PRRENJAS - Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla, së bashku me kandidaten e Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Prrenjasit, Miranda Rira, kanë zhvilluar një takim me gratë e këtij qyteti. Gratë e pranishme në këtë takim kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen e mjerueshme ku është katandisur qyteti i Prrenjasit.

Deputeti Balla në fjalën e tij tha se për herë të parë Prrenjasi do të ketë një administratore femër, Miranda Rirën, dhe se së bashku me deputetë të tjerë do të punojnë që jo vetëm Prrenjasi, por edhe zonat përreth të fillojnë të zhvillohen.

Këto zgjedhje kanë një veçanti për qytetin e Prrenjasin sepse pas 25 vjetësh dështim të të gjithë burrave që janë marrë me Përrenjasin, më 21 qershor kemi vendosur që t’ja japim një gruaje që ta drejtojë në drejtimin e duhur. Jam shumë krenar që mazhoranca jonë, aleanca jonë kësaj radhe zgjodhi si kandidaturë Mirandën, do të punojmë me Mirandën bashkë me kolegët e tjerë deputetë të qarkut tonë për Përrenjasin, për Rrajcën, për Stravajn dhe Quksin. Për të zgjidhur të gjitha ato probleme dhe halle që ky qytet ka. Unë nuk di nëse një qytetar i Prrenjasit mund të më thotë që në 4 vite që Bajaziti ka qenë në krye të Bashkisë ka bërë qoftë edhe një punë të vetme. Dy vite e kishte qeverinë e tij, kishte Saliun, bëri ndonjë gjë për Prrenjasin? Asgjë! Një gjë të vetme do t’ju thoja që ta kishte në mendje çdo familje e Përrenjasit kur të votojë në 21 qershor. Ne nuk na duhet një kryetar bashkie që ditën kur në Këshillin Bashkiak diskutohen kreditë për të pastrehët, kryetari i Bashkisë vendos emrin e vet në vend të parë. Kjo është një arsye për ta ndryshuar drejtimin e Bashkisë Prrenjas, për ta vendosur atë në drejtimin e duhur”- u shpreh Balla.

Në këtë takim u shpreh qartazi mbështetja e madhe që Prrenjasi do ti japë Miranda Rirës në 21 qershor, duke e çuar në drejtimin e duhur këtë qytet.
Të pranishme në takim kanë qenë dhe deputetet Arta Dade dhe Monika Kryemadhi.
 
 
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)