Ballkani Perëndimor, ja sa shpenzuan qeveritë për situatën e koronavirusit! Shqipëria lë pas Kosovën

 Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë reaguar ndaj situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit në ekonomitë e tyre, duke mbështetur financiarisht bizneset dhe individët. Në Shqipëri, në dy paketat e ndihmës financiare dhe fiskale deri tani janë alokuar nga qeveria 360 milionë euro, shifër kjo e barabartë me 2.6 për qind të gjithë Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në një vit.

Vendi ynë duket se, në krahasim me Prodhimin e Brendshëm, le pas vetëm Kosovën në paketat e ndihmës. Ndërkohë që Shqipëria ka adresuar 2.6% të PBB-së për situatën, Kosova është në shifrën 2.5%, por kjo është shumë larg mesatares së Ballkanit Perëndimor, prej 7.3 përqindësh.

Por si janë përgjigjur vendet e tjera të rajonit? Sipas shifrave të bëra publike deri tani nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ministritë e Financave të vendeve të rajonit, reagimi i tyre ka qenë i ndryshëm. Më shumë nga të gjithë në raport me PBB ka paguar Mali i Zi me 12.3%, ndjekur nga Serbia me 11.6%. Ndërsa si shifër Serbia ka adresuar për paketën e ndihmës shumën më të lartë, prej 5.3 miliardë eurosh.

Sa më poshtë, vijon një pasqyrë e masave financiare dhe fiskale të marra nga qeveritë e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor.  

Serbia – paketa e ndihmës 5.3 miliardë euro
Qeveria serbe ka marrë disa masa në drejtim të lehtësimit të taksave, si psh rritje pagash 10% për sektorin publik shëndetësor dhe rritjen e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor
Pagesë të njëhershme për të gjithë pensionistët
Transferim të 100 eurove direkt për secilin qytetar mbi 18 vjeç
Projekte të reja të infrastrukturës për investime publike
Shtyrje tremujore të tatimit mbi të ardhurat personale dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore për të gjitha kompanitë private, që do të paguhen në 24 këste duke filluar nga viti 2021
Shtyrje e pagesës së paradhënies së tatim fitimit të ndërmarrjeve në tremujorin e dytë 2020
Pagesë e pagës minimale për të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve të mesme e të vogla për tre muaj
Pagesë e 50% të pagës minimale për tre muaj për punonjësit në kompani të mëdha private dhe për punonjësit që aktualisht nuk punojnë.
Moratorium 3-mujor për borxhin tatimor, si dhe 10% zvogëlim i normës së interesit të borxhit tatimor.
Garanci shtetërore për huatë bankare për ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe kredi të reja për ato nga Fondi i Zhvillimit.
Banka Kombëtare e Serbisë uli normën bazë të interesit nga 2.25 për qind në 1.5 për qind dhe miratoi një moratorium 3-mujor për të gjitha shlyerjet e kredive bankare dhe marrëveshjeve të qirasë financiare.

Mali i Zi – paketa e ndihmës 597 milionë euro
Në prill dhe maj paguhet nga shteti 70% e pagës minimale për punonjësit në sektorë që janë mbyllur dhe punonjës që nuk janë në gjendje të punojnë për shkak të kujdesit të fëmijëve, ose njerëz që duhet të jenë të izoluar dhe të karantinuar. Ndërkohë jepet 50% e pagës minimale për punonjësit në sektorë në rrezik për shkak të bllokimit.
Qeveria jep 70% të pagës minimale të punonjësve të sapo-punësuar në ndërmarrje të vogla e të mesme për gjashtë muaj nëse këta punëtorë janë regjistruar si të papunë.
Ndihmë vetëm një herë 50 euro u jepet të gjithë personave të regjistruar si të papunë dhe të cilët nuk kanë marrë asnjë kompensim.
Ndihmë financiare të njëhershme për pensionistët me të ardhura të ulëta dhe përfituesit e mirëqenies sociale në shumën prej 50 euro secilit.
Rriten pagat e marsit të punonjësve të kujdesit shëndetësor deri në 15%.
Bllokohen pagesat e energjisë për bizneset që kanë ndaluar funksionimin për shkak të pandemisë dhe dyfishohen subvencionet për energjinë ndaj familjeve në nevojë.
Ndihmë e njëhershme për peshkatarët dhe pagesë për kontributet e punëtonjësve të siguruar bujqësorë.
Hiqet akciza ndaj alkoolit mjekësor të shitur në farmaci
Nuk gjobitet vonesa e pagesës së tatimeve dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore
Kredi 120 mln euro nga shteti për të përmirësuar likuiditetin e sipërmarrësve
Shtyhet pagesa e qirasë për pronat e paluajtshme shtetërore
Banka qendrore njoftoi një moratorium për shlyerjen e kredisë për një periudhë deri në 90 ditë.
Bankat gjithashtu lejohen të ristrukturojnë kreditë dhe t'i riklasifikojnë ato si kredi të reja, duke përfshirë duke zgjatur gjithashtu periudhën e ripagimit deri në dy vjet.
Banka qendrore ndaloi përkohësisht bankat të paguajnë dividentë ndaj aksionarëve,

Bosnje Hercegovina – paketa e ndihmës 597 milionë euro
Shtyhet pagesa për tatim fitimin në fund të qershorit
Shpejtohen rimbursimet e tatimeve dhe sigurimeve.
Qeveria paguan pagat minimale për të gjithë punonjësit në sektorët e bllokuar në prill.
Qeveria federative paguan pagë minimale për të gjithë punonjësit e kompanive të prekura nga Covid-19.
Krijohet fond i veçantë për mbështetjen e kompanive eksportuese
Fond garancie për përmirësimin e likuiditetit të kompanive
Bankat kanë njoftuar një moratorium 6-mujor në shlyerjen e kredisë dhe ristrukturimin e kësteve të kredisë për individë e subjekte që kanë rrethana të rënduara për shlyerjen e kredive për shkak të COVID-19.
Të gjitha bankat nuk do të paguajnë dividentë ose shpërblime.

Maqedonia e Veriut – paketa e ndihmës 360 milionë euro
Qeveria miratoi një pakete fiskale të posaçme për të ndihmuar për tre muaj sektorë si transporti, hoteleria dhe restorantet.
Shteti subvencionon kontributet e sigurimeve shoqërore për firmat që mbajnë të punësuarit
Shtyrje e pagesave të tatimit mbi fitimin duke pezulluar detyrimet e parapagimit bazuar në të ardhurat e vitit të kaluar
Ndihmë e drejtpërdrejtë financiare për firmat nga Banka e Zhvillimit, duke ofruar kredi me normë zero të interesit.
Pagë minimale për punonjësit në kompanitë e prekura.
Familjet e prekura dhe ato që janë pjesë e ekonomisë informale e kanë humbur të ardhurat e tyre marrin ndihmë financiare.
Vendoset kontroll për çmimet e produkteve themelore të ushqimit, ilaçeve dhe produktet e dezinfektimit
Hiqet taksa e importit për furnizimet mjekësore.
Norma bazë e interesit u ul me 25% duke e çuar në 1.75%.

Kosova – paketa e ndihmës 178 milionë euro
Masat kryesore janë: Alokim 6 milionë euro për ministrinë e Shëndetësisë
Shtyhet pagesa për tatim fitimin, TVSH dhe tatimin mbi të ardhurat personale
Dyfishohen pagesat e ndihmës sociale
Hiqet TVSH në importet e grurit dhe miellit
Shtyhet pagesa e shërbimeve publike deri në fund të prillit
Banka Qendrore vendosi pezullimin e pagesës së kësteve të kredisë për bizneset dhe individët nga 16 marsi deri më 30 prill. Ky pezullim mund të zgjatet në varësi të situatës.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë