Bamir Topi: Çfarë bëri Berisha në Itali për të mbrojtur zgjedhjet e 26 majit ‘96

Bamir Topi: Çfarë bëri Berisha në Itali për të mbrojtur zgjedhjet e 26 majit ‘96

Topi dhe Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha i konsideron të paligjshme zgjedhjet parlamentare të 2017, kur Partia Demokratike kontrollonte gjysmën e qeverisë, përmes ministrave të emëruar prej saj, ndërsa ka mbrojtur në arenën ndërkombëtare si të ligjshme zgjedhjet e 26 majit 1996. Nëse zgjedhjet 25 qershorit 2017 u zhvilluan me PD në qeveri dhe u njohën nga organizmat ndërkombëtarë, zgjedhjet e 26 majit 1996 u shpallën të manipuluara nga Këshilli i Evropës, OSBE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, Sali Berisha ka bërë përpjekje për të bindur ndërkombëtarët se zgjedhjet e 26 majit 1997 ishin të rregullta dhe se dhe gjithçka ishte organizuar nga opozita. Ish-presidenti Bamir Topi, në librin e tij ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), rrëfen detaje rreth një vizite me Berishën në Itali dhe përpjekjet e Berishës për të bindur ndërkombëtarët se zgjedhjet e 26 majit ishin të rregullta. “Në mesin e nëntorit të vitit 1996, së bashku me presidentin e kohës morën pjesë në punimet e FAO-s në Romë. Në përfundim të punimeve, presidenti italian, Scalfaro, organizoi një pritje për nder të delegacioneve të pranishme në Romë. Berisha ishte shumë i tensionuar dhe para se të niseshim për në Pallatin Presidencial ‘Quirinale’, më tha: “Duhet ta shfrytëzojmë për të bërë sa më shumë takime, pasi duhet të qartësojmë ndërkombëtarët që zgjedhjet e 26 majit ishin të rregullta dhe gjithçka u organizua nga opozita”. Pjesëmarrja në atë pritje ishte e jashtëzakonshme, madje për herë të parë aty ndodhej me kostum civil edhe Fidel Kastro. Ky, për arsyes ‘sigurie’, kish mbërritur në Aeroportin e Romës në orën tre të mëngjesin. Unë takoja njerëzit që donte të bisedonte Berisha dhe menjëherë ai vinte mbrapa, takim pas takimi. Realizuam mjaft takime, por atmosfera e tyre ishte e zbehtë dhe pa asnjë mesazh pozitiv për të. Tashmë mbështetja ndërkombëtare për Berishën kishte rënë në kuota dramatike. Duke u larguar shikoja pezmatimin e tij, por siç ndodh zakonisht para pak kamerave që prisnin në Aeroportin e Tiranës, situata u përshkrua me nota shumë pozitive dhe si një vizitë e suksesshme. Problemet që qëndronin në plan të parë ishin bojkotimi i parlamentit nga opozita socialiste dhe firmat piramidale që gati kishin zëvendësuar reputacionin e shtetit dhe kishin futur të gjithë shqiptarët në një parajsë fiskale, në kafene dhe restorante, larguar nga punët..”.

Përplasja e parë me Berishën dhe Gazidede në zyrë
Ish-presidenti i Republikës Bamir Topi rrëfen përplasjen e parë me Berishën në kulmin e firmave piramidale dhe prezencën në zyrën e Berishës të Bashkim Gazidedes, në atë kohë kreu u SHIK-ut. “Në fillim të janarit, në kujdesin e USAID, ishin organizuar disa takime të rëndësishme me ministrat e Bujqësisë të Austrisë, Holandës, Suedisë dhe Gjermanisë. Kur biletat ishin marrë dhe gjithçka ishte gati për të nesërmen, vjen një telefonatë nga Berisha dhe pas fjalëve përshëndetëse me thotë se nisesha për ta takuar në vilën nr. 4, të cilën ai e frekuentonte shpesh në këtë periudhë. Pa ditur çdo të bisedoja, nuk kisha marrë asnjë dosje pune. Sapo u futa në mjediset e Pallatit të Brigadave, oficeri me ftoi të qëndroja në një dhomë pritjeje, sa të lirohej nga takimi që kishte në atë moment. Nga dera e hapur kuptova se takimi kishte mbaruar dhe në korridor takoj Bashkim Gazideden, shefin e Shërbimit Sekret. Çudia ishte se sa herë do të shkoja për të takuar presidentin, Gazidede do të ishte aty, ose edhe kur na gjente brenda, ai kishte prioritet para ministrave. Sapo u futa në dhomën me oxhak, konstatova se Sali Berisha ishte tepër i çoroditur. -Bamir, nëse në mëngjes do të sjellësh një informacion për vreshtarinë në Shqipëri, pasi do të futemi me një projekt kombëtar për vreshtat. -Patjetër! – i thashë unë, do të sjell informacionin, por unë nesër nuk do të jem, pasi nisem për në Vjenë. Natyrisht që ai ishte i informuar dhe bënte sikur nuk dinte gjë. Me një pamje aspak të qetë thotë: -Nuk di gjë unë. Nuk më ka njoftuar Tritani. -Unë, sipas rregullave, kam njoftuar Ministrinë e Jashtme... -Nuk di gjë unë, nuk mund të shkosh, -vazhdoi. Për të thjeshtuar zgjidhjen e këtij ngërçi të papritur, unë vazhdova: ‘Përveç të tjerave kam njoftuar edhe kryeministrin’. Sapo unë përmenda kryeministrin, Berisha shkoi në ekstrem duke ngritur zërin: -‘Z. ministër, besoj se nuk ke harrur që firmën në dekretin tënd nuk e ka vendosur kryeministri, por unë’! Përpjekjet ishin të kota. Berisha kishte humbur arsyen dhe si përfundim ky tur takimesh dështoi”.

Berisha i strukur dhe i përlotur në pas rrëzimit si President
Në librin e tij, Bamir Topi rrëfen gjendjen në të cilën e gjeti Sali Berishën pasi ishte rrëzuar si President. “Në këto zgjedhje korri një fitore të thellë koalicioni i majtë, duke marrë drejtimin si kryeministër Fatos Nano pas daljes nga burgu, duke propozuar qysh në krye të herë z. Rexhep Mejdani për President të Shqipërisë. Zgjedhja e tij u shoqërua me shkrepje në masë të armëve, që sillnin jehonën e gëzimit të largimit të Sali Berishës nga Presidenca. Berisha erdhi menjëherë të nesërmen drejt selisë së PD-së, pas deklarimit të dorëheqjes së Tritan Shehut. Në mbrëmjen e 24 korrikut 1997, rreth orës 22:22 po kthehesha me familjen në shtëpi dhe po përshkoja rrugën ‘Toptani’ pranë selisë së PD. Në një çast u them që po futem të takoj Berishën, ndërkohë që ai vazhdonte të qëndronte në zyrë. Nga dera e jashtme e ndërtesës, gjatë shkallëve dhe korridorit që të çonte në zyrën e vjetër të kryetarit të PD-së nuk ndesha këmbë njeriu. Gjithçka bosh aq sa mendova se kurrkush nuk ishte brenda. Duke iu afruar derës së sekretares, del dikush dhe pasi më pa më përshëndeti dhe më bëri shenjë që Berisha ishte aty. Hapa derën dhe pash një njeri tjetër nga ç’isha mësuar të njihja. I strukur në kolltuk, i demoralizuar dhe ndoshta i hutuar për sa kish ndodhur atë ditë. Paradite ai ishte larguar nga Presidenca dhe pas dorëheqjes së ‘vullnetshme’ të Tritanit, Berisha ishte kthyer kryetar i PD. U përshëndetëm dhe pasi më ftoi të ulesha i thash se do të rrija vetëm pak minuta, pasi kisha familjen në makinë. Prita që ta filloja unë bisedën e pari dhe kështu ndodhi. –‘Doktor –i thashë, - e di që kjo është tepër e vështirë, për gjithçka do të jetë ndryshe duke filluar qysh nesër. Kjo që ka ndodhur nuk ka të bëjë vetëm me ju! Unë di t’ju them që tek unë llogarit një mik, - dhe për t’i treguar gatishmërinë time vazhdova: Telefoni im është i hapur 24 orë, fatmirësisht shtëpia ima nuk është më larg se 300 m nga selia. Në çdo situatë unë do të jem këtu’. Pas këtyre fjalëve i thash që po largohesha dhe se do të shiheshim. U përshëndet gati i përlotur. Ishte në një gjendje morale të rënduar”.

Si hyri në politikë
Topi rrëfen se në fund të marsit të vitit 1996 ka marrë një ftesë nga Sali Berisha për të marrë pjesë në një darkë në Pallatin e Kongreseve. Pas disa ditësh ka marrë një ftesë për të kandiduar për deputet dhe pas konstituimit të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 26 majit 1996, ka zhvilluar një takim me Berishën, i cili ka bërë me dije se e ka zgjedhur ministër Bujqësie. “Nga fundi marsit të vitit 1996, më vjen një ftesë nga presidenti i kohës, Sali Berisha, të cilën ma solli në zyrë korrieri i tij personal. Isha ftuar në darkë në Pallatin e Brigadave, shtruar në nder të një delegacioni të Këshillit të Evropës; një vit më parë Shqipëria ishte pranuar si anëtare në këtë organizëm. Ajo që më bëri përshtypje nga të ftuarit, ishte fakti që isha i vetmi midis shqiptarëve që nuk kisha një pozicion të lartë në shtet dhe qeveri. Në këtë numër të kufizuar njerëzish vura re se prania ime zgjoi kureshtje midis tyre. Më parë, në vitin 1992 unë u isha larguar interesave politike dhe po vazhdoja me qetësi e me pasion karrierën profesionale, edhe pse ofertat kishin qenë të qarta. Më sa dukej, përveç Berishës, qoftë Arbnori, Meksi, Tritan Shehu apo Fatos Beja po gjykonin se çdo të thoshte prania ime midis tyre. Shumë shpjet, disa ditë më pas, erdhi ftesa për të kandiduar për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 26 majit 1996... Atmosfera pas zgjedhjeve nuk ishte e qetë, për shkak të kontestimeve të krahut të majtë. Sidoqoftë parlamenti u konstituua dhe më 11 korrik pata një takim në zyrën e presidentit, i cili më komunikoi që isha përzgjedhur për të drejtuar si ministër, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit”, kujton Topi.  

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit