Tre personat që janë arrestuar në Shqipëri si pjesë e bandës që trafikonte kokainë dhe marijuanë drejt Gjermanisë, do të ekstradohen në Itali.
 
Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se për të 3 të arrestuarit do të nisin procedurat e ekstradimit, falë edhe urdhër arresteve të lëshuara nga autoritete italiane.
 
Besmir Shehaj 32 vjeç nga Vlora, Bruno Haxhiraj 39 vjeç nga Vlora dhe Vladimir Skëndo 56 vjeç po nga Vlora janë tre personat e arrestuar në vendin tonë, ndërkohë që 8 të tjerë janë arrestuar në Itali dhe Gjermani.
 
Ndërkohë autoritetet italiane pritet të nisin kërkesën drejt Shqipërisë dhe më pas të bëhet ekstradimi i 3 vlonjatëve në Itali.

Mes personave do të ekstradohen në Itali është edhe 32-vjeçari Besmir Shehaj, i cili mendohet se është drejtuesi i grupit që transportonte drogë në aksin Shqipëri-Itali-Gjermani.
 
Po kështu pritet që ndaj 3 të arrestuarve të nisë edhe hetimi pasuror nga ana e Prokurorisë.
 
Ky grup përbëhej nga 11 persona, mes tyre 9 shqiptarë dhe mendohet se kishin fituar shuma marramendëse nga trafikimi i marijuanës dhe kokainës që kishin bërë drejt Italisë dhe Gjermanisë.
 
Kokaina vinte nga vendet e ulta të Europës, ndërsa marijuana nisej nga Shqipëria.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com