëtare të mbash larg vendit artistë të nivelit të Eno Peçit, arritjet e të cilëve janë të nivelit ndërkombëtar. Arti shqiptar ka nevojë për elitën. Rinia shqiptare ka nevojë për elitën. Kombi shqiptar ka nevojë për elitën. Sepse identiteti kombëtar ushqehet vetëm me vlera dhe me elitën.
 
Ndaj elitës shqiptare e cila ka arritur famë në Europë e botë deri tani është mbajtur qëndrim jomiqësor nga shteti shqiptar, duke i mbuluar me indiferencë të plotë. Një qëndrim i tillë armiqësot ndaj vlerave duhet të ndryshojë sa më shpejt, sepse koha nuk pret më. Yjet shqiptare nëpër botë meritojnë të kenë vendin e tyre në Shqipëri. Mjaft u lodh rinia duke dëgjuar emra mizerabël politikanësh, që shpërdorojnë votën dhe taksat e popullit të vuajtur shqiptar. Populli shqiptar, skena shqiptar ka nevojë për yjet e tij.
 
Dhe njëri prej tyre padyshim është Eno Peçi, të cilin po e falënderoj që në krye sepse, me modestinë e një artisti të madh, e pranoi me mirësi kërkesën për intervistën e mëposhtëme që poi a përcjellim menjëherë lexuesit të nderuar shqiptar  kudo që të jetë ai.

PYETJE: Kam lexuar në një artikull shkruar disa vjet më parë nga austriakja Die Presse për ju, se fillimisht keni dashur që të bëheni një kërcimtar i Breakdance. Me sa duket ju ka pëlqyer rocku dhe rap-i apo jo? Po ideja e kërcimit nga ju ka lindur? Vini nga një familje artistësh?
ENO PEÇI: E vertetë. Kisha dëshire shumë të kërceja. Dëgjoja shumë muzikë në televizor ( MTV) dhe shihja se si kërcenin dhe kjo gjë me nxiste.
Une vij nga një familje që tradicionalisht ka nxjerrë ushtarakë. Gjyshërit e mi kanë qenë komandantë, oficer madhorë, babai im ka qenë ushtarak, oficer në ministri, daja im ka qene drejtues i lartë ushtarak, kurse mamaja ka qenë dhe është stomatologe-dentiste me klinikë private. Pra,nuk vij nga familje artistësh.
 
PYETJE: Ju edukimin si balerin e keni marrë në një shkollë shqiptare, siç është Liceu. Duke e krahasuar më vonë me Shkollën e Baletit të Operas Vjeneze, çfarë mund të thoni për shkollën shqiptare. Emrat e mësuesve tuaj në Lice, të cilët i kujtoni me nderim?
ENO PEÇI: Shkolla e baletit shqiptar ka një metodë shumë të vjetër ruse.Kurse shkolla e baletit të Vjenës është shkollë europiane e perzier me metodën e shkollës ruse të Vaganovës dhe metodës franceze. Pra shkolla shqiptare e baletit ka shumë nevojë të eci përpara. Unë vetë kam pasur fatin të punoj në Shqipëri me profesorë si Luan Shtino që më ka ndihmuar shumë dhe profesor Agron Aliaj etj.
 
PYETJE: Në Vjenë, në kryeqytetin botëror të kultures, ju mbërritët kur ishit një adoleshent 16 vjeçar. Si arritët këtu, përse, dhe si e ndjetë veten?
ENO PEÇI: Unë shkova në Vjenë për shkak të trazirave të  viteve 1997-1998. U detyrova të ikja dhe vajta tek motra që jetonte prej 3 vitesh në Vjenë, e cila punon në një spital privat. Motra më ka ndihmuar shumë se unë ndodhesha në një vend të huaj që nuk dija as gjuhën. Nuk ndjehesha mirë se për mua ishte një kapitull i ri i jetës time që duhet të filloja për shkak të trazirave në Shqipëri, ku lashë prindërit dhe shoqërine dhe fëmijerinë që kalova në Shqipëri.
 
PYETJE: Suksesi juaj duket i menjëherëshëm, po të shohësh datën e mbërritjes në Vjenë 1998 dhe kur u pranuat si balerin në Teatrin e Operas Shtetërore vjeneze më 2000? Çfarë ishin për ju këto dy vite?
ENO PEÇI:  Këto dy vite kanë qenë shumë të vështira për mua sepse më mungonte vendi im dhe më mungonin shumë prindërit. Por këto dy vite ishin tejet të rëndësishme për mua dhe për moshën që kisha. Fillova të mësoja se çfarë ishte përgjegjësia. Përgjegjësia për jetën, sepse isha vetëm në një qytet të madh, por dhe përgjegjësia nga ana profesionale, sepse ishin dy vitet ku unë mund të merrja një bazë të fortë në shkollën e baletit të Vjenës për të ardhmen time si profesionist.
 
PYETJE: Prej vitit 2000 deri në 2009, kur ju emëroheni si solist në Teatrin Shtetëror të Vjenës, çfarë keni regjistruar në kujtesën tuaj, diçka thelbësore, që mendoni se ju dha suksesin. Ishte i rëndësishëm për karrierën tuaj Renato Zanella? Ia dedikoni dikujt këtë sukses të hatashëm që keni arritur?
ENO PEÇI:  Renato Zanella është një person që është i dashuruar mbas artit. Renato më ka ndihmuar tejmase shumë dhe ka punuar shumë me mua. Eksperiencën që unë kam përvetësuar nga ky njeri është një nga armët e mia bazë që dhe sot me ndihmon të ec përpara.
Viti 2009 ishte shumë i rëndësishëm për mua, edhe sepse unë jam bërë Baba. Lindi vajza ime Lea, që më bën të ndihem shume krenar, sepse fundja fundit më të rëndësishme se familja për mua nuk ka.
Por suksesin tim, ia dedikoj prindërve të mi që kanë sakrifikuar shumë për mua në një kohë shumë të vështirë në Shqipëri.
 
PYETJE: Po të shohësh repertorin tuaj, ai është një repertor i jashtëzakonshëm, si nga veprat, baletmaestrot dhe rolet tuaj. Kam parasysh “Gizel”, “Karmen”, “Spartakus”, “Arëthyesi”, “Don Kishoti”, “Liqeni i Mjellmave”, etj.etj. të vëna në skenë nga mjeshtra gjigandë që nga Rudolf Nurejeës, John Cranko e deri tek Renato Zanella, të cilin Italia e ka nderuar me çmimin si “Koreografi më i mirë italian në botë”, ku ju keni role kryesorë. Si u ngjitët deri këtu, me magji?
ENO PEÇI: Çdo gjë është e mundur. Me punë,durim dhe dashuri ndaj artit çdo rrugë të hapet...
 
PYETJE: Gazetat austriake kur ju përshkruajnë, thonë se ju “si balerin arrini gjithçka, se për ju nuk ka asgjë të pamundur”, ndërsa ju citojnë të keni thënë diku se “nuk jeni një makinë kërcimi”. Çfarë duan të thonë gazetat austriake, po ju vetë?
ENO PEÇI:  Për atë të parën mund ta ketë tepruar pak. Por që çdo gjë është e mundur. Ky është (english-anglisht -attitude) ose (deutch-gjermanisht - einstellung) qëndrimi im personal.
Kurse për të dytën kam dashur të them që një artist që luan, interpreton në skenë  teknikisht por pa asnjë lloj ndjenje, pa asnje lloj personaliteti, pa asnjë lloj magjie që mund t’i transmetojë publikut, ateherë është makinë kërcimi.
 
PYETJE: Përpara 4 vitesh për Die Presse keni thënë se nuk do të kishit dëshirë që Lea të bëhej balerinë, po Lea është një fëmijë arti, deri tani a ka treguar talent për dancën?
ENO PEÇI:  E vërtetë. Baleti është profesion shumë i bukur por edhe shumë i veshtirë.
Duhet të kesh një karakter shumë të forte që t‘i përballesh shumë mundimeve të saj. Dhe si prind nuk ia uroj vajzës time të gjitha ato stërmundime që kam hequr vete. Gjithsesi vendimin ajo do ta marri vetë. Por talent ka...
 
PYETJE: A ka në trupën e Baletit të Teatrit Shtetëror të Vjenës apo në Filarmoninë vjeneze artistë të tjerë shqiptarë ?
ENO PEÇI: Në trupën e baletit të Ëiener Staatsoper, përveç meje, nuk ka balerinë të tjerë, por në Orkestrën e Filarmonisë janë violinisti Shkëlzen Doli, violinçelisti Edison Pashka, violinistja Oreada Steude dhe në kor Dritan Lucaj, që punojnë të gjithë në Ëiener Staatsoper.
 
PYETJE: Çfarë mendimi keni për Teatrin e Operas dhe Baletit dhe për artistët shqiptarë, brenda vendit e jashtë tij?
ENO PEÇI:  Teatri i Operas dhe i Baletit ka shumë nevojë të rinovohet përbrenda, sepse është në një gjendje jo të mirë. Shqipëria është e vogël por ka shumë artistë të shkëlqyer jashtë dhe brenda vendit.
 
PYETJE: Tani që Teatri i Operas dhe Baletit të Tiranës drejtohet nga një balerin dhe baletmaestri i njohur si Ilir Kerni, a prisni të merrni ftesë dhe a do të fluturoni menjëherë në Tiranë?
ENO PEÇI: Menjëherë do fluturoja… TKOB, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, si thotë dhe Baletmaestri Ilir Kerni, është shtëpia e te gjithë artisteve shqiptarë kudo që ndodhen...
 
Marrë nga Voal Online
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje