Dhjetra banorë të fshatit Daullas në bashkinë Fier kanë protestuar të premten për rrugët e amortizuara , të cilat nuk kanë njohur asnjë investim prej dekadash duke u kthyer në shqetësimin më madhor të përditshmërisë së tyre. Në kulmin e indinjatës ata pohojnë njëzëri se 200 familje jetojnë mes baltës e gropave të mëdha ndonëse janë taksapagues të rregullt .
Sipas tyre, rrugët janë totalisht të degraduara dhe sa herë që ka reshje shiu, ato kthehen në baltë dhe bëhen të pakalueshme jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët. Banorët theksojnë se makinat pësojnë defekte të vazhdueshme për shkak të gropave dhe terrenit të amortizuar, duke shtuar kostot për familjet që tashmë përballen me vështirësi ekonomike.
“Jam banor këtu dhe emigrant në Gjermani. Më njoftuan se rruga është e pakalueshme dhe erdha me furgon. Jemi lënë në këtë gjendje. I kërkojmë ndihmë kryeplakut, por na thotë ‘do bëhet këtë javë’ ose ‘javën tjetër’,” tha një prej tyre.
Një tjetër banore u shpreh se bashkëshortin e ka të sëmurë dhe rruga e pashtruar e vështirëson lëvizjen. “Taksat i paguajmë. Askush nuk ka ardhur. Populli vetëm pret nga ata, por asgjë nuk po bëhet,” tha ajo.
Banorët tregojnë se prej 50 vitesh rruga nuk është shtruar asnjëherë. Ata thonë se kanë njoftuar disa herë për një pusetë problematike të ujrave tëzeza, por nuk ka pasur ndërhyrje.
“Duhet çizme për të dalë nga shtëpia. 100 herë kemi lajmëruar por asnjeri nuk ka ardhur. Asnjeri nuk e vë dorën në zjarr. ” u shpreh një tjetër.
Një pensionist, që jeton prej 33 vitesh në zonë, thotë se shpenzon rreth 100 mijë lekë çdo muaj për riparimin e makinës. “Jam ankuar 20 herë, kam shkuar në komunë e bashki, por nuk kemi marrë asgjë,” tha ai.
Sipas banorëve, edhe pusetat e ujërave të zeza janë në gjendje të rënduar. Ata shprehen se ndihen të lënë në harresë, ndonëse paguajnë rregullisht taksat për pastrim, gjelbërim dhe ndriçim.
Banorët thonë se shqetësimin e kanë ngritur disa herë pranë bashkisë, ish-njësisë administrative dhe edhe gjatë fushatave elektorale te kandidatët për deputetë dhe kryetar bashkie, por deri tani kanë marrë vetëm premtime.
“Është turp që në vitin 2026 nuk kemi rrugë për të shkuar në shtëpi.Ne s’dimë ku të shkojmë. Kryetari i Bashkisë nuk më pranon në zyrë. Nuk ka shanse të futem në Bashki. Polici na nxjerr jashtë” tha një banor tjetër.
Banorët kërkojnë investim urgjent në zonë dhe theksojnë se është e papranueshme që vetëm një kilometër larg qytetit të Fierit të jetojnë në këto kushte.
Komente









